Panariti: Ja vizioni ynë për politikat bujqësore
Botuar në Balkanweb.com, 2 dhjetor 2013
Në këtë intervistë dhënë për “Gazeta Shqiptare”, ministri Edmond Panariti shpjegon në detaje vizionin e tij për këtë sektor të rëndësishëm, ndërsa premton reforma edhe në drejtim të cilësisë e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së konsumatorit.
Z. Panariti, ndonëse Shqipëria është një vend kryesisht bujqësor, duket se ky sektor është lënë disi në harresë. Cili është vizioni juaj për t’i dhënë bujqësisë rëndësinë e duhur?
Përparësi absolute dhe thelbi i vizionit tim për zhvillimin e bujqësisë janë administrimi dhe kujdesi për tokën dhe ujin. Po aq të rëndësishme për një bujqësi konkurruese dhe të tregut janë dhe zbatimi i standardeve të cilësisë dhe sigurisë në gjithë zinxhirin e prodhimit bujqësor, që nga ferma e deri në tavolinë. Pa përkujdesje dhe respekt ndaj tokës, pa rritjen e sipërfaqes dhe konsolidimin e saj, nuk mund të ketë zhvillim të bujqësisë. Lënia e tokave djerrë, të pakultivuara dhe të degraduara do të thotë që të lësh Shqipërinë shterpë, ta privosh atë të prodhojë e riprodhojë bimët, kafshët, ushqimin për popullatën e saj dhe t’i heqësh padrejtësisht, mundësitë për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie. Një vend i cili ka sipërfaqen më të vogël të tokës bujqësore për frymë të popullsisë në Europë, nuk mund të lejojë kurrsesi që 10% e tokës të mbahet ende e papunuar dhe e pakultivuar, pa përmendur këtu edhe qindra e mijëra hektarë tokë e refuzuar, e për rrjedhojë e braktisur dhe në degradim. Njëkohësisht, një tokë e cila nuk vaditet dhe nuk kullon ujërat, është e destinuar të shkretohet e varfërohet. Kjo është e rëndë për një vend, i cili pas vendeve nordike është vendi më i pasur në Europë me burime ujore, i përshkuar njëtrajtësisht nga veriu në jug me lumenj, përrenj, i pasur me ujëra nëntokësore, me basene dhe i lagur prej dy liqeneve më të mëdhenj të Ballkanit.
Toka të lëna djerrë apo të braktisura. Cilat janë politikat që ju do të ndiqni për të ndryshuar situatën?
Qëllimi ynë madhor është konsolidimi i tokës bujqësore, gjë që arrihet me zgjerimin e sipërfaqes së saj. Ne kemi një fragmentim të tejskajshëm të tokës bujqësore me një mesatare ferme prej rreth 1,3 ha sipërfaqe, nga rreth 27 ha që është mesatarja në BE. Ne do të lehtësojmë dhe inkurajojmë procedurat e marrjes së certifikatave të pronësisë nga të gjithë përfituesit e titujve të pronësisë, të cilët i kanë regjistruar ato pranë zyrave të regjistrimit të pasurive të patundshme, pas rakordimeve midis asaj që shkruhet në letrat e tapive të tokës dhe faktit të konstatuar në terren. Duke shpërndarë certifikatat e pronësisë, ne hapim tregun e tokës, duke aktivizuar shitblerjen e saj, si të vetmin instrument për të rritur sipërfaqen e tokës dhe për ta bërë atë tërheqëse për investime.
Cili është qëllimi i vendosjes së një takse mbi tokën?
Aplikimi i taksës mbi tokën nuk është aspak një qëllim në vetvete, por një mekanizëm detyrues për punimin dhe kultivimin e saj. Kjo do t’i japë fund gjendjes së tokave djerrë, apo të mbajtjes atyre peng “kur t’i vijë koha” nga përfituesit e tyre, të cilët ndërkohë merren me aktivitete të tjera. Jo, kjo nuk mund të vazhdojë më kështu. Nëse nuk ke ndër mend ta punosh dhe mbjellësh tokën, atëherë përgatitu nëse të leverdis, që të paguash taksë më të lartë për të, në krahasim me atë që e punon dhe e kultivon, përndryshe do të jesh i detyruar t’ia shesësh atij, i cili është i motivuar dhe i interesuar ta punojë dhe ta zhvillojë atë. Kjo do të krijojë më së fundi atë shtresë fermerësh, të cilët të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve e lidhin vetëm me bujqësinë, me tokën me prodhimin. Kjo do të tërheqë investimet dhe investitorët, kjo do të zhdukë bujqësinë e mbijetesës, do të rrisë sipërfaqet e kultivuara dhe do të ulë koston e prodhimit.
A është parashikuar kompensim financiar për ish-pronarët e tokave bujqësore?
Unë kam ndjeshmëri të veçantë edhe për shtresën e ish-pronarëve të tokave bujqësore të shpronësuar padrejtësisht nga regjimi komunist. Natyrisht, nëpërmjet nismave dhe ndryshimeve ligjore, është e mundur që nga kjo taksë të krijohet fond shtesë për kompensimin financiar të tyre, krahas kompensimit fizik me toka publike në fondin fizik të akorduar për këtë qëllim pranë Agjencisë së Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave.
Nga e keni filluar punën tuaj si ministër?
Puna si ministër ka filluar me reformën institucionale brenda dikasterit dhe institucioneve të varësisë, për të krijuar bazën mbështetëse për të gjithë atë paketë reformash të domosdoshme, të cilat do të ndryshojnë qëndrimin ndaj tokës, ujit dhe mbrojtjes së konsumatorit. Një pjesë e rezultateve dhe arritjeve, në këtë drejtim tashmë janë të njohura publikisht dhe ne do të vazhdojmë t’i ndajmë ato në vazhdimësi me publikun, madje që para fundit të vitit, si pjesë e synimeve dhe objektivave tanë në 100-ditëshin e parë të mandatit tonë qeverisës.
Është folur për krijimin e kooperativave, me qëllim shitjen e prodhimit bujqësor. Ku konsiston kjo reformë?
Në një shoqëri të tregut të lirë, ku krijohet dhe funksionon tregu i tokës, me tituj të pronësisë të konsoliduar. Ekzistojnë tre mundësi. Së pari, të punosh dhe kultivosh tokën tënde si zotërues i ligjshëm i saj dhe të përpiqesh të krijosh të ardhura që të justifikojnë këtë mund. Por në kushtet kur madhësia mesatare e fermës te ne, është diçka më shumë se 1 ha, kjo është e paleverdisshme dhe mundet vetëm të garantojë “mbijetesë” por jo zhvillim dhe mirëqenie. Së dyti, si zotërues i ligjshëm i saj, ti mund ta shesësh apo ta japësh me qira te subjekte, të cilat kanë mundësi financiare dhe mjete prodhimi për të filluar një prodhim bujqësor konkurrues dhe të leverdisshëm. Së treti, për të ardhur te thelbi i pyetjes suaj, mundet që tokën dhe mjetet e prodhimit të cilat i zotëron, t’i bësh pjesë të një shoqërie aksionere, e cila duke i bashkuar të gjitha këto asete si pjesë e një shoqërie të përbashkët, ul ndjeshëm koston e prodhimit, rrit konkurrencën në treg dhe për rrjedhojë edhe të ardhurat për familjet fermere. Unë nuk do t’i quaja këto kooperativa, aq më tepër që ky term, te ne krijon një perceptim dhe ndjeshmëri negative nga përvoja e hidhur e së shkuarës. Unë do t’i cilësoja këto thjesht si sipërmarrje aksionere me strukturë dhe funksione konkurruese në prodhim dhe në treg.
Kur do të fillojë aplikimi i saj?
Më lejoni të jem i qartë dhe kategorik. Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, nuk ka ndër mend as të ndërmarrë dhe as të aplikojë kurrfarë modeli prodhues, i cili del përtej vullnetit dhe dëshirës së individit të lirë dhe zotërues të një prone bujqësore. Kjo na dallon prerazi nga modeli i imponuar kolektivist i bujqësisë në sistemin e kaluar, i cili pikërisht për këtë gatoi dështimin dhe përfundoi në kolaps të plotë ekonomik duke mbjellë vetëm varfëri dhe mjerim. Ajo që ne synojmë të krijojmë, është tregu i tokës, duke finalizuar juridikisht pronësinë mbi të, për përfituesit e saj nga Ligji 7501. Ajo që ne kërkojmë është fillimi i transaksioneve të ligjshme me pronat dhe asetet bujqësore, ku të gjithë të ndihen të lirë, të sigurt dhe të qetë në raport me titujt e pronësisë dhe aktet e shitblerjeve. Mandej zotëruesit e ligjshëm të këtyre sipërfaqeve, janë të lirë të ndjekin një ndër tri rrugët e mësipërme sipas vullnetit të tyre të lirë. Atyre dhe vetëm atyre u takon të vendosin për fatin e pronës së tyre. Për sa na takon neve, në tokat me pronësi publike do të tërheqim investime direkte vendase apo të huaja dhe do të krijojmë sipërmarrje bujqësore në sipërfaqe jo më të vogla se 50 ha e që arrijnë deri në 1000 ha, duke krijuar modele të suksesit, të nismës dhe sipërmarrjes në bujqësi dhe agrobiznes. I takon më pas gjithsecilit nga pronarët e tokave, ta ndjekë ose jo këtë model nëpërmjet bashkimit të pronave dhe mjeteve. Por jam i bindur se dikush që i ka hyrë bujqësisë për të fituar dhe për t’u zhvilluar nuk ka rrugë tjetër përveç ndjekjes së këtyre modeleve.
Në ministrinë që ju drejtoni bën pjesë dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. A do të përfshihet nga një reformë kjo drejtori?
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të reformohet si në strukturë, ashtu dhe funksion, për t’iu përshtatur vizionit tonë për garantimin e sigurisë ushqimore sipas parimit “Nga ferma në tavolinë”.
Ku konsiston kjo reformë?
Shkurt, ne synojmë të ngremë dhe zbatojmë një sistem të mbikëqyrjes dhe të kontrollit të ndotjeve në prodhimet ushqimore, i cili fillon që në fermë, pra që e ka zanafillën aty ku nis kultivimi i bimëve dhe mbarështimi i kafshëve dhe që përfundon vetëm te pjata e konsumatorit. Ky është një sistem vertikal dhe gjithëpërfshirës kontrolli, dhe cilësisht tërësisht i ndryshëm nga sistemi i deritanishëm horizontal i kontrollit, i cili merret vetëm me kontrollin në treg. Por bllokimi i një produkti të ndotur e të helmuar në treg sipas sistemit të deritanishëm, nuk mjafton, sepse edhe nëse bëhet bllokimi i ushqimit të rrezikshëm në një segment të tregut, është e pamundur të kontrollohet dhe bllokohet ai në të gjithë tregun. Vetëm sistemi që synojmë të instalojmë, garanton parandalimin e ndotjes nëpërmjet një gjurmimi të saj të efektshëm në ushqime.
Cilat janë disa nga masat që do të merren për të garantuar cilësinë ushqimore?
Ministria e Bujqësisë, nëpërmjet Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, do të zbatojë dy plane mbarëkombëtare të monitorimit dhe kontrollit të ndotjeve në kafshë të gjalla dhe nënprodukte shtazore, si dhe për prodhimin bimor në të gjitha parcelat dhe serat e vendit. Ky kontroll do fillojë që nga fara, do të fillojë që nga kontrolli i rreptë i plehrave kimike dhe pesticideve, do të fillojë që nga mbikëqyrja e ushqimit që përdoret në të ushqyerit e kafshëve, kontrolli i sëmundjeve të tyre, dhe do të vazhdojë me ndjekjen e prodhimit bujqësor dhe blegtoral në të gjitha pikat e grumbullimit e përpunimit, me mënyrën si ambalazhohet dhe transportohet, dhe deri në kushtet se si ruhet, tregtohet dhe shitet. Ne do ta ndjekim ushqimin në secilën hallkë të lëvizjes së tij në këtë zinxhir, e deri kur përfundon në pjatat tona në shtëpi apo restorante, duke u siguruar për standardet e tij të sigurisë dhe të cilësisë. Vetëm kështu do të garantojmë sigurinë dhe cilësinë e ushqimit për qytetarët.
Në javët e para të punës suaj ju ringritët Task-Forcën e mishit. Në fakt është një prej fenomeneve që, pavarësisht masave të ndryshme që janë marrë herë pas here, vijon të mbetet shqetësues. Pse këtë herë duhet të besojmë se problemi do të gjejë zgjidhje përfundimtare?
Ne nuk do të lejojmë që mishi, peshku e nënproduktet shtazore, të përpunohen, transportohen dhe tregtohen në kushte mesjetare, në mes të pluhurit dhe baltës, diellit dhe shiut. Së pari, synuam dhe besoj arritëm që të thyejmë një mentalitet, i cili e konsideronte këtë praktikë si një pjesë të normales. Së dyti, as nuk do të lodhemi dhe as nuk do të ndalemi para askujt, derisa të imponojmë zbatimin e këtyre standardeve të sigurisë dhe cilësisë europiane në treg. Natyrisht, ky është vetëm fillimi dhe sfida vazhdon.
Në fazën e dytë, pas Task-Forcës për mishin, puna juaj do të fokusohet tek mallrat e importuara. Aktualisht, cila është situata (cilësia apo siguria) e këtyre mallrave?
Si pjesë e dy planeve kombëtare, të mbikëqyrjes dhe kontrollit të ndotjeve në prodhimet ushqimore, do të përfshihen edhe produktet e importuara. Do të analizohet dhe vlerësohet me rreptësi përdorimi i ngjyruesve, aromatizuesve, ëmbëlsuesve, emulgantëve, konservuesve sintetikë në këto produkte dhe do të konfiskohen dhe asgjësohen pa hezitim të gjitha ato produkte të cilat i përdorin këto lëndë jashtë kritereve dhe standardeve, ndërsa do të çohen për ndjekje penale të gjitha subjektet dhe sipërmarrjet të cilat shkelin teknologjinë e prodhimit me përdorim të jashtëligjshëm të këtyre lëndëve në prodhimet ushqimore.