Komisioni i Pavarur i Kualifikimit
Tre janë objektet e gjykimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit:
Objekti i vlerësimit të pasurisë është deklarimi dhe kontrolli i pasurive, i ligjshmërisë së burimit të krijimit të tyre, i përmbushjes së detyrimeve financiare, përfshirë interesat privatë për subjektin e rivlerësimit dhe për personat e lidhur të tij.
Objekti i kontrollit të figurës është verifikimi i deklarimeve të subjektit të rivlerësimit dhe të dhënave të tjera, me qëllim identifikimin e atyre subjekteve që kanë kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar, sipas parimeve dhe kushteve të parashikuara në nenin DH të Aneksit të Kushtetutës.
Objekti i vlerësimit të aftësive profesionale është vlerësimi i veprimtarisë etike dhe profesionale të subjekteve të rivlerësimit në përputhje me këtë ligj dhe me legjislacionin që rregullon statusin e gjyqtarëve ose prokurorëve.
Veprimtaria e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit drejtohet nga Kryetari i tij. Kryetari i Komisionit zgjidhet me votim të fshehtë, me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve, për një periudhë 3-vjeçare pa të drejtë rizgjedhjeje.
Kryetari ka këto kompetenca:
a) përgatit, thërret e drejton mbledhjen e anëtarëve;
b) përfaqëson Komisionin ose Kolegjin e Apelimit në marrëdhënie me të tretët;
c) bashkërendon punën në institucion;
ç) nënshkruan aktet e tjera të Komisionit ose Kolegjit të Apelimit, me përjashtim të vendimeve;
d) drejton shortin.
Komisioni organizohet në 4 trupa gjykuese të përbërë nga 3 anëtarë, të cilët caktohen me short. Anëtarët zëvendësues caktohen me short.