Reforma administrative, një prioritet kritik

Nga Selami Xhepa, botuar në Panorama Online, 4 tetor 2013

Përtej politizimit dhe retorikave me doza të forta simpatish partiake, nuk asnjë mëdyshje se ndër reformat më emergjente, më të domosdoshme, më të nevojshme dhe të kërkuara sot, është reformimi i administratës publike. Qeverisjen e vërtetë të një vendi nuk e realizojnë partitë politike dhe qeveritarët me mandat të kufizuar sipas cikleve elektorale, por moria e administratorëve publikë, e nëpunësve që mbushin zyrat dhe sportelet ku ne qytetarët presim të shërbehemi, ku biznesi pret zgjidhjen e problemeve që shpeshherë jemi po ne vetë i krijojmë. Administrata mund të bëhet shtrati i stabilitetit qeverisës të një vendi, pavarësisht pasigurive politike që shpeshherë janë normale në një shoqëri demokratike, ashtu sikurse mund të jetë edhe penguesja më e fortë e reformave qeverisëse nëse ata humbasin privilegjet që ia kanë dhënë vetes. Sot ne mund të kemi spitale në të cilat janë investuar miliona dollarë, por ambientet përreth gëlojnë nga papastërtia – dhe ky është një problem menaxherial; duam të jemi qytetarë të rregullt duke paguar faturën e energjisë, faturën e ujit të pijshëm, të paguajmë taksat dhe tatimet aq sa na takojnë, por gjenden plot nëpunës zyrash, që duke abuzuar me çdo të drejtë, nuk ta japin shansin që të mbetesh qytetar i rregullt. Të vendosin gjoba marramendëse (duke ndërhyrë vetë në matës), të caktojnë vetë detyrimet sipas oreksit, të fusin gjobën në sistem dhe të presin çdo shërbim – duke vrarë qytetarinë dhe kultivuar abuzimin, duke deformuar në palcë moralin për respektimin e detyrimeve ndaj shoqërisë, të ligjit dhe të së drejtës. Gjithkush mund të zaptojë trotuarin, hapësirat publike, mund të bllokojë rrugën dhe ta dëmtojë rëndë pasurinë e komunitetit, dhe qytetarët qytetarë mund të flasin vetëm me veten duke pyetur në mënyrë retorike: A ka shtet në këtë vend? Në fakt, pyetja e drejtë do të ishte: A ka administratë publike në këtë vend? Vështirë se gjendet qytetar që nuk ka provuar shpërthime revoltuese të brendshme teksa ndeshet përditë me padrejtësinë që të shkakton mosfunksionimi i institucioneve, burokracinë që vret ndërgjegjen qytetare. Shkurt, reformimi i administratës publike është sot, në gjykimin tim, prioriteti numër një i vendit.

Por, a është real debati që po bëhet mbi këtë reformë? Përshtypja ime është se ky debat nuk po fokusohet në ato që janë shqetësimet e vërteta të qytetarëve, si të kemi një administratë funksionale dhe efektive, si të kemi nëpunës të përgjegjshëm ndaj ligjit dhe moralit. Çështja po shtrohet se a mund dhe si duhet të heqim disa militantë partiakë dhe t’i zëvendësojmë më disa të tjerë? Si të gjejmë një “kleçkë” te ligji që këtë punë ta kryejmë edhe pa rënë në sy të Europës se na kritikojnë, edhe duke krijuar një përshtypje se gjërat po i bëjmë me parime dhe me rregull. Dhe kjo histori do të vazhdojë të përsëritet sa herë do të ketë rotacion politik, siç ka ndodhur gjatë këtyre dy dekadave. Them se ka ardhur koha t’i jepet fund kësaj loje jo të ndershme politike. Që administrata duhet të pastrohet nga të paaftët, nga nëpunësit të cilët në vend të ligjit zbatojnë dëshirat e politikës dhe të partive, nga zyrtarët që në vend që t’i shërbejnë qytetarit, e shohin atë si një mundësi për të ngrohur xhepin e tyre, kjo është evidente për gjithkënd. Por, çfarë garancie ka që të rinjtë që do të rekrutohen nuk do të ndjekin të njëjtën filozofi pune?

Ndryshimi është emergjent, por jo i konceptuar si ndryshim thjesht ekipesh militante, por si ndryshim filozofie pune e shërbimi, si nevojë për të ngjallur kulturën qytetare dhe respektin ndaj rregullit dhe ligjit. Menaxhim me rezultate – kjo është mënyra si kryhet reformimi permanent i administratës. Gjithkush që dështon në kryerjen e detyrave të veta, në kohë dhe me cilësi, çdo nëpunës që nuk respekton detyrimin ligjor për të përmbushur një procedurë ligjore në afatin e duhur dhe në përputhje me rregullat e vendosura, duhet të largohet nga shërbimi në administratë. Statusi i nëpunësit civil nuk mund të jetë mburoja që të fshehë paaftësinë, mosveprimin, korrupsionin, militantizmin partiak. Statusi i nëpunësit civil është certifikata që nëpunësi përmbush detyrat e tij në përputhje me normat, ligjet dhe rregullat e vendosura. Por, janë këto të fundit që lihen pa u përcaktuar mirë dhe qartë, në mënyrë që të përfitohet dhe abuzohet me të, të lihen shtigje të hapura që “po ta ngjyesh rrotën, qerrja të ecë, përndryshe mbetet në vend”. Ky është hapi i parë i reformës administrative: rregulla të qarta dhe transparente për çdo procedurë, përshkrim i saktë i detyrave për çdo vend pune dhe mekanizëm i qartë vlerësimi, kontrolli dhe llogarie për çdo pozicion pune. E filloi z. Nano që në vitin 1997 me tezat mbi meritokracinë dhe hartimit të “kartës së qytetarit”, “kartës së investitorit” etj., por kartat mbetën pa u shkruar. E filluam dhe ne demokratët në vitin 2005, por fatkeqësisht nuk kemi arritur atë që pret publiku dhe që kërkon koha. Uroj që socialistët të mos bëjnë të njëjtin gabim sërish sepse do të ndëshkohen qytetarët në mënyrë të pamerituar. Kryeministri Rama është shprehur se ishte i gatshëm ta vërë INSTAT-in nën mbikëqyrje të huaj. Do të ishte një hap shumë shpresëdhënës nëse këtë praktikë do ta realizonte dhe do ta shtrinte domosdoshmërisht më së pari me Departamentin e Administratës Publike, duke e vënë atë në menaxhim të një simotre të një vendi europian dhe ajo të kishte kompetencat ekzekutive të kryerjes së kësaj reforme. Kështu do të ngjallte besimin te publiku se qëllimet e reformës janë serioze dhe do të fitonte simpati politike, por mbi të gjitha, do t’i kryente vendit një shërbim shumë të çmuar për ndërtimin e një shteti ligjor, funksionues dhe të drejtë me qytetarët e vet.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi