Mbi çfarë çështjesh do të vlerësohen subjektet e mësipërm?
Mbi çfarë çështjesh do të vlerësohen subjektet e mësipërm?
Procesi i vetingut bazohet në:
– vlerësimin e pasurisë
– kontrollin e figurës
– vlerësimin e aftësive profesionale
Vlerësimi i pasurisë
- Subjektet që i nënshtrohen vetingut si dhe çdo person tjetër i lidhur me te plotëson deklaratën e pasurisë dhe së bashku me të gjitha dokumentet që justifikojnë pasurinë e deklaruar e dërgon pranë ILDKPKI-së brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit të vetingut.
- ILDKPKI-ja, bazuar në deklarimet e pasurive, zhvillon një procedurë të plotë kontrolli dhe jo më vonë se 180 ditë nga dita e depozitimit të deklaratës së pasurisë dërgon një raport të hollësishëm nëse ka apo jo probleme me pasurinë e deklaruar.
Kontrolli i figurës
- Subjektet që i nënshtrohen vetingut plotësojnë një deklaratë për kontrollin e figures e cila ka si qëllim deklarimin nëse subjekti ka pasur kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar.
- Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar fillon menjëherë procedurën e kontrollit të figurës dhe verifikon nëse subjekti i rivlerësimit ka kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar ose me persona të dyshuar të krimit të organizuar. Vërtetimi i kontakteve të papërshtatshme mund të kryhet nëpërmjet fotografive, dëshmive, telefonatave, shkëmbimi i parave, favoreve, dhuratave ose pasurive, pjesëmarrja ose prania në takime me një ose disa persona të përfshirë në krimin e organizuar.
- Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar duhet të paraqesë një raport jo më vonë se 100 ditë nga data e ngritjes së grupit të punës përgjegjës për verifikimin e deklaratës për kontrollin e figurës.
Vlerësimi i aftësive profesionale
- Subjektet që i nënshtrohen vetingut plotësojnë një formular për vetëvlerësimit profesional brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit të vetingut.
- Organi që kryen vlerësimin rishikon dokumentet ligjore të përpiluara nga subjekti që i nënshtrohet procesit të vetingut dhe jo më vonë se 90 ditë nga dita e depozitimit të formularit të vetëvlerësimit profesional përgatit një raport të hollësishëm dhe të arsyetuar.
- Subjekti i vetingut mund të vlerësohet si “i aftë”, “me mangësi” ose “i papërshtatshëm”.
- Subjektet që vlerësohen “me mangësi” mund t’i rekomandohet pezullimi nga detyra dhe detyrimi për të ndjekur programin e trajnimit për një periudhe 1-vjeçare, ndërkohë që për subjektet që vlerësohet si “të papërshtatshëm” shkarkohen nga detyra.