Procedimi administrativ
Organet administrative gjatë veprimtarisë së tyre të përditshme ndeshen me çështje të ndryshme, të cilat kërkojnë të konkretizohen në një vullnet të caktuar juridik. Ky vullnet i organit pasqyrohet në një akt administrativ, i cili zgjidh çështjen konkrete administrative. E gjithë kjo realizohet nëpërmjet një procedure ligjore, të quajtur procedim administrativ.
Procedimi administrativ mund të kryhet vetëm nga një organ kompetent, të cilin e detyron ligji për të kryer procedurën hetimore administrative. Kompetencat e organit administrativ janë të përcaktuara me ligj ose me akt nënligjor dhe ushtrimi i tyre është i detyrueshëm. Kjo do të thotë se organi administrativ nuk mund të shmanget nga ushtrimi i kompetencave dhe as të heq dorë prej tyre.
Pra, me procedim administrativ do të kuptohet tërësia e veprimeve që nga depozitimi i kërkesës individuale deri në marrjen e një akti përfundimtar nga administrata. Palët pjesmarrëse në një procedim administrativ janë autoriteti kompetente nga njëra anë, dhe pala e interesuar nga ana tjetër. Procedimi administrativ mund të fillojë me nismën e administratës ose me kërkesën e palëve të interesuara. Kërkesa mund të jetë individuale ose kolektive (peticion) dhe duhet të jetë e formalizuar me shkrim.
Është thelbësore që e drejta për fillimin e një procesi administrativ t’u njihet individëve a personave privatë, për arësye se edhe vetë marrëdhëniet juridike që krijohen, ndryshojnë apo shuhen, janë të lidhura në mënyrë të padiskutueshme me interesat e tyre. Subjektet private janë më të motivuara për të vënë në lëvizje fillimin e një procedimi administrativ. Kjo përbën dhe një nga të drejtat kushtetuese të shtetasve.
Fillimi i procedimit me nismën e administratës duhet t’i bëhet i ditur atyre personave të drejtat dhe interesat e ligjshme të të cilëve mund të preken si rezultat i veprimeve të ndërmarra gjatë procedimit, kur këta persona mund të identifikohen. Në çdo fazë të procedimit, organi administrativ mund të kërkojë mendimet e palëve të interesuara, të cilat duhet të depozitohen brenda një afati kohor të përcaktuar nga administrata në këtë rast.
Procedimi administrativ zhvillohet në disa etapa: etapa e nisjes së procedimit, etapa e hetimit, etapa e nxjerrjes së aktit administrativ, etapa e procesit ankimimit dhe etapa e zbatimit të aktit administrativ. Vendimi që merret nga organi kompetent duhet të përmbajë të gjitha elementet formale që kërkon ligji, si dhe përfundimet e procesit hetimor administrativ të zhvilluar.
Organi administrativ procedues, përvëç vendimeve përfundimtare mund të marrë edhe vendime jo përfundimtare, si vendimet e ndërmjetme. Ato jepen gjatë procesit dhe synojnë mënjanimin e dëmit që mund t’i shkaktohet interesave të palëve. Vendime të ndërmjetme janë edhe ato që kanë të bëjnë me sigurimin paraprak të provave, me thirrjen e palëve të interesuara dhe të dëshmitarëve, me shtyrjen e datës së seancës, etj.
Procedimi administrativ përfundon brenda një periudhe kohore prej 3-muajsh, me përjashtim të rastit kur parashikohet ndryshe në ligje të veçanta ose kur imponohet nga situata të veçanta.
Të gjithë kanë të drejtë të njihen me dosjet dhe regjistrat e administratës edhe në rastet kur nuk zhvillohet ndonjë procedim administrativ, që atyre t’iu interesojë, përveç rasteve kur një gjë e tillë ndalohet me ligj. E drejta për t’u njohur me dosjet dhe regjistrat e administratës rregullohet me ligj të veçantë.
Si rregull, afati kohor për zbatimin e akteve nga administrata është 15 ditë. Afati brenda të cilit palët e interesuara zbatojnë aktin, kërkojnë marrjen e masave procedurale për zbatimin e tij, iu përgjigjen çështjeve në lidhje me të cilat palët mund të paraqesin mendimet e tyre apo të ushtrojnë ndonjë të drejtë tjetër gjatë zhvillimit të procedimit, është 15 ditë.
Duhet bërë dallimi midis procedimit administrativ nga veprimtaria administrative. Sipas Kodit të Porcedurave administrative, veprimtaria administrative është tërësia e akteve dhe veprimeve të kryera nga ana e organeve të administratës.