“Pensioni është pasuria e trashëguar e atyre që nuk e kanë këtë pasuri”
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e Reformës, 29 prill 2014
Pensioni është pasuria e trashëguar e atyre që nuk e kanë këtë pasuri”, thotë një shprehje shumë e njohur, duke nënvizuar një fakt që ka të bëjë me shtetin si garanti i sigurt dhe si rishpërndarës i drejtë i pasurisë së brezave.
Shteti nuk mund të marrë pasuri me kontribut dhe pastaj të rishpërndajë varfëri, siç e tregon në mënyrë shumë rrëqethëse grafiku i sistemit të sotëm të pensioneve në Shqipëri. Koha për ta reformuar rrënjësisht këtë sistem ka kohë që ka ardhur, por sot na takon ne që ta bëjmë këtë, siç po bëjmë reformën territoriale, për të cilën po ashtu, koha ka kohë që ka ardhur; siç po bëjmë legalizimet, për të cilat po ashtu, koha ka kohë që ka ardhur. Sigurisht, edhe një tjetër reformë të rëndësishme që do ta shpallim në vijim, të pronës, për të cilën koha ka kohë që ka ardhur. E më radhë, një paketë reformash të munguara në gjithë këto vite, me një kosto marramendëse për vendin dhe për të ardhmen e vendit. Me plagë në gjithë trupin e vendit dhe me dëme, të cilat besoj se kushdo që do të përpiqej t’i llogariste do ta kishte të vështirë të arrinte në llogari përfundimtare. Pra, të pallogaritshme.
Zgjedhja jonë është një zgjedhje e qartë, është zgjedhja e të gjithë atyre që sot janë vende të zhvilluara në Bashkimin Evropian dhe të gjithë atyre që kohë më parë, kur dolën nga kthetrat e diktaturës komuniste gjetën kohën, vendosën t’i bashkëngjiten Bashkimit Evropian. Është një zgjedhje e qartë dhe është një zgjedhje që kërkon vendime, kërkon vullnet, kërkon edhe sakrifica të caktuara. Por tek reforma e pensioneve, një gjë ka qenë dhe mbetet kryefjala për ne: sakrifica, jo për ata që boll kanë sakrifikuar dhe sot janë gati për të dalë në pension. Atyre, ne nuk kemi se çfarë sakrificash t’iu kërkojmë. Ndaj, unë e konsideroj këtë punë të bërë si një punë absolutisht të shkëlqyer, sepse vendos një ekuilibër shumë të qartë moral midis sakrificave që u kërkohen të gjithëve, kur është fjala për një reformë pensionesh dhe midis gjeneratave.
Nëse ky ishte viti i daljes në pension të atyre që janë regjistruar në sigurimet shoqërore në vitin 1949 dhe viti tjetër është viti i daljes në pension të atyre që janë regjistruar në vitin 1950, sigurisht nuk i takon kësaj gjenerate të marri përsipër koston e tmerrshme, të akumuluar në vite, nga një politikë tërësisht dritëshkurtër, që e ktheu sistemin e pensioneve në një gropë ku rrezikon të bjerë e gjithë Shqipëria, në rast se ne nuk e bëjmë këtë reformë.
Sot, në Shqipëri ka rreth 570 mijë pensionistë dhe nga ana tjetër ka 700 mijë kontribuues. Të ardhurat nga kontributet i referohen vitit 2013, janë rreth 510 milionë dollarë, ndërsa shpenzimet e këtij Instituti, për të gjithë ata që marrin përfitim nga këto kontribute, janë 956 milionë dollarë. Që do të thotë se midis kontributeve dhe pensioneve kemi një “gropë” të përvitshme. Të vitit 2013, 430 milionë dollarë. Dhe vetëm ata, të cilët pushtetin mund ta konsiderojnë si një instrument për të bërë gjithçka tjetër, por jo mirëqeverisjen dhe që e shohin fundin e pushtetit të tyre si ditën kur le të bëhet qameti, mund ta linin vendin të vinte deri këtu, deri në pikën ku sot, ne e kemi të domosdoshme një reformë që koha e kërkon me urgjencë.
Ka kohë që Banka Botërore, që institucione të tjera financiare, që të gjithë zërat e arsyeshëm, të ardhur nga të 4 anët e botës për të ndihmuar qeveritarët tanë, kanë thënë reformoni, reformoni pensionet, sepse një ditë do të gjendeni në “buzë të greminës”. Kurrë nuk janë dëgjuar, sepse ka qenë më e lehtë të gënjeheshin pensionistët me ato rritjet e pensioneve populiste, – që s’ishin asgjë tjetër, sidomos vitet e fundit, përveç se indeksim i inflacionit, – sesa të uleshin dhe të bënin këtë reformë.
Gjithsesi, pas analizës së situatës, buxheti i vitit 2014 e ka rritur me rreth 5 %, në raport me vitin e kaluar, planin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, duke siguruar praktikisht një fond prej 100 miliardë lekësh ose 100 milionë dollarësh. Sepse çdo vit ka ardhur duke u rritur ky fond, për shkak se gropa shkon duke u zgjeruar.
Por, 2014-a nuk mund të mos jetë edhe viti kur ne ta mbyllim këtë “kapak” dhe të hapim një “kapak’ tjetër, të një kapitulli tërësisht të ri, me sytë nga e ardhmja, duke bërë një reformë që do të fillojë t’i ketë efektet e menjëhershme në vitin 2015-të. Por, e përsëris, është llogaritur që të ketë një ekuilibër të plotë moral, në raport me kujt do t’ia kërkojmë sakrificat, sipas shkallëve. Sigurisht, ata që do të bëjnë sakrificën më minimale do të jenë ata që i ka ardhur radha për të dalë në pension sot.
Të gjithë dokrrat dhe dezinformimet apo keqinformimet për rritje të moshës së pensionit në mënyrë të menjëhershme nuk vlejnë. Rritja do të jetë në rastin e grave, vetëm 2 muaj në vit. Kush do dilte në 1 janar, do të dalë në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, fjala vjen.
Sigurisht, ne jemi të vetëdijshëm për peshën e madhe që gjithsesi ka kjo reformë dhe për rëndësinë jetike që ka për vendin ky projekt. Për këtë arsye, edhe pse jemi të bindur tek puna e bërë, kemi vendosur që të shtrojmë përpara të gjithë opinionit dhe përpara gjithë të interesuarve për debat, një dokument me opsione të hapura për ballafaqim këndvështrimesh dhe për t’i dhënë kohë publikut që të mësojë të vërtetën dhe të mos detyrohet të mbytet në një lugë ujë, siç ndonjëherë e detyrojnë ata që punojnë vetëm për ta dizinformuar, për qëllime tërësisht politike.
“Qëllimi i këtij diskutimi,” – siç e thotë një eseistit i njohur francez, Joseph Joubert, – “nuk është kush do të fitojë, por është të përmirësojmë ende më shumë projektin, falë ndërveprimit me të tjerët”.
Gjithsesi, unë them që ne jemi një qeveri me shumë fat. Jemi me shumë fat, sepse ne, rrethanat e kanë sjellë të punojmë me ekspertë të nivelit më të lartë botëror. Një nga këta e kemi aty, është Anita, që unë e falënderoj jashtëzakonisht shumë për kontributin që ka dhënë. Do të donte çdo vend që bënte një reformë të tillë, që të kishte zonjën Schwarz në mbështetje. Fati ishte yni, siç është fati ynë që të punojmë me një grup të madh në cilësi, ekspertësh ndërkombëtarë, të nivelit më të lartë, të Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar të Universitetit të Harvardit, emra jashtëzakonisht të njohur. Falë kontributit të të cilëve kemi arritur të bëjmë një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar, për të cilën kudo, unë dhe kolegët marrim komplimente nga homologë dhe nga partnerë. Një marrëveshje që në kushtet e sotme, sinqerisht, përbën një risi. Këtë nuk e themi ne, e thonë ata që kuptojnë më shumë se ne, nga vështirësitë për të arritur një marrëveshje të tillë. Padyshim, edhe për këtë reformë të pensioneve, ne jemi të bindur që do të marrim rezultat në raport me të ardhmen e vendit dhe do të marrim gjithë kreditë që Shqipëria meriton si një vend i reformave, si një vend që sheh më në fund, përpara, me guxim dhe pa iu trembur ballafaqimit me plagët e akumuluara nga një politike dritëshkurtër e zgjedhjeve të radhës.
Këtu dua të nënvizoj edhe faktin, nuk e them fare për kompliment, se nuk kanë munguar në të shkuarën momentet kur unë jam ndierë me fat me BB, por ndjehem me fat, sepse skuadra e BB-së, Drejtorja Rajonale Ellen Goldstein, Drejtorja këtu e Zyrës së Bankës dhe i gjithë stafi, realisht janë një përbërje që edhe në këtë rast, çdo qeveri do ta kishte dëshirë ta kishte në krahë dhe do ta kishte zili. E them me plotë gojën këtë gjë. Këtë e tregon edhe ky produkt. Ky produkt duhet vërtet të mundohesh shumë, për të gjetur arsye për ta sharë. Arsyen mund ta gjesh vetëm te mos arsyeja e qëllimeve politike. Sepse parë në mënyrë të ftohtë dhe me sytë e një ekspertizë cilësore, produkti është absolutisht i shkëlqyer.
Duke filluar nga një fakt shumë i thjeshtë, vitin e ardhshëm, 2015-të, shfaqen në horizontin e moshës së pensionit, persona që rrezikojnë të mbeten pa asnjë lloj pensioni, sepse nuk kanë kontribute të mjaftueshme. Janë 5 mijë persona. Në rast se ne do të mbyllim sytë, siç i kanë mbyllur paraardhësit tanë dhe do ta shtynim këtë reformë për më tutje, 2015-a do të fillonte me shfaqjen e kësaj kategorie të re njerëzish, që për shkak se nuk i plotësohen vitet e kontributeve, dalin pa asnjë pension.
Kjo reformë fillon këtu, fillon tek ky fakt, që Shqipëria vit pas viti do të ketë të bëjë gjithnjë e më shumë me këtë numër njerëzish, sepse vit pas viti do të zvogëlohet numri i atyre që e kanë përfituar afatin e kontributeve nga kooperativat apo nga e kaluara, tanimë e largët dhe do të rritet numri i atyre që sot janë në ndihmë ekonomike, apo janë në pagesë papunësie.
Pension social, që është një nocion i ri për Shqipërinë, por aspak një shpikej shqiptare, po një nocion që lidhet drejtpërdrejtë dhe me të qenit tonë një “Aleancë për Shqipërinë Evropiane” dhe e socialistëve dhe progresistëve shqiptarë, vjen si ilaçi i parë për këtë gangrenizim të tmerrshëm të të gjithë organizmit të sistemit të pensioneve në Shqipëri, që realisht rrezikon të kolapsojë.
Nëse do të shikonim pa ndërhyrë, deficitin që shkakton skema e sotme, është e qartë që deficiti bëhet në 10 vjet, deficiti të bëhet përfundimisht mbytës dhe vrastar. Të bëhet mbytës dhe vrastar, jo thjesht më për njerëzit në nevojë, por për gjithë ekonominë dhe për gjithë funksionimin e shtetit tonë.
Kështu që, kjo është një domosdoshmëri që ne sot e adresojmë, por që ne nuk e zgjidhim me urgjencë. Kjo është pika e dytë shumë e rëndësishme e kësaj reforme. Nuk e zgjidhim me urgjencë, sepse nuk kemi zgjedhur ato formulat tipike të një tranzicioni brutal dhe injorant, që ka krijuar kosto në vijimësi, qoftë tek ata që e jetojnë, qoftë te brezat që vijnë. Por kemi adresuar një zgjidhje, e cila shtrihet në kohë.
Skemat që sot fillojnë të diskutohen publikisht, mbi bazën e një dokumenti, i cili është sinqerisht një dokument politikash të pensioneve që shfaqen për herë të parë në Republikën e Shqipërisë, si një produkt serioz dhe si një përgjegjësi përpara vendit dhe përpara shoqërisë, përmirësojnë përftimin që ka individi kontribuues dhe shtojnë siguri për gjithë grupet e disavantazhuara. Grupet e disavantazhuara nga skema e mëparshme.
Kjo reformë balancon, ekuilibron avantazhet, duke i parë dhe përfitimet. Sot, ne kemi grupe të disavantazhuara. Kemi 5 mijë njerëz që për pak muaj mund të mbeten pa asgjë, si pensionistë që s’marrin asgjë dhe kemi 7 mijë udhëheqës që marrin mënyrë akumulative dhe kanë luksin të dalin në pension në moshën 55 vjeç.
Ne edhe këtu do të ndërhyjmë, do ta ulim këtë shumëfishim që është marramendës, sepse jemi “Aleanca për Shqipërinë Evropianë”, jemi aleanca e socialistëve dhe progresistëve, jemi një qeveri e lindur pikërisht për të pasur sensin e drejtësisë në çdo hap dhe për të kërkuar me insistim ekuilibrin moral në çdo reformë, në raport me më të dobëtit dhe sigurisht, edhe në raport me më të fortët. Si do ta ulim dhe sa do ta ulim, kjo mbetet për diskutimin e mëtejshëm. Por në mënyrë absolute, politikanët në këtë vend nuk mund t’i japin vetes luksin që të vendosin me njëri – tjetrin, për njëri – tjetrin, në privilegj të kësaj natyre, që buron nga fakti se reforma nxit kontributet.
Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që të kuptohet që ky sistem i ri që ne propozojmë, bazohet në një llogari që bëhet shumë thjeshtë dhe qoftë zonja Schwartz, qoftë ministri bënë një paraqitje sintetike të llogarisë së bërë, aq më tepër në një vend si i yni, ku duhet të merren parasysh deficite anormale të trashëguara jo vetëm te sistemi i pensioneve, por në disa zëra, borxhe të akumuluara pa asnjë përgjegjësi. Mbi të gjitha, një mungesë e trashëguar kurajoje për të adresuar problemet reale të vendit dhe për të marrë përgjegjësinë që qeveria do të ketë, për të parë një hap më tutje sesa hapi që duhet hedhur sot dhe për të mos e lënë shoqërinë që symbyllas të shkojë të bjerë në hendek, në atë filozofinë “pas meje le të bëhet qameti”. Kjo qeveri nuk e ka këtë mungesë kurajoje. Përkundrazi, është mishërimi i kësaj kurajës. Dhe skemat e reja të kësaj reforme pensionesh marrin parasysh pikërisht domosdoshmërinë që me kurajë ta trajtojmë këtë problem.
Por, kjo është shumë e rëndësishme dhe dua ta përsëris, sepse është shumë e rëndësishme dhe të dëgjohet mirë nga të gjithë e të mos spekulohet më, që, nëse për gratë, për arsyet që u thanë, do të ketë një rritje, e cila është minimale si finale, shkon në 63 dhe kur të arrijmë te 63 do të rritet 2 muaj çdo vit, që do të thotë deri në vitin 2032, për burrat vetëm në vitin 2032 do të fillojë një rritje, e cila synon të shkojë në 67. Por në 2032. Kjo do të thotë që ata që në 2032 do të dalin në pension, sot do të duhet të mendojnë.
Do të duhet të mendojnë se sot nuk mundet dot, që për ta të mendojnë ata që dalin nesër pension, që dalin në pension në vitin 2015. Është e pamundur. Ne nuk mund t’ia kërkojmë atyre që do të dalin sot në pension, që të paguajnë për ata që do të dalin në 2032. Ata që do të dalin në 2032 të fillojnë të mendojnë sot dhe të kontribuojnë më shumë.
Liria që skema i jep është një transformim rrënjësor, që na takon përsëri ne ta bëjmë, socialistëve dhe progresistëve, në këtë vend ku medemek ka qeverisur e djathta për shumë vite, por vetëm e djathtë nuk mund të quhet. Se nuk ka bërë asgjë të djathtë, në kuptimin e liberalizimit, në kuptimin e meritës, në kuptimin e vlerësimit individual të kontributeve, por ka bërë vetëm një banalitet asistencial, me pasoja të tmerrshme për vendin.
Ne do të ndërtojmë një skemë ku përfitimi varet nga kontributet. Kjo që kemi sot, që pensioni më i lartë është dyfishi i pensionit bazë dhe nuk mund të shkosh më lartë, merr fund. Rritja graduale e moshës për gratë është që të shkojmë drejt një pensioni dinjitoz për gratë. Sikundër, pensioni dinjitoz është në fund të fundit, edhe thelbi i kësaj reforme. Nuk është thjeshtë çështja e deficitit të shtetit, por e pensionit dinjitoz. Nuk mund të vazhdojë më, edhe 20 vjet, edhe 30 vjet të tjera, duke i konsideruar njerëzit që dalin në pension si qenie që thjesht duhet të mbijetojnë me një grusht lekësh dhe duhet të dridhen kur ndezin dritën, se nuk paguajnë dot energjinë. Duhet të maten kur pinë ujë, se nuk paguajnë dot faturën e ujit. Kjo nuk mund të vazhdojë më. E aq më tepër pastaj, nuk mund t’i lëmë më si kavie elektorale, që sa herë afrojnë zgjedhjet u falet një gjel për Vitin e Ri, me një fjalim nga foltorja e Kryeministrisë. Gjëra që jo në Europë, por sinqerisht, duhet të kërkosh diku tjetër në boten e shumë viteve më përpara, për t’i gjetur.
Nëse skema që kemi sot, është një skemë vetëvrasëse, por një vetëvrasje e ngadaltë, skema që vjen me këtë dokument është një skemë që praktikisht fillon edhe reduktimin e deficitit të vendit, jo thjesht të deficitit kontribute-pensione. Mos harrojmë që heqjen e tavanit të pensioneve duhet ta kishin bërë kohë përpara ata që ishin deri dje, në emër të së djathtës, në qeveri. Dhe e bëjnë ne, në emër të forcës progresiste që përfaqësojmë, të asaj që ne jemi, socialistë dhe progresistë të këtij shekulli që jemi, jo të atij shekullit tjetër që iku bashkë me socializmin demokratik.
Në fund fare, dua të nënvizoj që edhe këtu, përsëri është një reformë që mund ta bëjmë vetëm ne. Është një reformë e dejtë, është një reformë solidare dhe është një reformë si çdo reformë e vërtetë, që një qeveri e bën jo për vete, as për të marrë votat e vitit të ardhshëm apo të dy viteve më vonë, por e bën për gjeneratën tjetër dhe e bën për vendin.
Për më tepër, është një reformë që na ndihmon edhe për diçka tjetër shumë të rëndësishme, për nxjerrjen nga errësira në dritë, të pagës reale të gjithkujt. Duke hequr tavanin e pensionit, çdo individ motivohet që të deklarojë pagën reale dhe t’i kërkojë pronarit të vet, deklarimin e pagës reale për efekt të pensionit, nesër.
Duke e mbyllur këtu, falënderoj me gjithë zemër zonjën Schwartz, për kontributin e saj, dua të falënderoj edhe gjithë të tjerët, skuadrën e Bankës Botërore, që me shumë bujari na asistuan jo vetëm duke bërë detyrën e tyre, por duke na mundësuar që të krijojmë rrathë konsultimesh me ekspertë ndërkombëtarë. Padyshim, dua të falënderoj edhe drejtoren e Institutit dhe gjithë grupin e ekspertëve shqiptarë që u bënë bashkë me ekspertët e huaj, për t’i dhënë jetë këtij dokumenti, që praktikisht nuk do e teproja po të thosha, është realisht dokumenti i rilindjes së pensionistëve në Shqipëri.
Faleminderit!