Administrata Publike – Administrimi publik

Është më se e domosdoshme që të dallohet “administrata publike” nga“administrimi publik” dhe të kuptohet domethënia e veçantë e këtyre dy shprehjeve, në dukje të parë, të njëjta ose të ngjashme.

Administrata publike” ka të bëjë me institucionet publike, me strukturat organizative që “përbëjnë bazën e marrjes dhe të zbatimit të vendimeve”, si dhe me “rregullat sipas të cilave kryhen shërbimet publike”. Ndërsa, “administrimi publik” ka një kuptim tjetër.

Administrimi publik” është, në të vërtetë, degë e shkencave politike. Në fjalorin Politik të Oxfordit shkruhet: “Administrimi publik, si degë e shkencave politike, është studimi i administratës publike nëpërmjet përshkrimit institucional, analizës dhe vlerësimit politik, si dhe i analizës së marrëdhënieve ndërqeveritare”.

Megjithatë, nocioni “administratë publike” paraqitet me vështirësi të veçantë terminologjike. Ekzistojnë dallime në përkufizimin e tij. Tradicionalisht, emërtimi “publik” shpie nga dallimi midis sferës “publike” dhe “private”, madje edhe të së “drejtës publike” dhe të së “drejtës private”, edhe pse “nuk ka arsyeshmëri”, së paku jo absolute, për një dallim të tillë.

Përkufizimi më i përgjithshëm i “administratës publike” do të mund të ishte ai që administratën publike do ta shprehte si “tërësi të punës administrative publike dhe të institucioneve të administratës publike”. Me rastin e këtij përkufizimi, mund të shtrohen edhe pyetje të tjera: ç’kuptohet me “punë administrative publike” dhe me “institucione të administratës publike”?

Punë administrative publike janë ato punë me të cilat plotësohen “interesat e përgjithshme shoqërore”, ndërsa institucionet e administratës publike janë ato institucione që “ushtrojnë punë me interes të përgjithshëm shoqëror”. Natyrisht vështirësitë paraqiten kur këto përkufizime bëhen për hapësirë të ndryshme dhe në kohë të ndryshme.

Caktimi i nocionit të administratës publike, sikurse edhe caktimi i nocionit  veprimtari administrative, bëhet në nënyrë të ndryshme dhe nga autorë vendesh të ndryshme me rregullim të ndryshëm shoqëror. Shumica e autorëve të vendeve anglosaksone, me rastin e përcaktimit të nocionit të administratës publike “nisen nga fakti” se administrata publike i kundërvihet “administratës private”, kështu që në objektin e saj nuk përfshihet “administrata e biznesit” (businnes administration). Në SHBA, dallimi ndërmjet administratës publike dhe administratës private “shprehet në karakterin e tyre”: administrata publike konsiderohet “administratë politike”, kurse administrata private konsiderohet “administratë jopolitike”. Ka autorë që dallimin ndërmjet tyre e shohin “në nuanca, e jo në esencë”.

Nocioni administratë publike është më i gjerë sesa nocioni administratë shtetërore, sepse ai përfshin në vetvehte, përveç veprimtarisë së administratës shtetërore, edhe veprimtarinë e institucioneve përkatëse, të cilat “nuk kanë karakter shprehimor të organeve shtetërore, mirëpo ushtrojnë “punë të karakterit publik”.

“Kultura e administratës” është një nënsistem specifik i kulturës, që përmbledh normat dhe parimet mbi mënyrat e drejtimit dhe qeverisjes së shoqërisë nëpërmjet sistemit politik.

Çdo krijues është vetvetiu i provokuar me mendimin: nuk mund t’i mësosh të tjerët atë që nuk e ke mësuar vetë. Krijuesi duhet t’i ketë mësuar, por duhet t’i ketë përzgjedhur metodat se si “t’i mësojë të tjerët”. Nuk ka dyshim se metodat e këqija, edhe “mësimin e mirë” e bëjnë të keq. Mësimi mund të krahasohet me “lumin që s’ndalet”.

Shumëkush e fillon studimin e administratës në përgjithësi dhe të administratës publike në veçanti “pa shumë dije për të”. Administrata publike përbën një temë të gjerë, e cila ofron shumë drejtime për studime të mëtejshme.

Më herët u theksua se “koha jonë” emërohet “koha e administratës”. Arsyetimi është shumë i thjeshtë: mendohet se çdo njeri është, më së paku, dy herë në ditë, “në kontakt me administratën”. Pra, administrata paraqet një dukuri, siç është thënë në vrojtimet hyrëse, pa të cilën “nuk mund të mendohet shoqëria e sotme”.

Shqyrtimet “janë nisur” me konstatimin se sot, pothuajse, nuk është i kënaqur askush me administratën, madje as shoqëria, “që pretendon jetën demokratike”; as qytetarët, të cilëve “u predikohet besimi në të” dhe as vetë nëpunësit në administratë, të cilët “jetojnë prej saj”.

Andaj, logjikisht shtrohet pyetja: Çfarë do të duhej “të ndërmerrte” një shoqëri që të ketë administratë të mirëfilltë?

E para, institucionalisht më të organizuar;

E dyta, operativisht më funksionale;

E treta, profesionalisht më racionale;

E katërta, procedurialisht më efikase;

E pesta, shoqërisht më të kontrolluar;

E gjashta, politikisht më përgjegjëse;

E shtata, teknikisht më të përsosur;

E teta, në pikëpamje humane më të pranuar…?

E nënta, … pyetje pa fund.

Shkaqet e thellimit të krizës në shtetet socialiste ishin të shumta, nga të cilat dominonin: e para, mosrealizimi i kuptimit historik të socializmit; e dyta, mosndryshimi i marrëdhënieve në shoqëri; e treta, mosndryshimi i strukturës institucionale të pushtetit dhe, e katërta, mos hapja e rrugës drejt rregullimit të lirë të marrëdhënieve ndërmjet njerëzve në shoqëri. Në një gjendje të tillë, shtetet socialiste, ndër to edhe Shqipëria e Kosova, e dyta në kuadër të ish-Jugosllavisë, u ballafaquan me kërkesat që në qendër të vëmendjes të jetë njeriu, liritë dhe të drejtat themelore të tij; që të zhvillohet pluralizmi politik dhe që të ndërtohet sistemi shumëpartiak, kërkesa këto që “u përmblodhën”, në fakt në një kërkesë të vetme: krijimin e një rendi të ri demokratik.

Ndërkohë, teoria bashkëkohore kultivon mendimin e themeltë se, në të vërtetë, pa një administratë moderne, të organizuar, funksionale, racionale, efikase, të kontrolluar dhe përgjegjëse, nuk mund të ketë shtet bashkëkohor, përgjithësisht shoqëri bashkëkohore, ekonomi të tregut, shtet juridik dhe as demokraci juridike, sepse, ç’është e vërteta, administrata publike “shtrihet në të gjitha fushat e jetës shoqërore”.

Administrata publike nuk gëzon “respektin e opinionit publik”. Arsyeja qëndron në faktin se ajo “e ka komprometuar dhe e ka korruptuar sistemin juridik”.

Çdo shoqëri ka normat dhe standardet e vlerave dhe të moralit. Pa respektimin e tyre, vështirë se mund të ekzistojë një shoqëri. Shoqërisë sot, përgjithësisht, i mungojnë norma dhe standarde dhe ajo duhet t’i ndërtojë ato. Kjo do të mund të ishte një prej detyrave më të rëndësishme të shoqërisë në tranzicion, në të cilin gjendet edhe shoqëria jonë.

Administrata publike “është pasqyrë” e të gjitha rrjedhave në shoqëri. Ajo nuk mund të jetë mbi shoqërinë, sepse është pjesë e pandashme e saj.

Shoqëria bashkëkohore, pra edhe administrata publike bashkëkohore, në kuadër të saj, kërkon profesionalizëm. Profesionalizmi arrihet me dije profesionale të punonjësve në administratë.

Ideal i çdo shoqërie bashkëkohore është krijimi i shtetit juridik. Pa një administratë publike moderne, të organizuar, funksionale, racionale, efikase, të kontrolluar dhe përgjegjëse “ nuk mund të ndërtohet shteti juridik”. Ky është mësimi “që duhet të mësohet’ në çdo shoqëri, në Shqipëri dhe Kosovë, veçanërisht.

Ç’thotë Fjalori politik i Oxfordit? Nevoja e konsultimit të tij është e domosdoshme dhe e vazhdueshme, veçanërisht për “dallimin” e shprehjeve “administratë publike” nga “administrimi publik”.

Administrata publike (anglisht: public administration) duhet dalluar nga administrimi publik (anglisht: public administration)

Administrata publike ka të bëjë me institucionet e burokracisë shtetërore: strukturat organizative që përbëjnë bazën e marrjes dhe të zbatimit të vendimeve; si dhe rregullat sipas të cilave kryhen shërbimet publike”.

Ndërsa Administrimi publik është, siç është mësuar deri më tani, “degë e shkencës politike që studion administratën publike nëpërmjet përshkrimit institucional, analizës dhe vlerësimit politik, si dhe analizës së marrëdhënieve ndërqeveritare”.

Çka nënkuptojmë me termin Administratë?

1)Administratë do të thotë -“formë e veprimtarisë shtetërore; sistemi organeve shtetërore që ushtrojnë pushtetin shtetëror në formën e veprimtarisë shtetërore; njësi organizative e një sektori; organ drejtues i një njësie; zyrat e një ndërmarrjeje ose të një institucioni; tërësia e nëpunësve, që veprojnë në aparatin shtetëror ose në njësi organizative shtetërore; organet që ushtrojnë pushtetin në një krahinë ose në një vend të pushtuar dhe veprimtaria e tyre”.

2) Administratë publike: strukturë organizative “që përbën bazën e marrjes dhe të zbatimit të vendimeve”; rregulla “sipas të cilave kryhen shërbimet publike”.

3) Administrim: drejtim dhe organizim i punës “sipas rregullave dhe ligjeve”; kujdesje për “një pasuri ose për një vlerë, që të përdoret mirë, sipas rregullave ose sipas nevojave”; qeverisje; mbarështrim; përdorim.

4) Administrim publik: degë e shkencave politike; studim i administratës, “nëpërmjet përshkrimit institucional dhe vlerësimit politik, si dhe i analizës së marrëdhënieve ndërqeveritare”; teori e organizimit të sektorit publik.

5) Akt administrativ; akt i organit shtetëror a një organi tjetër, i cili nxirret “sipas procedurës së caktuar”, shprehje “e vullnetit të organit”.

Nga Prof. Dr.Nusret Pllana, publikuar në Academia.com

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi