KLSH dhe auditimi i prokurimeve publike
Nga Alush Zaçe, botuar në Shqip, 9 maj 2015
Ndryshimet në nenin 36 të ligjit nr. 9643, datë 20/11/2006 “Për prokurimin publik”, për sa i përket zhvillimit të procedurave të prokurimit nëpërmjet sistemit elektronik, ka qenë një hap shumë i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit në fushën e prokurimeve publike, si një nga fushat më të ndjeshme ndaj korrupsionit.
KLSH, si institucioni i pavarur më i lartë shtetëror i auditimit të jashtëm, me detyrimin që i ngarkon ligji 514/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, kryen auditimin e përdorimit, administrimit dhe mbrojtjes së fondeve publike në përputhje me Kushtetutën, ligjet, aktet nënligjore, manualet në fuqi, si dhe standardet ndërkombëtare të auditimit të INTOSAI-t. Këto auditime kryen në mënyrë të vazhdueshme në njësitë e qeverisjes qendrore dhe asaj vendore edhe në fushën e rëndësishme të prokurimeve. Auditimet në fushën e prokurimeve ndikojnë pozitivisht në luftën kundër korrupsionit, si premtim i politikës ndaj taksapaguesve shqiptarë, por edhe si plotësim i detyrimeve për integrimin europian.
Rëndësia e auditimit të prokurimeve publike vjen edhe si rezultat i kërkesave të organizatave ndërkombëtare, të cilat detyrojnë që të merren masat e nevojshme për të përmirësuar sistemet e prokurimeve, bazuar në kriteret e transparencës dhe konkurrencës së ndershme, si dhe vlerësimin e pavarur të sistemeve kombëtare të prokurimeve publike.
Gjatë auditimeve në fushën e prokurimeve të punëve, mallrave dhe shërbimeve, nga ana e KLSH-së janë hasur shkelje dhe mangësi që kanë shmangur konkurrimin e ndershëm, duke devijuar nga ligji “Për prokurimin publik”, qëllimi i të cilit është të sigurojë një trajtim të barabartë dhe jodiskriminues për të gjithë operatorët ekonomikë pjesëmarrës në procedurat e prokurimit dhe të sigurojë integritet, besim publik dhe transparencë në procedurat e prokurimit publik.
Kryerja e procedurave të prokurimit publik nëpërmjet sistemit elektronik, i kufizon strukturat prokuruese për shkeljen e ligjit. Këto struktura “stërmundohen” për të gjetur mënyrën “ligjore” për të favorizuar klientët e vet, apo për të përfituar edhe financiarisht për shkak të detyrës. Metodat e sofistikuara tani nuk janë më vetëm në skualifikimin e padrejtë të operatorëve ekonomikë, por kanë të bëjnë me hartimin e dokumenteve të tenderit, kërkesave të veçanta për kualifikim dhe specifikimeve teknike, që në shumë raste janë hartuar qëllimshëm për të mos mundësuar trajtim të njëjtë për të gjithë ofertuesit, duke u bërë pengesë për një konkurrim të drejtë. Gjatë auditimeve të kryera nga KLSH, janë zbuluar raste kur kërkesat e veçanta për kualifikim janë hartuar jo të lidhura ngushtë me natyrën dhe përbërësit e projektit të punës. Këto kërkesa duket sikur janë të hartuara në zyrat e operatorëve ekonomikë të privilegjuar, kandidatë për fitimin e tenderit dhe jo në zyrat e shtetit. Kjo ka bërë që nga ana e Autoriteteve Kontraktore të mos krijohen kushte të përshtatshme për konkurrim të paanshëm ndërmjet kandidatëve ofertues, duke përcaktuar paraprakisht fituesin e tenderit, në kundërshtim të plotë me ligjin, i cili kërkon nga autoritetet kontraktuese që të hartojnë kërkesa në mënyrë që të sigurohet një qasje sa më e madhe e mundshme për të gjithë operatorët dhe ofertuesit e interesuar ekonomikë dhe në të njëjtën kohë, të mos përpilojnë kërkesa që favorizojnë një ose më shumë operatorë.
Veprime të tilla, përveçse kanë ulur besimin publik në strukturat shtetërore në lidhje me paanshmërinë në prokurimin e fondeve publike, në shumicën e rasteve shoqërohen me përdorimin e këtyre fondeve pa ekonomicitet, pasi për të njëjtën punë të parashikuar për t’u kryer, harxhohen më shumë para’ nga taksapaguesit.
Por, me gjithë punën e vazhdueshme të KLSH-së, strukturat e realizimit të prokurimit publik, në shumë raste, nuk marrin masa për zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga KLSH, qoftë për përmirësimin e gjendjes nëpërmjet masave organizative, qoftë për masat disiplinore. Gabimet e përsëritura janë të pafalshme. Në shumë raste (le ta themi hapur atë që nëpunësit e thonë nën zë) strukturat e prokurimit publik urdhërohen nga eprorët duke i kërcënuar edhe me vendin e punës. Ka ardhur koha që t’i thuhet “stop” kësaj mendësie. Metafora e lojës së shahut, ku “sakrifikohen ushtarët për figurat”, duhet të marrë fund përgjithmonë.
Nga ana tjetër, Komisioni i Prokurimit Publik dhe Agjencia e Prokurimit Publik duhet të bashkërendojnë punën dhe të mbështesin pa rezerva përpjekjet e strukturave të KLSH-së për të luftuar korrupsionin në fushën e prokurimeve publike. Vetëm nëpërmjet kësaj sinergjie, do të mundim të shërojmë këtë gangrenë të shoqërisë shqiptare në periudhën e stërgjatur të tranzicionit, duke i detyruar institucionet që të sigurojnë një mjedis të favorshëm ligjor për ekonominë e tregut dhe lirinë e aktivitetit ekonomik, si dhe të drejta ligjore të barabarta për të gjithë operatorët ekonomikë, duke minimizuar mundësinë e shpërdorimit të parasë së taksapaguesve.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, sot dhe në të ardhmen, është i vendosur për tolerancë zero ndaj këtij fenomeni, duke bashkëpunuar me organin e akuzës, për të frenuar abuzimin me paranë dhe interesat publike për përfitime private, si dhe për të ndikuar në rritjen e besimit publik ndaj qeverisjes.