Presidenti i Republikës: Strategjia e Sigurisë Kombëtare dhe Reforma e Mbrojtjes

Fjala e Presidentit te Republikes, 11 mars 2014

Në fjalën e mbajtur në mbyllje të kësaj mbledhjeje, Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani vlerësoi se:

“Për sa i përket “Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë:

Fillimisht, përgëzoj të gjitha strukturat dhe personelin e angazhuar për punën e bërë në përgatitjen e këtij dokumentin e Sigurisë së Republikës së Shqipërisë! Falënderoj zotin Bushati për panoramën e qartë që paraqiti në këtë takim!

Pa asnjë mëdyshje, dokumenti i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare (SSK) është dokumenti themelor strategjik në fushën e sigurisë kombëtare të RSH-së. Në këtë kontekst, më lejoni të shpreh disa konsiderata të miat për këtë dokument, i cili ndryshe nga dokumentet paraardhës, do të formatizojë ‘de jure’ modelin e sigurisë sonë kombëtarë në kuadrin e sigurisë kolektive të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Gjykoj që SSK 2014 duhet të iniciojë dhe adresojë reforma të gjithë-pranuara në institucionet e Sektorit të Sigurisë së vendit tonë, në përputhje me stadin e ri të vendit Aleat, stadit të kandidatit potencial në BE, dhe mjedisin e ri të sigurisë kombëtare, rajonale dhe globale.  Kjo do të thotë që SSK 2014 të jetë një strategji përtej qeverisë me një përfshirje sa më të gjerë politike për të qenë një dokument i gjithë-pranuar për tu zbatuar me sukses në planin afatgjatë. Fatmirësisht, gjatë 22 viteve të fundit vërejmë shumë qëndrime konverguese të klasës politike shqiptare për çështje themelore të sigurisë kombëtare, të cilat mendoj se duhet të reflektohen me cilësi më të lartë në këtë dokument të ri.

Vlerësoj se, SSK 2014 duhet të reflektojë shqetësimet e gjithë shoqërisë shqiptare dhe grupeve të interesit për sigurinë kombëtare, duke pasur një përfshirje sa më të gjerë me përfaqësues nga shoqëria civile, grupe të interesit, komuniteti i biznesit, organizata jo-qeveritare e institute ‘think tank’ apo akademike, etj, si dhe përfaqësues të interesave mbarë-shqiptare.

Konsideroj që, sipas praktikave moderne, në formulimin e kësaj SSK 2014 mund të përfshihen edhe partnerë strategjikë të vendit tonë. Për këtë qëllim, në disa faza të procesit mund të përfshihen në procesin e formulimit të SSK edhe përfaqësues nga partnerët strategjikë të vendit tonë, si nga struktura të specializuara të NATO, BE, SHBA, Kosova e ndonjë vendi tjetër. Po ashtu mund të merret mendimi i organizmave të specializuara në këtë fushë si Qendra “Marshall”, Kolegji i NATO-s në Romë, apo Instituti i Studimeve Strategjike të BE-së, etj.

Një çështje tjetër shumë e rëndësishme është ndërtimi i një platformë komunikimi dhe angazhim aktiv sa më efektiv me publikun gjatë gjithë procesit të formulimit të SSK 2014.  Këtij qëllimi mund t’i shërbejë hapja e një website për shkëmbime aktive online të gjithë ekspertëve dhe qytetarëve sipas eksperiencës më të mirë të Konceptit Strategjik të NATO-s dhe vendeve anëtare të saj. Ky website mund të hapet në faqen e Ministrisë së Jashtme, si drejtuese e procesit. Po ashtu, sipas fazave dhe çështjeve themelore të dokumentit, mund të ftohet media e shkruar dhe vizive për një debat të hapur publik, e cila do të ndihmojë në prodhimin e një dokumenti të shëndetshëm.

Gjithashtu, SSK 2014 duhet të prodhojë reforma që synojnë një siguri të matshme dhe të prekshme për qytetarët dhe shtetin shqiptar. Për këtë qëllim, SSK-2014 duhet të shoqërohet me një Plan Veprimi me masa për të gjitha institucionet e shtetit, afatet e zbatimit të tyre, si dhe resurset përkatëse. Kjo metodologji do të ofrojë një siguri më të matshme për objektivat që ajo synon, si dhe do të prodhojë një siguri më të prekshme për qytetarët dhe shtetin shqiptar.

Përsa i përket “Reformës së Mbrojtjes”:

Fillimisht, përgëzoj stafin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm për përkushtimin e dedikuar në programin e reformës se mbrojtjes, si dhe falënderoj zonjën Kodheli për informacionin e plotë që na ofroi për këtë çështje.

Vlerësoj veçanërisht që, Programi i Qeverisë 2013-2017 dhe Direktiva e Mbrojtjes 2014 konfirmojnë vullnetin për të adresuar gjetjet dhe rekomandimet e dokumentit të Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes (RSM-2013) si referencë bazë e vijimësisë së reformave të mbrojtjes. Po ashtu, konstatoj me kënaqësi që ka vetëdije dhe vullnet nga të gjithë aktorët kryesorë në fushën e sigurisë për përshpejtimin, përgatitjen, konsultimin dhe miratimin e kuadrit ligjor dhe të dokumenteve strategjikë të vendit.

Në këtë atmosferë të favorshme, më lejoni që si President, Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, dhe si Komandant Përgjithshëm i FASH të ndaj me ju disa vlerësime, që në gjykimin tim kanë impakt të konsiderueshëm në procesin e reformave të mbrojtjes së vendit tonë, si vend Aleat i NATO-s:

Së pari, vlerësoj që reformat e mbrojtjes duhet të paraprihen dhe mbështeten me ndryshimet përkatëse ligjore. Pavarësisht dëshirës së mirë që mund të kemi, reformat e mbrojtjes duhet të bazohen në ligj; pra reformat duhet të fillojnë pas ndryshimeve ligjore dhe jo e kundërta. Ndryshimet ligjore duhet të reflektojnë me kujdes çështje themelore të konceptit të ri të mbrojtjes së vendit në kuadrin e mbrojtjes kolektive, në ligjet në fuqi si Ligji mbi Autoritetet e Komandim Kontrollit Strategjik, Ligji mbi Strategjinë Ushtarake, Ligji për Statusin e Ushtarakut, Ligji për Gradat dhe Karrierën, Ligji për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes, etj.

Së dyti, mendoj se duhet të arrihet një mbështetje më e gjerë politike dhe publike për reformat e mbrojtjes. Është shumë rëndësishme që këto ndryshime ligjore të kenë mbështetjen e spektrit politik, në mënyrë që reformat të zbatohen me sukses në planin afatgjatë. Po ashtu, edhe diskutimi dhe mbështetja publike duhet të shikohet si një element i rëndësishëm. Rëndësi e veçantë t’i kushtohet gjithashtu përfshirjes dhe marrjes së mendimit të personelit drejtues të FASH, si dhe angazhimit të qëndrave të specializuara akademike dhe kërkimore për çështje të mbrojtjes, etj.

Së treti, vlerësoj se krahas përpjekjeve për formulimin e Strategjisë së Sigurisë së RSH-së, duhet të përgatiten edhe dy dokumentet strategjikë të reformës së mbrojtjes: Strategjia Ushtarake dhe Plani Afatgjatë i Zhvillimit (PAZH).  Këto dokumente mund të zhvillohen sipas nivelit të hierarkisë së tyre nga lart poshtë (pra në fillim SSK, pastaj SU, pastaj PAZH), ose me grupe pune paralele duke shkëmbyer informacion në kohë reale.

Së katërti, në gjykimin tim vëmendje kryesore duhet t’i kushtohet zhvillimit të kapaciteteve prioritare për përmbushjen e misionit të FASH. Jam në një mëndje me Ministren Kodheli, që në kushtet e resurseve të kufizuara financiare, prioritet kryesor t’i kushtohet si ngritjes së kapaciteteve të çertifikuara/të matshme që rrjedhin nga anëtarësimi në Aleancë (Paketës së Objektivave të Kapaciteteve me NATO-n), por edhe kapaciteteve për mbështetjen e popullit shqiptar në emergjencat civile dhe misione të tjera specifike.

Së pesti, edhe unë mendoj se duhet të rishikohet struktura e Forcave të Armatosura bazuar në konceptin e ri të mbrojtjes strategjike të vendit të bazuar në Rishikimin Strategjik të Mbrojtjes RSM-2013. Vlerësoj punën e bëre nga Ministria e Mbrojtjes dhe inkurajoj që të krijojmë së bashku një kulturë të re të bashkëpunimit intensiv në procesin e vendimmarrjeve strategjike në fushën e mbrojtjes. Nga ana tjetër, gjykoj që struktura e re e FASH të mos konsiderohet vetëm si një shkurtim numrash për të kaluar në 8500 vetë në vitin 2015, por në radhë të parë ajo duhet të adresojë organizimin më të përshtatshëm të kapaciteteve operacionale të nevojshme për përmbushjen më cilësore të misionit të FASH.  Ndryshimet sasiore duhet të shoqërohen me cilësi operacionale nëpërmjet zhvillimit me krijimtari të koncepteve të reja për një “smart defence” rajonal, zbatimit me efektivitet të konceptit të veprimit në formatin “joint’, “ndërministerial” dhe “ndër-aleat”, përmirësimit të komandim kontrollit strategjik dhe operacional, dhe aty ku është e mundur, futjes së konceptit të forcës modulare, të organizimit të forcës për detyrën “task force”, të zhvillimit të kapaciteteve të specializuara “niche”, të konsiderimit të sistemit “roster” të përdorimit të personelit aktiv që del në rezervë, etj.

Së gjashti, vlerësoj se modernizimit të forcës duhet t’i jepet një vëmendje e veçantë në strukturën e re të FASH. Kompensimi i sasisë me cilësi duhet të jetë një nga parimet e strukturës së re të FASH. Modernizimi i FASH me armatime, teknikë, dhe pajisje e sisteme moderne mendoj se duhet të zhvillohet në përputhje me objektivat e planit afatgjatë, duke synuar plotësimin e kapaciteteve operacionale për pjesëmarrje në misionet brenda dhe jashtë vendit.

Së shtati, jam dakord që sistemi i Arsimimit, Trajnimit, Stërvitjes dhe Vlerësimit të FASH kërkon një reformim të kujdesshëm. Bie dakord që ky sistem duhet përshtatet me spektrin e ri të misionit të FASH, si vend anëtar i NATO-s. Krahas misioneve tradicionale, ky sistem duhet të ketë një fokus të ri mbi arsimimin dhe stërvitjen e personelit dhe njësive të FASH për misionet e reja të luftës asimetrike, për ekipet e trajnimit dhe këshillimit të misionit “Resolute Support” pas vitit 2014 në Afganistan, si dhe për misione të tjera ku Shqipëria mund të kontribuojë për paqen dhe sigurinë globale.

Së teti, mendoj se reformave të mbrojtjes në planin afatmesëm duhet tu alokohet një mbështetje financiare e pranueshme. Kjo sepse pa këtë mbështetje, mund të rezultojë kritike zhvillimi i kapaciteteve ushtarake për përmbushjen e misionit të FASH.  Jam vënë në dijeni, se mbështetja financiare e FASH pas anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë, ka pësuar një rënie në kuadrin e vështirësive financiare. Por, mendoj se për kryerjen e reformave të mbrojtjes, si ato të motivimit të personelit, të operacionalitetit, të stërvitjes, të mbështetjes, të modernizimit, të kontributeve ndërkombëtare, kërkohet që kjo mbështetje financiare të rritet në mënyrë graduale, përndryshe vihen në rrezik arritja e objektivave të RSM-2013.

Dhe së fundi, por jo për nga rëndësia, nënvizoj menaxhimin me kujdes maksimal të çështjeve sociale të reformës se mbrojtjes. Zbatimi i ligjeve në fuqi për personelin ushtarak dhe civil që del në reformë është një element social që duhet të shoqërojë reformën e mbrojtjes. Ministrja e Mbrojtjes informoi për masat e marra që reformat të kenë sa më pak efekte sociale. Jam i bindur se jemi në një mendje, që me gjithë përpjekjet e deritanishme, mbetet shumë për të përmirësuar gjendjen e motivimit të personelit në FASH, duke e krahasuar me strukturat analoge të vendeve të rajonit apo me struktura të ngjashme brenda vendit. Rasti i trajtimit të punonjësve të policisë së shtetit mund të shërbejë si shembull për të vlerësuar mundësitë e trajtimit edhe të personelit të Forcave të Armatosura në kuadrin e reformës së mbrojtjes.

Në shtesë, të dy çështjeve që u diskutuan në këtë takim, dëshiroj të informoj këtë audiencë, që bazuar në praktikën e deritanishme të funksionimit (në fakt mos-funksionimi si duhet) të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kam planizuar dhe do të ndërmarr një proces vlerësimi dhe konsultimi me të gjithë aktorët e sigurisë kombëtare. Eksperienca ka treguar, dhe shpresoj të jemi të gjithë dakord që terminologjia dhe korniza e ligjit për Pushtetet dhe Autoritetet e Komandimit e të Drejtimit Strategjik të FA, nuk është relevant me kohën dhe nevojën që ka Kryetari i Shtetit për t’u këshilluar për vendimmarrjet për çështjet sigurisë strategjike, të cilat sigurisht nuk janë vetëm çështje ushtarake. Qëllimi është që të zgjerohet spektri, aktorët, dhe në mënyrë te veçantë të rritet efektshmëria e këtij forumi. Ju siguroj se, edhe në këtë proces askush nuk do jetë i përjashtuar. Përkundrazi, siç e përmenda, në vijimësi do të konsultohem me Parlamentin, partitë parlamentare, modelet e vendeve të NATO-s, si dhe aktorë të shoqërisë civile që merren me çështjet strategjike të sigurisë.

Me këtë rast, më lejoni gjithashtu t’ju siguroj se si President i Republikës dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, mbetem plotësisht i vetëdijshëm dhe i vendosur për të ushtruar me cilësi dhe përkushtim maksimal të gjitha autoritetet që më jep Kushtetuta dhe ligji në fushën e sigurisë kombëtare. Për këtë qëllim, si Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, do të jetësoj një agjendë vjetore të këtij Këshilli për ta shndërruar atë në një mekanizëm aktiv të sigurisë kombëtare të Shqipërisë dhe shëqiptarëve.

Ju faleminderit!”

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi