Dallimi midis autoritarizmit dhe totalitarizmit

Një regjim autoritar nuk është domosdoshmërisht totalitar. Një regjim totalitar nuk është domosdoshmërisht fashist. Si të dallohen këto sisteme të ndryshme politike? Çfarë e karakterizon totalitarizmin?

“Totalitarizmi është një ideologji që synon vendosjen e një regjimi politik, qëllimi i të cilit është të transformojë thellësisht jo vetëm shoqërinë, por edhe individin, duke përdorur të gjitha mjetet e mundshme për të arritur këtë qëllim”, përkufizon Marie-Anne Matard-Bonucci, historiane, specialiste e fashizmit, profesore në Universitetin e Parisit 8, anëtare e Institutit Francez të Gjeopolitikës dhe presidente e revistës së shoqatës Alarmé.

Konkretisht, si dallohet një regjim totalitar? Çfarë e bën atë të ndryshëm nga një diktaturë apo një sundim tjetër autoritar?

“Diktaturat” klasike synojnë të sigurojnë pushtetin një njeriu, një partie apo një kategorie shoqërore, specifikon Marie-Anne Matard-Bonucci. Regjimet totalitare janë pra diktatura, por projekti i të cilave është ndryshimi total i shoqërisë dhe transformimi i njeriut”. Për ta bërë këtë, regjimet zbatojnë strategji të ndryshme, duke filluar me “krijimin e një shteti të fortë, më shpesh të lidhur me një parti të vetme, thote historiania. Sistemi propagandistik është gjithashtu shumë i zhvilluar dhe krijohet një regjim terrori për të siguruar transformimet që duan të kryhen”.

Për të mobilizuar turmat dhe për ti bindur për rëndësinë e politikës së tyre, udhëheqësit totalitarë caktojnë vazhdimisht një “armik të përbashkët”. “Kjo është një nga karakteristikat e totalitarizmit: të përkufizosh veten për [një ideologji] por edhe kundër një numri të caktuar armiqsh realë ose të fantazuar. Prandaj del nevoja për të ngritur një aparat terrori”, vazhdon Marie-Anne Matard-Bonucci. Vendosja e regjimit të terrorit çon, me kalimin e kohës, në zhdukjen e kundërshtarëve që gjurmohen dhe eliminohen. Prandaj totalitarizmi cakton gjithmonë kategori të reja kundërshtarësh për të rifilluar dinamikën totalitare.

“Totalitarizmi ndërtohet rreth ritualeve masive që synojnë të bashkojnë komunitetin dhe ta lartësojnë atë rreth një ideje”, shpjegon Marie-Anne Matard-Bonucci. Është një formë e fesë politike, e cila ka një nevojë të përhershme për lëvizje “për të ruajtur entuziazmin e njerëzve dhe aderimin e tyre në projektin politik.

Nga pikëpamja ekonomike, regjimi totalitar karakterizohet nga një “ndërhyrje e madhe e shtetit”, shton Marie-Anne Matard-Bonucci. Për më tepër, politika totalitare çon gradualisht në izolimin e vendit në marrëdhëniet me pjesën tjetër të botës.

“Për shembull, Kina ishte një regjim totalitar nën drejtimin e Maos, i cili shkaktoi miliona vdekje dhe ushtroi një shtypje të tmerrshme, ilustron historiania. Por sot, Kina nuk është më totalitare. Është një diktaturë, por vendi është pjesë e globalizimit dhe nuk i ndërpret marrëdhëniet me demokracitë liberale”.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi