Konsumi dhe humbjet e energjisë elektrike 2000-2013
Sipas Open Data Albania, 19 prill 2014
Open Data ka hulumtuar mbi ecurinë e konsumit dhe humbjet e energjisë elektrike gjatë periudhës 2000-2013. Energjia e konsumuar është sasia që kanë konsumuar konsumatorët familjarë dhe të biznesit. Në fund të vitit 2013 konsumi i energjisë arriti në 4.5 milionë MWH duke u rritur kundrejt një viti më parë me 4%. Konsumi i energjisë elektrike ka ardhur vazhdimisht në rritje duke mbetur në nivele të larta duke zënë mbi 65% të totalit të energjisë së prodhuar.
Shqipëria mbetet ende një vend shumë i varur nga konsumi i energjisë elektrike për qëllime të ndryshme. Familjet e përdorin atë thuajse për të gjitha shërbimet brenda në shtëpi ndërkohë që përdorimi i burimeve alternative të energjisë mbetet i limituar.
Por shifrat pozitive të prodhimit të energjisë dhe rritjes së konsumit nga ana tjetër nuk ka frenuar humbjet e energjisë elektrike në rrjet. Në fund të vitit 2013 niveli i humbjeve elektrike arriti sasinë më të madhe të 13 viteve të fundit, duke shënuar 3.3 milionë MWh. Kundrejt një viti më parë humbjet janë rritur 1.7%.
Humbjet e energjisë në rrjet është energjia e pafaturuar që konsumohet nga konsumatorët familjarë apo biznesi, e cila gjenerohet nga sistemi vendas i energjisë, për të cilën nuk arkëtohet asnjë e ardhur. Pjesa më e madhe e saj përvetësohet, ndërkohë që një pjesë tjetër humbet gjatë transmetimit dhe shpërndarjes për shkak të infrastrukturës së amortizuar të rrjetit.
Raporti humbje me konsum është rritur ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit duke shënuar 72.6% në fund të vitit 2013. Ky tregues konfirmon rritjen e shpejtë të vjedhjes së energjisë gjatë 2012-2013 duke shënuar edhe nivelin më të lartë që prej vitit 2000.