Banka e Shqipërisë
Banka e Shqipërisë (BSH) është banka qëndrore e Shtetit Shqiptar. Ajo u themelua në 4 tetor 1913, si rezultat i një marrëveshje të nënshkruar midis Qeverisë së Ismail Qemalit, përfaqësuesve të Wienner Bank Verein, si dhe përfaqësuesve të Banca Commerciale Italiana, por ajo e pushoi shpejt aktivitetin e saj.
Në 2 shtator 1925, në bazë të një marrëveshje të përfunduar nga Qeveria Shqiptare me një grup financiar italian, u themelua Banka Kombëtare e Shqipërisë, me qëndër administrative në Durrës dhe me Komitetin Administrativ në Romë. Në shkurt 1926 kjo bankë hodhi në qarkullim monedhën e parë kombëtare shqiptare.
Pas luftës së dytë botërore deri në fund të vitit 1990, Banka e Shtetit mbështeti procesin e zhvillimit të ekonomisë socialiste. Karakteristikë për këtë periudhë ka qënë kontrolli i skajshëm i këtij sistemi në duart e shtetit. Pas vitit 1990, ndërrimi i sistemit politik në Shqipëri solli ndryshime thelbësore edhe për sistemin bankar. Aktualisht organizmi dhe funksionimi i Bankës së Shqipërisë bëhet sipas ligjit Nr.8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar me ligje të tjerë.
Në cilësinë e autoritetit monetar dhe mbikqyrës të vendit BSH gëzon funksionet e mirëfillta të një banke qëndrore klasike, duke garantuar arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe të eficiencës se sistemit financiar. Për arritjen e këtij objektivi, BSH harton dhe zbaton politikën monetare si dhe regjimin e këmbimit valutor përfshirë dhe politikën e kursit të këmbimit. Që nga viti 1992 monedha shqiptare – leku – është një monedhë fleksibël, që do të thotë së kursi i saj i këmbimit ndaj valutave të huaja përcaktohet lirisht mbi bazën e transaksioneve të tregut. BSH gëzon të drejtën ekskluzive të nxjerrjes e të qarkullimit të kartëmonedhës kombëtare. Ajo mban dhe administron rezervat valutore të Republikës së Shqipërisë. BSH shërben si bankier, këshilltar dhe agjent fiskal i qeverisë si dhe mbështet funksionimin normal të sistemit të pagesave.
Në rolin e saj si bankë e bankave, BSH licenson, rregullon dhe mbikqyr bankat e nivelit të dytë për të garantuar stabilitetin e sistemit bankar. Ajo i ndihmon këto banka duke u ofruar shërbime të ndryshme si kreditimi, duke i lehtësuar kryerjen e transfertave bankare dhe duke siguruar mbarëvajtjen e tyre. BSH shërben edhe si mekanizëm shpëtimi, duke luajtur rolin e huadhënësit fundor të sistemit bankar, mekanizëm i cili plotëson nevojat afatshkurtra për likuiditet të bankave të nivelit të dytë.
Duhet të theksojmë se BSH nuk u shërben drejtpërdrejt individëve dhe bizneseve, nuk u jep atyre kredi, në të nuk mund të hapen llogari personale dhe nuk lëshon karta debiti e as krediti. “Klientët” e saj janë bankat tregtare dhe qeveria.
Këshilli Mbikqyrës është organi më i lartë vendimmmarrës dhe mbikqyrës i BSH. Ai miraton politikën monetare dhe vendos mbi orientimin e politikave të administrimit në përgjithësi. Këshilli Mbikqyrës përbëhet prej 9 anëtarësh, pesë nga të cilët propozohen nga Kuvendi, tre nga Këshilli i Ministrave dhe një nga vetë Këshilli Mbikqyrës. Të gjithë antarët votohen nga Kuvendi. Mandati i tyre është 7 vjeçar. Këshilli Mbikqyrës drejtohet nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, i cili zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje. Guvernatori vepron dhe si Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Bankës.