Dokumentet e Sistemit të Planifikimit të Integruar
Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim
Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim paraqet drejtimin politik nga periudha afatmesme drejt asaj afatgjatë për qeverinë gjatë një horizonti planifikues 7-vjeçar. Ajo është krijuar mbi një vision kombëtar dhe një grup të plotë strategjish sektoriale dhe ndër-sektoriale. Strategjia kombëtare përcakton politika të përballueshme dhe të arritshme në secilin sektor për lëvrimin e qëllimeve të politikës së Qeverisë. Strategjitë sektoriale përfshijnë angazhime politike strategjike nga Programi i Qeverisë, kërkesat për integrim në Evropë, si dhe prioritetet më të rëndësishme në fushën e investimeve publike apo të asistencës së huaj. Strategjitë ndërsektoriale mbulojnë angazhime politike, të cilat shtrihen në disa njësi të qeverisjes qendrore.
Strategjitë e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim përfshijnë një kostim të përgjithshëm të politikave gjatë periudhës afatmesme-afatgjatë sipas disa skenarëve të financimit. Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim përfshin informacion mbi implikimet financiare të të gjitha strategjive sektoriale dhe ndihmon manovrimet me shpenzimet publike për të garantuar që strategjitë janë të përballueshme në tërësinë e tyre. Strategjitë sektoriale sigurojnë bazën politike për Programin Buxhetor Afatmesëm.
Programi Buxhetor Afatmesëm
Programi Buxhetor Afatmesëm siguron që alokimet e buxhetit të reflektojnë prioritetet politike gjatë një periudhe afatmesme (3-vjeçare) duke bërë një lidhje të drejtpërdrejtë midis alokimit të buxhetit dhe objektivave të politikës së programit. Ai bën kombinimin e përshtatshëm midis alokimeve për investime dhe shpenzime korente dhe midis qeverisjes qëndrore dhe asaj lokale. Horizonti kohor 3-vjeçar për planifikimin e shpenzimeve lejon një parashikueshmëri më të lartë në alokimet e ardhshme të burimeve.
Programi i Qeverisë
Programi i Qeverisë skicon rrugën e Qeverisë gjatë mandatit të saj. Qëllimet e politikës të paraqitura në program sigurojnë drejtimin dhe arsyen për zhvillimin në kuadër strategjik kombëtar. Gama e gjerë e objektivave të politikës dhe aktiviteteve që do t’i mbështesin këto qëllime do të reflektohet në strategjitë sektoriale dhe Programin Buxhetor Afatmesëm.
Përgatitja e Programit Buxhetor Afatmesëm, siguron që qëllimet e politikës dhe iniciativat e përcaktuara në Programin e Qeverisë të kostohen dhe zbatohen. Për të siguruar efiçencën dhe efektivitetin në operimin e Sistemit te Planifikimit të Integruar, qëllimet e politikës së Programit të Qeverisë dhe ato të strategjive sektoriale dhe Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim që duhet të kordinohen mirë.
Integrimi Europian
Angazhimet e Shqipërisë për Integrim Evropian janë përcaktuar në Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) midis Qeverisë së Shqipërisë, Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Përveç kësaj, Partneriteti i dytë Evropian u lançua nga Komisioni Evropian në Nëntor 2005, mbi bazën e raporteve vjetore që vlerësojnë progresin e Shqipërisë në Marreveshjen e Stabilizim Asocimit. Ai përcakton prioritetet afatshkurtra dhe afatmesme me qëllim që Shqipëria të arrijë një integrim gradual në Bashkimin Evropian.
Këto kërkesa ndihmojnë në formulimin e strategjive sektoriale dhe ndër-sektoriale. Nga ana tjetër, proçesi i Programit Buxhetor Afatmesëm i përkthen këto kërkesa në produkte dhe sasi produktesh për t’u siguruar që ato janë të përballueshme dhe të realizueshme me një kosto efektive. Njësitë e qeverisjes qendrore monitorojnë progresin e bërë në realizimin e kërkesave të integrimit Evropian si pjesë një plani më të gjerë monitorimi, pra, duke harmonizuar kërkesat për raportim dhe afatet kohore.
Menaxhimi i Investimeve Publike
Proçeset e përgatitjes së projekteve, zbatimit dhe përfundimit formojnë ciklin e manaxhimit të projektit i cili lidhet ngushtë me fazat e hartimit dhe rishikimit të politikës dhe planifikimit strategjik në ciklin e Manaxhimit të Shpenzimeve Publike.
Menaxhimi i Asistencës së Huaj
Sistemi i Planifikimit te Integruar ndihmon gjithashtu vendim-marrjen në një nivel strategjik në lidhje me tipin dhe madhësinë e asistencës së huaj që nevojitet. Strategjia Kombëtare për Zhvillimi e Integrim dhe strategjitë sektoriale identifikojnë fushat ku nevojitet asistenca e huaj, në përputhje me qëllimet dhe objektivat e politikës së Qeverisë. Qeveria angazhohet pastaj në dialog me donatorët rreth mbështetjes në dispozicion dhe preferencave të donatorëve për të mbështetur programe dhe projekte të veçantë të identifikuar nga Qeveria.
Departamenti i Bashkërendimit të Strategjive dhe Kordinimit të Ndihmës së Huaj është përgjegjës për zhvillimin e një strategjie të ndihmës së huaj dhe është pika e parë e kontaktit për donatorët. Ministria e Financës është përgjegjëse për të siguruar që lidhjet e nevojshme midis projekteve me financim të huaj dhe të brendshëm mbahen nëpërmjet ciklit të manaxhimit të projekteve.