Pagat Minimale në Shqipëri, Rajon dhe Europë
Sipas Open Data Albania
Paga minimale është paga më e ulët që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo punëdhënës, vendas ose i huaj. Paga minimale përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave me propozimin e Ministrit të Punës. Paga minimale mujore në shkallë vendi aktualisht është 22 000 lekë. Kjo pagë jepet për 174 orë pune në muaj të kryera gjatë kohës normale të punës. (Vendim Nr. 573, datë 3.7.2013)
Krahasuar me vendet e rajonit, vendi ynë renditet i fundit pas Kosovës. Shteti më i ri i Ballkanit aplikon një pagë të veçantë minimale, sipas moshës së të punësuarit. Nën moshën 35 vjeç, paga minimale është 130 Euro/Muaj, ndërsa për moshën 35-65 vjeç paga minimale është 170/Muaj Euro. Dallim tjetër bën Maqedonia, ku paga minimale në këtë vend vendoset sipas sektorit të punësimit, ku paga minimale më e ulët është 178 Euro/Muaj.
Vendet e Europës aplikojnë paga minimale më të larta krahasuar me rajonin e Ballkanit dhe vendit tonë. Krahasuar me këto vende, sërish Shqipëria rënditet ndër të fundit. Pagën më të lartë minimale e aplikon Luksemburgu, e cila arrin 1921 Euro/Muaj. Më pas renditet Belgjika, Irlanda, Franca, Britani e Madhe.
Gjermania aplikon pagë minimale në bazë të sektorëve, dhe tarifa më e ulët arrin 7 Euro/Ora për 48 orë pune në javë. Ndër vendet me pagë minimale më të ulët, e cila nuk i kalon 200 Euro/Muaj renditen Bullgaria, Serbia, Mali Zi, Rumania. Ndërsa Italia, Danimarka, Austria, Finlanda, Suedia, Zvicra dhe Norvegjia nuk aplikojnë pagë minimale zyrtare.