Ndihma sociale, si mund të bëhet funksionale kjo skemë

Nga Kosta Barjaba, botuar në Dita, 11 prill 2014

Veç një reforme të thellë në pensione, a është e nevojshme rishikimi i skemës që mirëqenies? Si ka funksionuar ndihma sociale në këto 20 vite? Cilat janë mënyrat për ta bërë funksionale skemën? Tre opsionet për ndryshimin rrënjësor të saj 

  • Një sistem atipik i  mirëqënies sociale

Gjatë njëzetë viteve të fundit, Shqipëria ka ndërtuar një sistem atipik të  mirëqënies sociale. Pika më e dobët e këtij sistemi mbetet ajo që duhej të ishte  “Thembra e Akilit” e tij: anomalitë në tregun e punës dhe në bilancin e forcave të punës.  Dhe aspekti më vulnerabël i tregut të punës është se shumica e forcës së punës gjendet aktualisht jashtë tregut. Rrjedhimisht jashtë sistemit të mirëqënies.

  • 2.      Prirja drejt politikave rishpërndarëse

Të ndodhura para këtyre situatave dhe të stepura, për arsye politike dhe elektorale, qeveritë kanë pranuar rrugën më të lehtë: mosndryshimin e këtyre ekuilibrave atipikë. Ato i janë shmangur sfidës së vështirë: mobilizimit dhe shtimit të burimeve kontributive që furnizojnë sistemin e mirëqënies. Mungesa  e burimeve kontributive është kompensuar me burime buxhetore, duke krijuar në Shqipëri politika rishpërndarëse të një lloji të veçantë. Veçoria qëndron në faktin se politikat tona rishpërndarëse nuk janë frymëzuar nga platforma politike dhe ideologjike, por nga detyrimi që kanë ndier qeveritë për të rishpërndarë burimet e financimit, që krijohen prej grumbullimit të të ardhurave, edhe këto të kufizuara. Është kjo arsyeja që politikat rishpërndarëse  kanë “lulëzuar” edhe gjatë qeverisjeve të djathta, sidomos gjatë ushtrimit të dytë qeverisës të së djathtës, 2005-2013. Rishpërndarja është masivizuar për motive të pastra elektorale, të cilat u kanë paraprirë populizmit të qeverive në prag të fushatave zgjedhore. Të relaksuara prej qetësimit të elektoratit, qeveritë nuk kanë arritur të dallojnë pas zgjedhësve qytetarët. Pra, nuk kanë arritur të ndërtojnë një sistem mirëqënieje që të shkojë përtej politikave konjukturale dhe tu shërbejë qytetarëve në një perspektivë afatgjatë. Në këtë konteskt, kuptohet sa e vështirë do të jetë për qeverinë aktuale të ndërtojë një sistem mirëqënieje, i cili duhet të mohojë mbrapshtitë e sistemit të vjetër dhe të dalë prej kurtheve të tij.

  • Nevoja e rishikimit të prioriteteve buxhetore të sistemit

Retorikat elektorale dhe qeverisëse për mirëqënien nuk është vështirë të fashiten nëse analizojmë prioritetet buxhetore. Nëse fokusohemi në financimet buxhetore për disa prej kolonave të mirëqenies, shohim që prioritetet e sistemit janë të përmbysura. Në analizën që pason kam përzgjedhur katër prej kolonave të sistemit të mirëqënies dhe financimet buxhetore për to: pensionet (në të gjitha format e financimit), programet e nxitjes së punësimit, ndihmën ekonomike dhe pagesat për personat me paaftësi (PAK). Nuk kam përfshirë financimin e sistemit të arsimit dhe formimit profesional, për shkak të ndryshimeve strukturore në këtë sistem, si edhe pagesën e papunësisë.

Në  figurën 1 paraqiten prioritetet aktuale buxhetore të sistemit, duke krahasur zërat përkatës të buxhetit (me përfaërsi).

Në  figurën 2 paraqiten prioritetet buxhetore të sistemit, siç duhej të ishin në një sistem mirëqënieje normal, të mbështetura në financime buxhetore, të furnizuara nga burime kontributive.

 

Siç shihet, nevoja për ndërhyrje radikale është në dy zona të sistemit: punësimin dhe pensionet. Por duhet thënë se këto janë kolonat kryesore të sistemit. Nëse vazhdojnë të rrënohen këto kolona, sistemi mund të bjerë. Nëse fuqizohen ato, të gjitha problemet e tjera të sistemit janë të zgjidhshme.

  • Pensionet

Skema e pensioneve, thith pjesën e luanit të financimit buxhetor. Tashmë është një fakt i njohur publikisht që rreth gjysma e fondit të pensioneve mbahet me financime dhe subvencione buxhetore, të natyrave të ndryshme. Ndërkohë, për shkak të vështirësive kronike në grumbullimin e kontributeve, skema vazhdon të jetë vetë e rënduar dhe një peshë e rëndë edhe për buxhetin e shtetit.  Normalizimi i sitemit të mirëqënies kërkon pakësimin e financimeve buxhetore dhe shtimin e burimeve kontributive të skemës. Ato duhet të mbulojnë, të paktën 75 për qind të fondit të pensioneve.

  • Ndihma ekonomike

Ndihma ekonomike vazhdon të mbetet një program pasiv që thith fonde të konsiderueshme buxhetore. Ndërkohë, në mjaft vende, programe të ngjashme po zëvëndësohen me programe aktive, sidomos në zonat rurale: subvencione me paketa të vogla për të punuar tokën ose dhurime, sipas modelit amerikan dhe francez, të gjedhëve ose bagëtive të imta. Për shembull, paratë që përdoren për Programin e  NE në fshat (15-20 milion USD në vit), mund përdoren për subvencionimin e dhurimit të 1 lope ose 10-15 bagëti të imta për rreth 17 mijë familje në vit. Pas tre vjetësh, rreth 50 mijë familjet fshatare mund të dalin nga ky program përfundimisht dhe të sigurojnë vetë burimet e tyre të jetesës. Përpjekjet për të shmangur abuzimet dhe korruptimin e skemës së NE-së, nëpërmjet gjurmimit të varfanjakëve, nuk mund të japin produktin e kërkuar, nëse nuk shoqërohen me programe zëvëndësuese të skemës. Programi i NE-së duhet ta shpallë që në emërtim karakterin e saj tranzitor, si një ndihmë e përkohshme. Ndërkohë, si një masë plotësuese mund të shërbejë edhe heqja e monopolit (të pashpallur) të çmimeve të grumbullimit të bimëve mjekësore. Nëse realizohet kjo, disa dhjetra miliona dollarë të ardhura do të hyjnë në dhjetra-mijra familjet e varfëra fshatare.

  • Nxitja e punësimit

Nxitja e punësimit nëpërmjet programeve publike merr pjesën më të vogël të burimeve buxhetore. Në rastin më të mirë, shkon 3 milion USD në vit. Rishikimi rrënjësor i politikave të mirëqënies kërkon ngritjen e punësimit në krye të prioriteteve. Kjo duhet të shoqërohet edhe me alokimet buxhetore. Është e qartë që vendet  e punës nuk mund të hapen vetëm me financime publike. Por në kushtet e stanjacionit në hapjen e vendeve të punës, shumëfishimi i financimeve publike, është jo vetëm emergjent, por edhe  një sinjal që i jepet sipërmarrjeve private. Nga ana tjetër, restaurimi i infrastrukturës në qytete, riparimi i dëmtimeve të mjedisit, restaurimi i shkollave dhe qendrave shëndetësore etj., ofrojnë disa mundësi për zbatimin në masë të punëve publike komunitare, të cilat, duke pasur kosto të ulët, mund të tërheqin në treg grupe të mëdha nga rezervuari i të papunëve.

  • Pagesat për PAK

Mbështetja për PAK ka aktualisht një karakter kryesisht shëndetësor dhe mbështetet në kriteret mjekësore dhe jo ato sociale. Në këto kushte është emergjent kalimi në modelin social-mjekësor, klasifikimin e funksioneve të Aftësisë së Kufizuar dhe shëndetit mbi bazen e Manualit Ndërkombëtar Evropian. Politikat dhe programet e mbështetjes së personave me paaftësi duhet të bëjnë dallimin e personave me aftësi të kufizuara nga personat e paaftë për punë. Kjo do të shpier drejt riintegrimit profesional dhe punësimit të personave me aftësi të kufizuar në sektorë dhe profesione specifike, sipas përvojave evropiane dhe modeleve që ofrojnë vetë shoqatat përfaqësuese të personave me paaftësi. (Kam parasysh projektin për llotarinë Dritë dhe Integrim, formuluar nga Shoqata e të Verbërve). Pas këtyre ndryshimeve, burimet buxhetore në formën e pagesave mund të kufizohen kryesisht për personat e paaftë për punë, pasi një pjesë e konsiderueshme e personave me paaftësi duhet dhe  mund të rikthehen në treg.

  • Tre skenarë për fuqizimin e sistemit

Nuk ka alternativë tjetër: sistemi i mirëqenies mund të fuqizohet e shëndoshet vetëm nëpërmjet hapjes së vendeve të punës. Pra, fokusi duhet të jetë në shtimin e sponsorëve të sistemit, jo thjesht në pakësimin e përfituesve, siç ka ndodhur deri tani. Presioni i përfituesve të sistemit dhe risqet elektorale të tij, i kanë detyruar qeveritë të merren vetëm me ta. Fokusimi më shumë te përfituesit dhe jo kontribuesit e ka deformuar sistemin dhe po shndërrohet në një kurth, jo vetëm të mirëqënies, por edhe të zhvillimit. Nuk mund të ngushtohet pabarazia sociale, pa vendosur drejtësinë sociale. Përvoja e Blair dhe e socialistëve europianë na mëson se nuk mund të ketë të drejta në sistemin e mirëqënies, pa rithemeluar detyrimet ndaj këtij sistemi. Prandaj, rishikimi i prioriteteve buxhetore duhet të pasojë medoemos prioritetet e korrigjuara të politikave të mirëqënies. Pa ndryshuar sasinë e parave të alokuara nga buxheti i shtetit për mbrojtjen shoqërore, ato mund të riprogramohen. Por edhe duhet të mbështeten nga rritja e të ardhurave. Prandaj mendoj se janë të domosdoshme masat e mëposhtme: I) Rritja e të ardhurave kontributive duhet të ndihmojë në përgjysmimin e mbështetjes buxhetore për skemën e pensioneve; II) Qeveria mund të kushtëzojë shlyrjen e borxheve ndaj sipërmarrjes, me përdorimin e një pjese të konsiderueshme të borxheve të shlyera për hapjen e vendeve të punës. Nëse nuk bëhet kjo, ka të ngjarë që një pjesë e detyrimeve të shlyera të përfundojnë në banka  dhe që andej në bankat mëmë, pra jashtë shtetit. III) Qeveria mund të falë borxhet që biznesi i ka qeverisë, por me kusht që brenda një afati 2-3 vjeçar, këto detyrime të përdoren, në mënyrë të verifikueshme, për hapjen e vendeve të reja të punës.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi