Një vështrim juridik mbi përdorimin e simboleve antikushtetuese në Shqipëri

Nga Fabian Zhilla, botuar në Panorama, 1 dhjetor 2021


Sjellja e deputetit Bujar Çela me përdorimin e fotos  së diktatorit në Festën e Flamurit në 28 nëntor 2021, na mundëson t’u rikthehemi diskutimeve dhe të shohim nevojën e një rishikimi serioz dhe të thelluar të legjislacionit mbi kufizimet që lidhen me propagandimin e regjimeve totalitare dhe neneve përkatëse të Kodit Penal në kontekstin e të drejtave kushtetuese, siç është ajo e lirisë së shprehjes.

KUSHTETUTA 

Në nenin 22, Kushtetuta garanton lirinë e shprehjes dhe sipas nenit 17 kjo e drejtë mund të kufizohet vetëm me “ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve”, duhet të jetë “në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë” dhe ky kufizim duhet të jetë në përputhje me jurisprudencën e GJEDNJ “..në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

Kufizimi i parashikuar në nenin 10 paragrafi 2 i Konventës nënvizon se e drejta e shprehjes ka përgjegjësi dhe mund të kufizohet kur këto kufizime dhe sanksione “bëhen me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit…”

JURISPRUDENCA E GJEDNJ 

Një ndër çështjet e fundit ku mund t’i referohemi jurisprudencës së GJEDNJ është ajo e Fratanolo v. Hungary, 2012 [https:// hudoc.echr.coe.int/eng#{%22itemid%22 :[%22001-107307%22]}]

Në rastin konkret, Fratanolo, anëtar i Partisë Popullore Hungareze, në një protestë kishte shfaqur yllin e kuq 5-cepash që ishte simbol i partive komuniste që qeverisen gjatë periudhës komuniste.

Fratanolo mbrohej se përdorimi i yllit komunist kishte si qëllim jo propagandimin, por solidarizimin me organizatat simotra ndërkombëtare. Dënimi me gjobë e dhënë nga Gjykata e Shkalles së Parë për të ishte shkelje e nenit 10, pra, e së drejtës së shprehjes.

Është interesant arsyetimi i Gjykatës së Apelit, sipas të cilit argumentonte se “János Fratanoló e përdori yllin e kuq me pesë cepa në një kontekst politik dhe si një shenjë solidariteti me anëtarët e tjerë të partisë së tij, domethënë sepse ai e identifikoi veten me simbolin, me kuptimin e tij të njohur dhe të shprehur edhe jashtë. Në këtë kontekst, bindjet konkrete politike e të pandehurit janë të parëndësishme: neni përkatës ligjor i ndalon të gjithë, pavarësisht nga bindjet e tyre, të përdorin simbole totalitare, përfshirë yllin e kuq me pesë cepa të lidhur me diktaturën komuniste. Kjo mbetet e vërtetë edhe nëse simboli në fjalë ka kuptim të dyfishtë, duke iu referuar si sistemit totalitar të përmendur më lart, ashtu edhe lëvizjes ndërkombëtare të punëtorëve…”.

Më tej, Gjykata e Apelit bën dhe një arsyetim interesant në lidhje me parimet e së drejtës penale, sipas së cilës “Tërësia e elementeve të kësaj vepre penale përkufizohet si hipoteza ligjore e të ashtuquajturit krim “jellje” (jomateriale). Kjo do të thotë se vepra penale do të kryhet thjesht duke kryer sjelljen e penalizuarr (përhapje, përdorim në publik ose ekspozim publik) dhe nuk kërkohet si kusht pasoja ose rezultat i mëtejshëm, e lëre më frika ose ankthi aktual i shkaktuar atyre që e perceptojnë”.

GJEDNJ nuk e pranoi këtë arsyetim duke pasur një qasje shume të zgjeruar ndaj interpretimit të lirisë së shprehjes kur ajo lidhet me komente të natyrës politike. GjEDNJ citon çështjen Vajnai kundër Hungarisë, 2008 …dhe se “një kufizim në shfaqjen e [yllit 5-cepash] të justifikohej, kërkohej që të ekzistonte një rrezik real dhe i pranishëm që çdo lëvizje apo parti politike të rivendoste diktaturën komuniste. Duke qenë se shteti nuk kishte treguar ekzistencën e një kërcënimi të tillë para miratimit të ndalimit në fjalë, kjo e bënte ndalimin e vendosur në kundërshtim me nenin 10 të Konventës”.

KODI PENAL 

Për t’iu kthyer legjislacionit shqiptar, i vetmi nen qe ka një parashikim mbi përdorimin e simboleve antikushtetuese është neni 225 i Kodit Penal (Shpërndarja e shkrimeve antikushtetuese). Ky nen ndalon shpërndarjen e shkrimeve dhe përdorimin e simboleve “që i përkasin një partie, organizate apo shoqate antikushtetuese”. Pra, ky nen aktivizohet vetëm nëse përdoren simbolet e një subjekti juridik që është shpallur antikushtetues me vendim gjykate. Ndërkohë që në rastin Fratanolo v Hungarisë, Gjykata vendase kishte aplikuar nenin 269/B, paragrafi 1 të Kodit Penal Hungarez, i cili është shumë më i qartë se neni 225 i Kodit Penal shqiptar. Sipas nenit 269/B të paragrafit 2 “Çdo person që (a) shpërndan, (b) përdor në publik ose (c) shfaq një svastikë, një distinktiv SS, një kryq shigjete, një simbol të draprit dhe çekiçit ose një yll të kuq me pesë cepa, ose një simbol që paraqet ndonjërin prej tyre, kryen një vepër penale – përveç nëse është kryer një krim më i rëndë – dhe dënohet me gjobë”.

Edhe pse në rastin hungarez, neni përkatës ishte shume herë më i qartë GJEDNJ e konsideroi vendimin e Gjykatës në shkelje të së drejtës se shprehjes në kuptimin e nenit 10 dhe të pamjaftueshëm për ta justifikuar atë sipas kufizimeve të paragrafit 2 të nenit 10 të Konventës. Gjithashtu, GJEDNJ “konsideron si një rrezik se një ndalim i përgjithshëm i përdorimit të atij simboli mund të kufizonte gjithashtu përdorimin e tij në kontekste, në të cilat asnjë kufizim nuk do të justifikohej. Prandaj, ajo konsideroi se ndalimi në fjalë ishte shumë i gjerë duke pasur parasysh kuptimet e shumta të yllit të kuq: ai mund të përfshinte aktivitete dhe ide që u përkisnin qartë atyre të mbrojtura nga neni 10…. Gjykata theksoi gjithashtu se edhe përhapja e mundshme e ideologjisë komuniste nuk mund të ishte arsyeja e vetme për të kufizuar shfaqjen e yllit të kuq me anë të një sanksioni penal…”.

NË PËRFUNDIM 

Është e nevojshme të ndërmerret një iniciativë serioze për të adresuar propagandimin e simboleve të regjimeve totalitare në Shqipëri, ajo duhet të mbajë në vëmendje jurisprudencën e GJEDNJ ku kufizimi apo sanksioni duhet që:

– të kalojë testin e “domosdoshmëria në një shoqëri demokratike” ku shtetet përkatëse duhet të demonstrojnë “nevojën urgjente shoqërore” të rrezikut të përdorimit të këtyre simboleve;

– përdorimi i simboleve të regjimeve totalitare në publik duhet të interpretohet shumë ngushtësisht nga gjykatat dhe jo në mënyrë të zgjeruar. Pra, p.sh., një foto mund të përdoret edhe për art, kërkime shkencore, sport dhe shfaqje të tjera publike dhe këto raste nuk mund të interpretohen si shkelje e ligjit.

Sidoqoftë, në rastin konkret, fotografia e diktatorit nuk është simbolike, kur ajo përdoret në kontekstin politik, dhe nuk ka qëllim të përgjithshëm përbashkues me organizata ndërkombëtare. Kjo foto ka lidhje ngushtësisht me kontekstin shqiptar dhe sigurisht që ka një efekt propagandues ose glorifikues të periudhës së diktaturës. Por që përdorimi i kësaj fotoje/simbol të konsiderohet në shkelje të ligjit, ndryshimet ligjore por dhe interpretimet e gjykatave nesër, duhet të nënvizojnë se përdorimi i këtij simboli ka si qëllim jo vetëm shprehjen e një mendimi politik por dhe synon ndryshimin e rendit juridik në Shqipëri.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi