Sistemi i kontrollit të Financave Publike
Kontrolli i Financave Publike është një proçes sa i rëndësishëm, aq edhe kompleks, që kryhet nëpërmjet një numër strukturash dhe organesh të ngritura me ligj. Ligji Nr.9936, datë 26.6.2008: “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor”, në kapitullin Vlll: “Monitorimi, Auditimi i sistemit buxhetor dhe Inspektimi”, përcakton kuadrin ligjor të sistemit të kontrollit të financave publike. Sistemi i kontrollit përbëhet nga kontrolli i brëndshëm dhe kontrolli i jashtëm.
Sistemi i kontrollit të brëndshëm financiar publik për të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme, përfshin:
a) një sistem të menaxhimit dhe kontrollit financiar;
b) funksionin e pavarur, të decentralizuar të auditimit të brëndshëm;
c) njësitë qendrore të harmonizimit, në Ministrinë e Financave, për harmonizimin dhe bashkërendimin e zbatimit dhe të funksionimit të sistemeve të menaxhimit dhe të kontrollit financiar dhe ato të auditimit të brëndshëm.
“Kontroll i brëndshëm financiar publik” është tërësia e sistemit menaxherial, financiar dhe të kontrolleve të tjera, ku përfshihen dhe strukturat administrative, metodat, procedurat, si dhe auditimin e brëndshëm, të ngritur për realizimin e objektivave të drejtimit, me parim transparencën, ligjshmërinë, përdorimin me ekonomi, efiçencën dhe efektivitetin.
“Auditim i brëndshëm” është një veprimtari e pavarur, pjesë e njësisë së qeverisjes së përgjithshme, që siguron përdorimin efektiv të fondeve dhe përmirësimin e ushtrimit të funksioneve të këtyre njësive gjatë zbatimit të procesit buxhetor.
Të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme janë përgjegjëse për ngritjen e një sistemi të qëndrueshëm të menaxhimit dhe kontrollit financiar dhe të një funksioni të pavarur të auditimit të brëndshëm. Në Ministrinë e Financave krijohen Njësia Qëndrore e Harmonizimit për menaxhimitn dhe kontrollin e brëndshëm financiar dhe Njësia Qendrore e Harmonizimit për auditimin e brëndshëm.
Njësia Qëndrore e Harmonizimit për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin ështe krijuar bazuar në nenin 66 të Ligjit Nr. 9936, datë 26.06.2008, “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor”, si njësi qëndrore me detyrë harmonizimin e sistemeve të menaxhimit financiar dhe kontrollit në institucionet e sektorit publik. Ky organizëm kryen funksionin e saj në përputhje me ligjin Nr.10 296, datë 8.7.2010: “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”. Misioni i Njësisë Qëndrore të Harmonizimit të Menaxhimit Financiar e Kontrollit është krijimi i standardeve të Menaxhimit Financiar dhe Kontrollit në sektorin publik.
Njësia Qëndrore e Harmonizimit të Auditit të Brëndshëm ështe krijuar gjithashtu bazuar në të njëjtin nen 66 të Ligjit Nr. 9936, datë 26.06.2008, “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor”, dhe funksionon në përputhje me ligjin Nr.10318, datë 16.09.2010: “Për Auditimin e Brëndshëm në Sektorin Publik”. Misioni i kësaj strukture lidhet me mirë-organizimin e punës për funksionimin normal të procesit të auditimit të brëndshëm në sektorin publik, përcaktimin e politikave të auditimit në përshtatje me standardet ndërkombëtare, rritjen e cilësisë së auditimit në të gjitha strukturat e auditimit të brëndshëm të sektorit publik, organizimin dhe realizimin e mbikqyrjes së strukturave të auditimit të brëndshëm të organizmave publike, krijimin e bazës së të dhënave për vlerësimin e veprimtarisë së auditimit të brëndshëm, rishikimin e bazës ligjore dhe hartimin e metodikave të veçanta në përshtatje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të përparuara të vendeve të BE.
Qëllimi i institucionit të Inspektimit Financiar Publik, i organizuar në përputhje me ligjin Nr.10 294, datë 1.7.2010: “Për inspektimin financiar publik”, është të garantojë përdorimin në mënyrë ligjore dhe të disiplinuar të fondeve publike nga njësitë publike dhe të ndihmojë në mbarëvajtjen e menaxhimit financiar publik. Si veprimtari kontrolli ex-post, për rregullshmërinë e transaksioneve dhe veprimtarive të tjera të menaxhimit financiar publik, të kryera nën përgjegjësinë e njësive publike dhe individëve, ajo synon që:
a) të identifikojë shkeljet e akteve normative, si dhe dyshimet për mashtrimet e kryera.
b) të zbulojë parregullsitë dhe dëmet, të shkaktuara në pronën e njësive publike.
c) të analizojë arsyet dhe kushtet e shkeljeve të disiplinës financiare dhe të propozojë masat që duhen marrë për t’i shmangur ato dhe për të parandaluar kryerjen e tyre në të ardhmen.
d) të identifikojë shkeljet si dhe individët përgjegjës për parregullsitë e zbuluara.
Institucioni i Auditit të Brëndshëm, si një shërbim në funksion të Nëpunësve Autorizues të njësive të qeverisjes së përgjithshme, siguron që burimet publike, në dispozicion të njësisë së qeverisjes së përgjithshme:
a) janë shpenzuar, dokumentuar dhe raportuar, në bazë të një informacioni të
besueshëm dhe të shpejtë;
b) kanë kontribuar maksimalisht në arritjen e qëllimeve dhe të objektivave të
politikave të institucionit përkatës;
c) janë përdorur në mënyrë efiçente, ekonomike dhe efektive;
ç) nuk janë vjedhur, keqpërdorur apo shpërdoruar.
Janë subjekt i auditimit të brëndshëm të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme dhe shoqëritë tregtare ku shteti zotëron mbi 50 për qind të kapitalit dhe që përfitojnë fonde publike, pavarësisht nga forma e organizimit. Njësia e decentralizuar e auditimit të brendshëm në çdo njësi të qeverisjes së përgjithshme i raporton Nëpunësit Autorizues dhe është e pavarur në kryerjen e funksionit të saj auditues, si nga pikëpamja funksionale ashtu edhe nga ajo organizative. Ajo nuk është pjesë e strukturave operative të institucionit në fjalë.
Auditimi i brëndshëm në sektorin publik rregullohet në përputhje me ligjin nr. 10318, datë 16.09.2010: “Për auditimin e brëndshëm në sektorin publik”.
Drejtoria e Auditimit të Brëndshëm të Ministrisë së Financave kryhen veprimtarinë e saj të pavarur duke informuar dhe ndihmuar Ministrinë e Financave mbi efektivitetin dhe ligjshmërinë e përdorimit të fondeve publike, vlerësimin e sistemeve të kontrollit, si dhe të performancës së aktiviteteve që kjo ministri mbulon si dhe të institucioneve të varura, si dhe duke dhënë këshilla në mënyrë sistematike bazuar në rezultatet e auditimeve të planifikuara.
Ministri i Financave i dërgon një raport çdo vit Këshillit të Ministrave dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit për zbatimin dhe funksionimin e sistemeve të menaxhimit dhe kontrollit financiar dhe të funksionimit të auditimit të brendshëm në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, përfshirë edhe gjetjet e rëndësishme dhe rekomandimet për auditimin e brendshëm.
Nëpunësi i parë autorizues, në çdo kohë, ka të drejtë të inspektojë çdo dokument dhe sistem financiar të çdo njësie të qeverisjes së përgjithshme apo të çdo ndërmarrjeje ekonomike publike, që kontrollohet, financohet ose sigurohet me garanci financiare nga një njësi e qeverisjes së përgjithshme, si dhe të çdo përfituesi fondesh nga buxheti apo në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare në lidhje me këto fonde. Nëpunësi i parë autorizues i paraqet një kopje të të gjitha raporteve të inspektimeve financiare Ministrit të Financave dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, si dhe strukturave të tjera përgjegjëse për zbatimin e ligjshmërisë.
Auditimi i Jashtem
Njësitë e qeverisjes së përgjithshme i nënshtrohen, pa asnjë lloj kufizimi, auditimit të jashtëm, i cili kryhet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në përputhje me ligjin nr. 8270, datë 23.12.1997: “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”