Kompetencat dhe juridiksioni administrativ
Në procedurën administrative dallohen dy lloje themelore të kompetencës:
– Kompetenca lëndore: është e drejtë dhe detyrë e një organi që të vendosë për çështje të veçanta administrative nga tërësia e çështjeve administrative. Çdo organ ka kompetencën e vet lëndore për të vendosur në çështje të caktuara administrative, prandaj ai duhet të ketë kujdes që të vendosë vetëm mbi ato çështje për të cilat ka kompetencë lëndore. Caktimi i kompetencës lëndore bëhet me dispozitat që rregullojnë një fushë të caktuar administrative ose që caktojnë kompetencat e organeve të veçanta administrative.
– Kompetenca territoriale: paraqet autorizimin e organit që detyrimet që rrjedhin nga kompetenca e vet lendore. Ajo nënkupton territorin në të cilin një organ i veçantë shtetëror mund t’i kryejë punët që rrjedhin nga kompetenca e vet lendore, dmth territorin në të cilin shtrihet veprimtaria e organit të caktuar shtetëror. Caktimi i kompetencës territoriale bëhet nëpërmjet dispozitave mbi ndarjen administrative-territoriale dhe dispozitave mbi organizimin e organeve të veçanta administrative.
Dallohen edhe kompetenca tjera si ajo funksionale dhe presumptive. Me kompetencë funksionale nënkuptohet një lloj i kompetencës lëndore. Në të vertetë është përcaktimi më i afërt, më i saktë, i kompetencës lëndore i organit kompetent, që bëhet me dispozita të vecanta. Shkelja e kompetencës funksionale paraqet shkak për kontestimin e ligjshmërisë së vendimit në procedimin administrativ dhe në konfliktin administrativ. Kompetenca presumptive është kompetenca lendore e presupozuar, kjo vlen për rastet kur me ligj nuk është caktuar kompetnca e organeve konkrete.
Kompetencat e organeve të administratës publike janë të përcaktuara me ligj ose me akt nënligjor dhe ushtrimi i tyre është i detyrueshëm, përveç rasteve kur normat ligjore parashikojnë delegimin ose zëvendësimin e kompetencave.
Organet administrative kompetente mund të delegojnë kompetencat e tyre tek një organ tjetër i administratës. Si rregull, organi që delegon një kompetencë nuk mund të autorizojë organin e deleguar apo të nëndeleguar, që ky i fundit t’ia nëndelegojë këtë kompetencë një organi tjetër. Organi delegues nxjerr udhëzime dhe instruksione të cilat janë të detyrueshme për organet e deleguara në lidhje me ekzekutimin e kompetencave të deleguara. Delegimi i kompetencave botohet në Fletoren Zyrtare.
Juridiksioni vendoset në momentin kur fillon procedimi administrativ dhe çdo ndryshim faktik që mund të ndodh më vonë është i parëndësishëm. Në rast paqartësie ose dyshimi, përsa i përket juridiksionit territorial, organi që do të zgjidhë konfliktin i njeh juridiksionin atij organi, vendndodhja e të cilit sipas organit që gjykon çështjen, ka mundësitë më të mëdha për një zgjidhje të drejtë të çështjes.
Konfliktet juridiksionale do të zgjidhen nga gjykatat kompetente, ndërsa konfliktet e kompetencave zgjidhen:
a) nga seksionet administrative të gjykatave kur kemi të bëjmë me organe të ndryshme administrative;
b) nga Kryeministri për ministri të ndryshme;
c) nga ministri ose drejtuesi i institucionit qendror kur kemi të bëjmë me organe të së njëjtës ministri ose të një organi tjetër të administratës qendrore. Konfliktet e kompetencave zgjidhen në radhë të parë nga organi që vjen menjëherë sipër organeve të përfshira në këtë konflikt dhe që ka kompetenca kontrolli.