Norma e Sigurimeve Shëndetsore dhe Shoqërore në Shqipëri dhe Rajon
Sipas Open Data Albania, 15 prill 2014
Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore janë pagesa të detyrueshme, për të gjithë personat ekonomikisht aktivë, ku përfshihen edhe të vetëpunësuarit.
Duke paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhet e mundur të përfitohet nga Ligji i sigurimeve shoqërore (Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993) dhe nga Ligji i sigurimeve shëndetësore (Ligji nr. 7870, datë 13.10.1994). Kontributet mblidhen nga organet tatimore për llogari të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe të Instituti të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.
Paga minimale mujore për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore nga data 01.08.2013, është 19 026 lekë dhe paga maksimale mujore është 95 130 lekë (VKM nr. 581, datë 17.07.2013).
Por në marrëdhëniet e punësimit, punëdhënësi është i detyruar të zbatojë pagën bazë minimale mujore në shkallë vendi, e cila nga data 01.07.2013 është 22 000 lekë (VKM nr. 573, datë 03.07.2013). Që nga 1 janar 2014 kontributet shëndetësore llogariten mbi pagën bruto dhe jo mbi pagat minimale/maksimale siç llogariteshin më parë.
Kontributi për Sigurime Shëndetsore në Shqipëri është 3.4%, ndërsa Kontributi për Sigurime Shoqërore është 24.5%. Punëdhënësi paguan 16.7% të kontributeve, ndërsa punëmarrësi paguan 11.2% të kontributeve. Krahasuar me vendet e rajonit, normën më të lartë të kontributeve për sigurimet shoqërore e ka Serbia, e ndjekur nga Bosnje-Hercegovina dhe vendi ynë. Nivelin më të ulët e mban Kosova me vetëm 10%.
Norma e kontributeve të sigurimeve shëndetësore rëndit të parën Bosnje-Hercegovinën, e ndjekur nga Serbia dhe Mali Zi. Shqipëria rënditet e fundit, pasi Kosova nuk ka ende një skemë të sigurimeve shëndetësore.
Duke parë totalin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore shohim se Bosnje-Hercegovina dhe Serbia kanë normat më të larta, deri në 41.5%, ndërsa vendi ynë rënditet i fundit pas Maqedonisë dhe Kosovës.