Shërbimi civil në Shqipëri
Shërbimi civil udhëhiqet nga ligji dhe bazohet në parimin e shanseve të barabarta, mosdiskriminimit, meritës, transparencës dhe profesionalizmit dhe paanësisë politike, si dhe garanton qëndrueshmërinë në detyrë të nëpunësit civil dhe vazhdimësinë e shërbimit civil.
Ligji për nënpunësin e Shërbimit Civil ka për qëllim krijimin e një shërbimi civil të qëndrueshëm, profesional, të bazuar në meritë, integritet moral dhe paanësi politike. Ligji rregullon marrëdhënien juridike ndërmjet shtetit dhe nëpunësit civil dhe përcakton rregullat për administrimin e shërbimit civil. Marrëdhënia e shërbimit civil është marrëdhënie juridike e natyrës administrative. Ky ligj zbatohet për çdo nëpunës që ushtron një funksion publik në një institucion të administratës shtetërore, institucion të pavarur apo njësi të qeverisjes vendore, me përjashtim të disa kategorive të caktuar me ligj.
Departamenti i Administratës Publike, (DAP) e vendosur nën përgjegjësinë e ministrit të Brendshëm mbikëqyr zbatimin e politikave shtetërore në shërbimin civil dhe është përgjegjës për zbatimin e legjislacionit të shërbimit civil në institucionet e administratës shtetërore. Departamenti i Administratës Publike administron Regjistrin Qendror të Personelit, që është një bazë unike shtetërore të dhënash, që përfshin të dhënat profesionale dhe të dhënat e tjera për marrëdhëniet e punës të çdo të punësuari në institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore. Për këtë ai merr nga institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore çdo informacion të nevojshëm për përmbushjen e përgjegjësive të tij si dhe inspekton çdo dosje apo dokument lidhur me një vendimmarrje për marrëdhëniet e punës në shërbimin civil nga institucionet e administratës shtetërore. Çdo institucion, që punëson nëpunës civilë, si dhe çdo funksionar publik dhe nëpunës civil, që kanë kompetenca menaxheriale vendimmarrëse ose që kanë informacione në këtë fushë, janë të detyruar të bashkëpunojnë me DAP-in.
Pranimi në shërbimin civil bazohet në parimet e shanseve të barabarta, meritës, aftësive profesionale e mosdiskriminimit dhe kryhet nëpërmjet një procesi përzgjedhës transparent e të drejtë. Procesi përzgjedhës bazohet në vlerësimin e aftësive profesionale të kandidatëve nëpërmjet një konkurrimi kombëtar, që përfshin një testim të shkruar, një testim me gojë dhe çdo formë tjetër të përshtatshme të verifikimit të aftësive si dhe vlerësimin e aftësive profesionale të kandidatit.
Komisioni i Shërbimit Civil (KSHC) është institucion i pavarur, që i raporton Kuvendit dhe është përgjegjës për mbikëqyrjen e ligjshmërisë në administrimin e shërbimit civil. KSHC-ja funksionon si organ kolegjial dhe merr vendim me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të tij. Ai i raporton Kuvendit çdo vit dhe sa hërë që kërkohet prej tij..
KSHC zgjidh ankimin ndaj çdo vendimi individual apo mosveprimi lidhur me marrëdhëniet e shërbimit civil sipas këtij ligji. Për këtë qëllim ai kryen hetim të plotë administrativ sipas Kodit të Procedurave Administrative.
Pozicionet e shërbimit civil klasifikohen sipas kategorive, klasave dhe natyrës së pozicionit. Pozicionet e shërbimit civil ndahen në këto kategori:
a) të lartë drejtues.
b) të mesëm drejtues.
c) të ulët drejtues;
ç) ekzekutiv.
Secila nga kategoritë e mësipërme ndahet në klasa.
Nëpunës civilë të kategorisë së lartë drejtuese janë këto pozicione:
a) Sekretar i përgjithshëm;
b) Drejtor departamenti;
c) Drejtor drejtorie të përgjithshme;
ç) Pozicionet e barasvlefshme me tre të parat.
Nëpunës civilë të kategorisë së mesme drejtuese janë këto pozicione:
a) Drejtor drejtorie;
b) Pozicione të barasvlefshme me të.
Nëpunës civilë të kategorisë së ulët drejtuese janë këto pozicione
a) Shef sektori;
b) Pozicione të barasvlefshme me të.
Nëpunës civilë të kategorisë ekzekutive janë specialistët. Pozicionet e shërbimit civil të kategorisë ekzekutive klasifikohen sipas natyrës së pozicionit:
a) në grupin e pozicioneve të administrimit të përgjithshëm, që përfshin ato pozicione që kanë të bëjnë me përgjegjësi të përgjithshme administrative në të gjitha institucionet e shërbimit civil dhe ushtrimi i të cilave kërkon njohuri të përgjithshme administrative;
b) grupet e pozicioneve të administrimit të posaçëm, që përfshijnë ato pozicione që kanë të bëjnë me ushtrimin e përgjegjësive specifike në një apo disa institucione të shërbimit civil dhe ushtrimi i të cilave kërkon njohuri të posaçme të një profesioni të caktuar apo të ngjashëm me të.