Kushtet për një Shtet të së Drejtës
Pra, Shteti i së drejtës është shumë i lidhur me respektimin e hierarkisë së normave, ndarjen e pushteteve, barazinë e subjekteve të së drejtës para normave juridike, ekzistencën e juridiksioneve të pavarura dhe garantimin e të drejtave civile dhe politike të individëve.
Respekti i hierarkisë së normave. Hierarkia e normave është një vizion sintetik i së drejtës hartuar nga Hans Kelsen për të « çliruar të drejtën nga bazat e saj ideologjike dhe morale, për ta bërë atë veçse një teknikë rregullimi, një teknikë të pastër në shërbim të shtetit laik ». Sipas kësaj teorie, çdo rregull i së drejtës duhet të respektoj normën që është sipër saj, duke formuar kështu një rend hierarkik.
Ky rend është sa statik, pasi normat e ulëta duhet të respektojnë normat që janë sipër tyre, aq edhe dinamik, sepse një normë mund të ndryshohet sipas rregullave të caktuara përmes një norme, që është superiore ose e të njëjtit rang, por me kusht që të jetë e mëvonshme në kohë. Norma e vendosur në majë të piramidës, në shumicën e sistemeve juridike, është Kushtetuta.Këtu paraqitet skematikisht hierarkia e normave juridike:
Këtij rregullimi juridik i nënshtrohen tërësia e personave juridik. Shteti nuk është i veçantë, ai nuk mund të mos njohë parimin e barazisë : çdo normë, çdo vendim që nuk do të respektonte një parim superior do të bëhej shkak për një sanksion juridik. Shteti, që ka kompetencë për të bërë të drejtën, është i detyruar t’u nënshtrohet rregullave juridike; në këtë mënyrë funksioni i rregullimit që kryen shteti është i afirmuar dhe i legjitimuar. Një model i tillë supozon pra njohjen e një barazie të subjekteve të ndryshëm të së drejtës ndaj normave në fuqi.
Ndarja e pushteteve. Ndarja e pushteteve përbën kushtin e parë të ekzistencës së shtetit të së drejtës. Teoria e ndarjes së pushteteve, formuluar për herë të parë nga Aristoteli, e përpunuar nga Locke dhe Montesquie, synon ndarjen e funksioneve të ndryshme të Shtetit për të kufizuar arbitraritetin dhe penguar abuzimet gjatë ushtrimit të misioneve të sovranitetit.
Teoria klasike e ndarjes së pushteteve dallon tre funksione kryesore të rregjimeve të ndryshme politike: funksionin e hartimit dhe vendosjes së ligjeve, funksionin e zbatimit të tyre dhe funksionin e zgjidhjes së konflikteve të lindura gjatë zbatimit të ligjeve. Duke u nisur nga konstatimi që në rregjimin e monarkisë absolute, këto tre funksione shpesh janë përzjerë dhe mbajtur nga një person e vetëm dhe i njëjtë, teoria e ndarjes së pushteteve kërkoi që sejcili prej funksioneve të ushtrohet prej organeve të ndryshme, të pavarura njëra nga tjetra, si për mënyrën e emërimit, ashtu dhe për atë të funksionimit. Sejcili prej këtyre organeve bëhet kështu njëri prej tre pushteteve: pushteti legjislativ ushtrohet prej parlamenteve, pushteti ekzekutiv mbahet prej shefit të Shtetit dhe prej anëtarëve të qeverisë, pushteti gjyqësor i përket gjykatave. Në dallim nga paraardhësit e tij, Montesquieu fliste për arritjen e ekuilibrit të pushteteve të ndryshëm: “Që të mos abuzohet me pushtetin, duhet që, nëpërmjet vendosjes së gjërave, pushteti të ndal pushtetin”.
Teoria e ndarjes së pushteteve frymëzoi hartuesit e Kushtetutës amerikane, që në 1787 të vendosnin një regjim presidencial të organizuar sipas një ndarje strikte të tre pushteteve, e shoqëruar me ekzistencën e mjeteve të kontrollit dhe veprimit reciprok, në përputhje me doktrinën e “checks end balances”. Në mënyrë që sejcili prej pushteteve të mos abuzoj më prerogativat e tij, kushtetuta amerikane ka parashikuar një ndarje strikte të kompetencave midis organeve federale dhe Shteteve të federuara. Gjithashtu pushteti legjislativ është ndarë midis dy asambleve, presidentit ka të drejtën e vetos mbi tekstet ligjore dhe Senatit i është njohur paralelisht mundësia e kundërshtimeve të emërimeve të Presidentit dhe të traktateve ndërkombëtare të negociuara nga administrata. Në Deklaratën e të drejtave të njëriut dhe të qytetarit të 26 gushtit 1789 theksohet se ndarja e pushteteve është e domosdoshme për mbrojtjen e të drejtave naturale të njëriut: kontrolli reciprok që ushtrojnë tre pushtetet njëri kundër tjetrit ruajnë individin prej shkeljeve të të drejtave të tij themelore. Në të njëjtën kohë, ndarja e pushteteve përbën një pengesë ndaj despotizmit dhe tentativës së pushtetit personel, meqënëse asnjë person nuk mund të koncetrojë në duart e tij të gjitha atributet e e sovranit.
Megjithatë, teoria e ndarjes së pushteteve jo gjithmonë është zbatuar në mënyrë rigoroze prej rregjimeve të ndryshme demokratike. Në fakt, një ndarje shumë strikte e pushteteve të ndryshëm mund të çoj në bllokimin e institucioneve. Kjo është arësyeja pse shumë rregjime preferojnë parimin e bashkëpunimit të pushteteve të ndryshëm, se sa atë të ndarjes strikte: dallimi midis legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit mbetet, por këto pushtete të ndryshëm disponojnë mjete veprimi njëri kundrejt tjetrit.
Barazia e subjekteve të së drejtës. Barazia e subjekteve të së drejtës përbën kushtin tjetër të ekzistencës së shtetit të së drejtës. Në të vërtetë kjo do të thotë që çdo individ, çdo organizatë mund të kundërshtojë zbatimin e një norme juridike, kur nuk është në përputhje me një normë superiore. Individët dhe organizatat marrin cilësinë e personit juridik: flitet për persona fizik në rastin e parë, për persona juridik në rastin e dytë.
Shteti vetë konsiderohet si një person juridik: vendimet e tij i nënshtrohen respektimit të parimit të barazisë, njësoj si personat e tjerë juridik. Sipas këtij parimi, edhe veprimi i pushtetit publik duhet t’i nënshtrohet parimit të barazisë, që supozon në rradhë të parë respektimin e parimeve kushtetuese. Personat fizikë dhe juridikë të së drejtës private mund të kundërshtojnë vendimet e pushtetit publik në rrugë administrative dhe gjyqësore. Në këtë kuadër roli i gjyqësorit është kryesor dhe pavarësia e tij është një nevojë e domosdoshme.
Pavarësia e drejtësisë. Shteti i të drejtës supozon ekzistencën e juridiksioneve të pavarura, kompetente për të zgjidhur konfliktet midis personave të ndryshëm juridik duke zbatuar njëherësh parimin e ligjshmërisë, që rrjedh prej ekzistencës së hierarkisë së normave, dhe parimit të barazisë, që kundërshton çdo trajtim të diferencuar të personave juridikë. Një model i tillë kërkon ekzistencën e ndarjes së pushteteve dhe një drejtësi të pavarur. Në fakt, problemi qëndron në faktin se drejtësia është gjithsesi pjesë e shtetit, ndaj vetëm pavarësia e saj kundrejt pushteteve legjislative dhe ekzekutive, mund të garantojë paanshmërinë e saj në zbatimin e normave të së drejtës.
Gjithashtu gjykatat duhet të jenë në gjendje të konfrontojnë normat e ndryshme për të gjykuar barazinë e tyre, përfshirë rregullat që kanë një rend të lartë në hierarkinë e tyre. Një ligj ose një konventë ndërkombëtare që bie ndesh me kushtetutën duhet të hidhet poshtë nga gjykata dhe të konsiderohet e pavlefshme. Shteti i së drejtës nënkupton pra ekzistencën e një kontrolli të kushtetutshmërisë. Duke patur parasysh karakterin kompleks të një situate të tillë, Hans Kelsen ka propozuar ti besohet një juridiksioni unik dhe të specializuar, që ka cilësinë e Gjykatës Kushtetuese.