Përkufizime të Politikave Publike
Ekziston një numër i madh përkufizimesh për nocionin e politikës publike. Në një analizë për politikat publike në vitin 1980, Thoenig zbulonte të paktën dyzetë përkufizime. Këtu po paraqesim disa prej tyre:
– “Një politikë publike është ajo që qeveritë zgjedhin të bëjnë ose të mos bëjnë”.
– “Një politikë publike është produkt i aktivitetit të një autoriteti të paisur me fuqi publike dhe legjitimitet qeveritar”.
– “Një politikë publike është një program veprimi i një ose shumë autoriteteve publike ose qeveritare në një sektor të shoqërisë ose në një hapësirë të dhënë”.
– “Një politikë publike është një aktivitet i orjentuar drejt zgjidhjes së problemeve publike në mjedis, dhe kjo bëhet nëpërmjet aktorëve publik raportet e të cilëve janë të strukturuar dhe ndryshojnë në kohë”.
– “Një politikë publike paraqitet në formë të një programi të veprimeve qeveritare në një sektor të shoqërisë ose në një hapësirë gjeografike”
– “Ka një politikë publike kur një autoritet publik lokal ose kombëtar tenton me anën e një programi veprimesh të koordinuara, të ndryshoj mjedisin kulturor, social ose ekonomik të aktorëve social në përgjithësi sipas një logjike sektoriale”.
Megjithëse këto përkufizime janë në dukje kaq të ndryshme, ato tentojnë të venë theksin ose mbi aktorët e paisur me pushtet publik, ose mbi problemet kolektive që duhen zgjidhur, ose mbi veprimet shtetërore që duhet të kryhen. Specialistët e politikave publike janë të mendimit që një përkufizim “operacional” është i nevojshëm për të kualifikuar objektin dhe fushën e studimit të politikave publike.