Shqipërisë i duhen shtetarë dhe njerëz më të mirë
Nga Bledar Kurti. botuar në Mapo, 25 janar 2019
Grupet e njerëzve që nuk kanë shpenzime janë më besnike, ato të lëndojnë më pak, dhe të lënduarit, duke qenë se janë të varfër dhe të shpërndarë, nuk mund të të bëjnë keq. Prandaj, dëmi që i duhet bërë një njeriu duhet të jetë i atillë që të mos sjellë hakmarrje. Ndërsa të mirat të jepen pak e nga pak që shija e tyre të zgjasë më shumë. Nëse je i mençur, nuk duhet t’i frikësohesh reputacionit i të qenit i keq. Nuk kemi parë të bëhen gjëra të mëdha, me përjashtim prej atyre që e kanë konsideruar veten të këqij. Për këtë arsye mos ngurro nga të paturit një reputacion i të qenit i keq sepse kjo të sjell një qortim pa urrejtje. Nëse nuk ia arrin dot të të duan dhe të të kenë frikë, atëherë është më mirë që të të kenë frikë.
Këto ishin këshillat që Niccolo Machiavelli, diplomati finok fiorentin i dha Lorenzo de’Medici, guvernatorit të Firences, me shpresën se do fitonte favoret e tij, dhe përmes librit Princi, ai vetë do kthehej në politikë, e do shijonte privilegjet e saj. Ky servilizëm i tij, solli pasoja të tmerrshme për epokat në vazhdim, pasi prodhoi drejtues makiavelistë, pra shtetarë të paskrupullt, të cilët përdorën të gjitha mjetet për të justifikuar qëllimin, zhveshën politikën nga morali, shtypën popujt në emër të idealeve të mëdha, dhe mashtruan qytetarët mbi parimin se është e këshillueshme dhe e pranueshme që në politikë premtimet nuk duhen mbajtur. Fatkeqësisht, këshillat e Machiavellit janë vargjet më të dashura në zemrat e politikanëve shqiptarë dhe shërbejnë si Bibla e zaptimit dhe ruajtjes së pushtetit të tyre.
Përmes këtij manuali 500-vjeçar, pushtetarët tanë janë bërë ekspertë të uzurpimit të pushtetit, mashtrimit ndaj shqiptarëve dhe drejtues të pamëshirshëm ndaj popullit që drejtojnë, të cilët të zhveshur nga morali kanë mbledhur rreth vetes njerëz me biografi të errëta kriminale, oligarkë e vjedhës, ushtarë të verbër e servilë, vetëm e vetëm për ta ruajtur sa më gjatë ofiqin që kanë, aq të vyer porsi një thesar.
“Nuk do ju tradhtojmë kurrë! Ne do shkruajmë historinë! Këtë vit hapim negociatat me BE-në! Nuk do falim e shesim as edhe një pëllëmbë tokë të këtij vendi! Kemi rritjen ekonomike më të lartë në rajon! Shqiptarët sot janë më të lumtur e begatë si asnjëherë më parë! Kemi rritje të numrit të punësimeve! Po kryejmë reforma për t’u patur zili nga e gjithë bota!”, -shprehen ata, ndër të tjera, pa pushim në media, rrjete sociale, konferenca për shtyp, në mitingje, në fletushka, programe, e fushata elektorale, dhe vetë Machiavelli i duartroket këta dishepuj të tij besnikë, teksa i dëgjon nga përtejvarri, në pritje për t’i komplimentuar personalisht kur edhe ata të shkojnë në vendbanimin e tij të terrtë.
Me këshillat e tij në vesh, shtetarët tanë flasin për varfërinë pa e provuar kurrë atë, janë njerëzit më të pasur të Evropës teksa drejtojnë vendin më të varfër të kontinentit, shprehen për arsimin duke qenë vetë të pashkolluar, promovojnë drejtësinë dhe shtetin e së drejtës duke qenë të paprekshëm, promovojnë shëndetësinë teksa janë vetë shkaktarë sëmundjesh duke shkaktuar stresin e papunësisë, frikën e humbjes së vendit të punës, duke lejuar importimin e produkteve të rrezikshme medicinale dhe ushqimore, ngrenë zërin për integrimin e shkelmojnë rininë që të largohet, dhe flasim plot bindje për një të ardhme të lavdishme ndërkohë që e vrasin edhe më shumë dita-ditës shpresën e shqiptarëve.
Flasin pa pushim për sisteme qeverisje, ristrukturime organizative, reforma dhe risi ekzekutive, por e vërteta është se Shqipërisë i duhen njerëz të mirë. Ky do ishte fillimi i mbarë dhe i duhur për të ardhmen e vendit. Shtetarë të mirë, të moralshëm, të përgjegjshëm, e plot integritet, të cilët mbajnë pranë vetes ajkën dhe jo bajgën e kombit, e duan dhe jo e shfrytëzojnë Shqipërinë, janë vizionarë dhe jo miopë interesash e përfitimesh, që punojnë për brezat e ardhshëm dhe jo për zgjedhjet e ardhshme.
Dhe a i mungojnë vendit njerëz të tillë? Padyshim që jo. Ata janë ndër të gjithë ne, të privuar, të shkelur, brenda dyerve të mbyllura të burgut makiavelist.
Nëse ndonjë prej shtetarëve tanë të sotëm ndien ndonjë pickim ndërgjegje për shkak të varfërisë dhe depresionit ekonomik e social në të cilin gjendet vendi, le ta nisë ndryshimin e ta shpagojë veten me një akt shumë të vogël, le të kopjojë perandorin e shquar romak Marcus Aurelius, i cili, i dashur nga njerëzit e i adhuruar prej tyre porsi perëndi, caktoi një prej skllevërve të tij, që, teksa ai ecte në rrugët e Romës nën brohoritjet dhe përuljen e romakëve, t’i pëshpëriste në vesh perandorit në çdo hap, “Je vetëm njeri. Je vetëm njeri.” Ndaj edhe ju caktoni një prej skllevërve tuaj që ju rrethojnë ngado, t’ju pëshpërisë në vesh sa herë merrni vendime në emër të shqiptarëve, “Je i korruptuar. Je i korruptuar”.
Bëjeni këtë dhe ndoshta, në pritje të ndonjë mrekullie, ju mund të bëheni njerëz më të mirë, e si rrjedhojë shtetarë më të mirë, dhe Shqipëria do mund të ndriçohet sërish nga një rreze e vogël drite. Në të kundërt largohuni, dhe lëreni diellin të ndriçojë në zemrat e shqiptarëve dhe në hapat e së ardhmes.