Gjykatat e posaçme
Gjykatat e posaçme të Shkallës së Parë dhe të Apelit gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur.
Gjyqtarët e gjykatave të posaçme emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Gjyqtarët e gjykatave të posaçme shkarkohen nga detyra me dy të tretat e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Kandidatët për gjyqtarë dhe nëpunës civilë gjyqësorë në gjykatat e posaçme, si dhe familjarët e afërm të kandidatëve, para emërimit, i nënshtrohen verifikimit të pasurisë dhe të figurës, si dhe japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, sipas ligjit.