Prokuroria

Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Prokuroria kryen edhe detyra të tjera të caktuara me ligj. Prokuroria është organizuar dhe funksionon pranë sistemit gjyqësor.

Prokuroria është organ i pavarur që garanton mbarëvajtjen, kontrollin e veprimeve të saj dhe respekton pavarësinë e brendshme të prokurorëve për hetimin dhe ndjekjen penale, sipas ligjit.

Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur, me jo më pak se 15 vjet përvojë pune, me integritet të lartë moral dhe profesional, që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës ose kanë një gradë shkencore në drejtësi. Kandidati nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.

Prokurori i Përgjithshëm ushtron këto kompetenca:

a) përfaqëson akuzën në Gjykatën e Lartë dhe çështjet në Gjykatën Kushtetuese, me përjashtim të rastit kur përfaqësimi bëhet nga Prokuroria e Posaçme;

b) nxjerr udhëzime të përgjithshme me shkrim për prokurorët, me përjashtim të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme;

c) siguron mbarëvajtjen e punës në administratën e prokurorisë, me përjashtim të administratës së Prokurorisë së Posaçme. Krijimi dhe mbarëvajtja e strukturave të teknologjisë së informacionit në prokurori rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave;

ç) propozon dhe administron buxhetin e prokurorisë, me përjashtim të buxhetit të Prokurorisë së Posaçme;

d) raporton në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit;

dh) ushtron kompetenca të tjera të përcaktuara në ligj.

Prokurorë mund të jenë shtetasit shqiptarë, që emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës dhe pas kryerjes së procesit të verifikimit paraprak të pasurisë dhe të figurës së tyre, sipas ligjit.

Prokuroria e Posaçme dhe Njësia e Posaçme Hetimore për ndjekjen penale dhe hetimin e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe çështjeve penale sipas nenit 135, paragrafi 2, të Kushtetutës janë të pavarura nga Prokurori i Përgjithshëm. Njësia e Posaçme Hetimore është në varësi të Prokurorisë së Posaçme.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi