Paraqitja e shpenzimeve buxhetore sipas politikave publike
Buxheti i Shtetit shpreh realitetin e zgjedhjeve dhe të opsioneve të politikave publike të një qeverie. Në vendet e OECD pas reformave të kryera, buxheti nuk paraqitet më sipas natyrës së shpenzimeve (personeli, funksionimi, investimet, ndërhyrjet, etj), por sipas politikave publike (siguria, kultura, shëndeti, drejtësia, etj). Parlamenti dhe qytetari janë kështu në gjëndje të vlerësojnë tërësinë e fondeve të përdorura për të zbatuar çdo politikë të shtetit.Buxhetimi i shpenzimeve sipas politikave publike përbën një qasje të performacës për të përmirësuar efikasitetin e politikave publike, që e lejon shtetin të kalojë prej llogjikës së mjeteve në një llogjikë të rezultateve.
Misionet, programet, veprimet janë tre nivelet që strukturojnë buxhetin e shtetit. Misionet i korespondojnë politikave të mëdha të Shtetit. Misionet përfaqësojnë “funksionet kryesore dhe objektivat strategjik që ndiqen nëpërmjet shpenzimeve publike” dhe përbëjnë një përfaqësim politiko-institucional, të nevojshëm për të bërë më transparente alokimet e mëdha të shpenzimeve Parlamenti voton buxhetin sipas misioneve. Një mision krijohet me inisiativë të qeverisë dhe mund të jetë ministeriale ose ndërministeriale. Në Francë buxheti i përgjithshëm i shtetit përfshin 32 misione, në Itali buxheti përfshin 34 misione.
Çdo mision realizohet konkretisht përmes Programeve. Pra, Misioni grupon programet. Programet përfaqësojnë “agregate homogjene të veprimtarisë së kryer në brëndësi të çdo ministrie, për të ndjekur objektivat e caktuara për atë dikaster. Programet janë specifikë për çdo administratë, vetëm në raste të kufizuara janë të ndarë midis më shumë se një administrate. Parlamenti mund të ndryshojë shpërndarjen e fondeve midis programeve në brëndësi të të njëjtit mision.
Programet përcaktojnë kuadrin e zbatimit të politikave publike. Programi është njësia e autorizimit parlamentar. Ai përbën një mbulesë globale dhe kufizuese të krediteve. Ai i përket zakonisht një ministrie të veçantë dhe grupon një tërësi veprimesh koherente. Ai i besohet një përgjegjësi, i caktuar nga ministri përkatës. Përgjegjësi i programit mund të ndryshojë shpërndarjen e krediteve sipas veprimit dhe sipas natyrës së tij: kjo sipas parimit të konsumit (shpenzimit). Cdo programi i bashkohen objektiva konkrete si dhe rezultate të pritshme. Brënda programeve janë Veprimet ato që preçizojnë destinimin e krediteve.