Ç’është pushteti?
Për konceptin e pushtetit ekzistojnë teori të shumta, të cilat janë konvergjente apo kundërshtuese midis tyre. Ne terma juridik pushteti mund të përkufizohet si aftësia, dëshira ose autoriteti për të vepruar, që ushtrohet për qëllime personale ose kolektive. Në kuptime të tjera, pushteti konsiderohet kryesisht aftësia për të influencuar në sjelljet e grupeve të njërzve.
Në drejtësi, në dallim nga shkencat e tjera sociale, termi pushtet ka një kuptim preçiz, por në të njëjtën kohë, të ngushtë, si mundësinë që i takon një subjekti të prodhojë efekte juridike të caktuara, domethënë të krijojë, të ndryshojë ose të vuaj një raport juridik.
Jashtë kontekstit juridik, studjuesit ndahen në mënyrën se si konsiderohet pushteti. Ai është një e mirë materiale (pikpamja thelbësore) ose një raport midis individëve. Teoria e dytë është sot më e pranuara. Kjo të çon në përkufizimin e pushtetit si aftësia për të arritur bindjen. Sipas përkufizimit klasik sociologjik të Max Weber (pushteti si Forcë): “Pushteti është mundësia e një individi, që duke vepruar në caqet e një raporti social, t’i pranohet vullneti i tij edhe kundrejt një kundërshtimi”.
Në politikë pushteti publik është përcaktuar nga Raymond Aron: “Dhënia e aftësisë (të njohur legjitime) të një ose disa personave për të vendosur regulla për të gjithë, për të imponuar të gjithë të respektojnë këto rregulla ose në përfundim të marrin vendime të detyrueshme për të gjithë, në fakt ose në drejtësi”.
Nga pikpamja tekniko-organizative, pushteti mund të përkufizohet si autoriteti dhe autonomia vendimmarrëse, e ushtruar në përputhje me normat dhe rregulloret e një organi drejtues, si dhe të kompetencave dhe përgjegjësive menaxhuese.
Në jetën e përditshme, pushteti është parë në mënyrë më të përgjithshme, pothuaj duke e identifikuar me vetë jetën. Emerson, në essen e tij të famshme mbi “Potere” (në Condotta di vita) thotë që “Jeta është një kërkim i pushtetit; dhe ky është një element me të cilin bota është kaq e ngopur- nuk ka ndonjë plasaritje apo vrimë ku të mos gjëndet- sa që çdo kërkim i ndershëm është pa shpërblim.”
Një dallim tjetër i pushtetit vjen prej pushtetit të kuptuar si forcë ose fuqi dhe pushtetit të kuptuar si konsensus. Forca është aftësia për të realizuar, edhe kundrejt një kundërshtimi, vullnetin e vet. Konsensusi është zotësia për të gjetur bindje tek pjesë të caktuara të individëve, të cilët kanë një minimum vullneti për të dëgjuar, domethënë një interes për të dëgjuar. Përkufizimi i dytë është më afër pikpamjes së antropologjisë së pushtetit si autoritet. Ky dallim ishte vënë në dukje nga Machiaveli kur fliste për luanët dhe ujqërit; të parët do të përdornin vetëm forcën për të marrë pushtetin (dhe me kalimin e kohës ata dështuan), të dytët konsensusin (bindja). Weber përdor dy fjalë në gjermanisht Macht dhe Herrschaft për forcën dhe konsensusin. Heinrich Popitz e sheh tipin e parë të pushtetit si imponim nga lartë me forcë dhe frikë, i dyti që formohet nga poshtë për shkak të respektit, të njohjes së një superioriteti.
Meqënëse pushteti kërkon monopolin e forcës, atehere prej nga vjen legjitimiteti i monopolit të saj?
Hobbes vendos legjitimitetin e shtetit si një formë të kontratës midis njërzve për të evituar një luftë të përjetshme. Max Weber teorizon tre tipe të ndryshme të legjitimitetit:
– I pari është legjitimiteti tradicional, që mbështetet mbi besimin e përditshëm të karakterit të shënjtë të traditës gjithmonë të vlefshme (për shëmbull pushteti që vjen prej Zotit), si në Ancien Regime.
– I dyti është legjitimiteti karismatik, që mbështetet në dedikimin e karakterit të shënjtë ose në forcën heroike ose në vlerën e veçantë të një personi. Lideri ka një mision dhe ata që qeverisen janë të bindur se është kështu. Ky është rasti i Cezarit dhe Napoleonit, edhe rasti i Hitlerit, Mussolinit, Leninit dhe Stalinit. Ky tip i pushtetit shkon në mënyrë të paevitueshme drejt zhgënjimit në momentin kur misioni i liderit dështon ose me vdekjen e liderit. Në disa raste megjithatë pushteti karismatik mund të jetë institucionalizuar: rasti i Perandorisë romake të krijuar prej Cezarit dhe e Bashkimit Sovjetik të krijuar nga Lenini.
– Së fundi, është legjitimiteti ligjor–racional, që mbështetet mbi besimin në legjitimitetin e rregullimeve statutore (për shëmbull, kushtetutat) dhe mbi të drejtën e drejtimit të individeve të zgjedhur nga populli për të qeverisur. Kjo është një legjitimitet modern, demokratik dhe impersonal.