Ç’janë politikat publike?
Termi “politikë publike” është shumë i vonshëm. Ai është futur në gjuhën e shkencave politike dhe administrative evropiane në vitet ’70 si përkthim fjalë për fjalë i termit “public policy”.
Në bazë të këndvështrimit të shoqërisë dhe të raporteve të saj me politikën, politika mund të ndahet në tre degë, që sipas teminologjisë anglosaksone quhen: politics, policy dhe polity. Me politics nënkuptohen veprimtaritë e partive të ndryshme politike, ose të grupeve të ndryshme për të bërë të mundur marrjen e pushtetit politik. Me policy nënkuptohen ligjet ose aktet e tjera juridike të realizuara nga pushteti politik për të menaxhuar pasurinë publike. Me polity nënkuptohet konsensusi nga ana e trupit elektoral për pushtetin politik dhe kohezioni ndër-shoqëror i grupeve dhe shtresave të ndryshme. Tre aspektet ndërthuren dhe influencojnë në njëra tjetrën duke realizuar dinamika komplekse socio-politike.
Në qasjen anglosaksone termi policy, duket i kundërt me termin politics, në kuptimin thjesht të raporteve të partive dhe të politikanëve. Në Evropën kontinentale është e përhapur ideja se politika në kuptimin e politics dhe politika në kuptimin e policy janë dy aspekte të të njëjtit fenomen. Në qasjen anglosaksone të dy termat njohin një diferencë jo vetëm leksikore, por edhe thelbësore. Në Europë, vetëm Britania e Madhe njeh diferencën midis politics dhe policy për shkak të uniformitetit të gjuhës dhe shkëmbimit tradicional kultural me SHBA. Për të gjithë vendet e tjera europiane, termat ruajnë formën e tyre të importuar dhe diferencimi midis politics dhe policy është praktikisht në proces. Edhe në gjuhën shqipe dallimet në termat nuk vihen në dukje sepse përfshihen në të njëjtën fjalë: “politika”.
Më shumë për këtë temë:
Ndryshimet historike të politikave publike
Përkufizime të Politikave Publike