Banka e Shqipërisë: Stabiliteti financiar
Qëndrueshmëria e sistemit financiar, është kusht themelor që sistemi financiar të rrisë nivelin e tij të eficiencës në proçesin e ndërmjetësimit, duke kontribuar në orientimin e burimeve financiare drejt investimit në projekte produktive, brenda parametrave të njohur dhe të kontrolluar të rrezikut të veprimtarisë. Në këtë mënyrë, kontributi i sistemit financiar në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në plotësimin e nevojave të klientëve të tij, është i qenësishëm.
Që të arrihet dhe të ruhet stabiliteti i sistemit financiar, nevojiten institucione financiare të shëndetshme të cilat veprojnë në një treg financiar me infrastrukturë të zhvilluar e të mbrojtur, ku ekzistojnë mekanizma të cilat nxisin administrimin efektiv të burimeve financiare dhe të rreziqeve nga ana e investitorëve.
Bankat qendore luajnë një rol të rëndësishëm në arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar, por ky rol nuk është ekskluziv. Rëndësia e objektivit si edhe larmia e kompleksiteti i cështjeve që ndërthuren brenda tij, kërkojnë harmonizimin e përpjekjeve me institucione të tjera ku vecohen autoritetet mbikëqyrese të institucioneve financiare bankare1 dhe jobankare, dhe agjencia e sigurimit të depozitave. Institucione të tjera që mund të përfshihen në këtë kuadër, janë ato që mbikëqyrin zhvillimet e kushteve të konkurrencës në tregun financiar, që nxisin adoptimin dhe kontrollojnë zbatimin e standardeve të ndryshme etj. Në kushtet e hapjes dhe të integrimit të tregjeve financiare, autoritetet e vendeve të ndryshme e kanë parë të nevojshme të shtrijnë këtë bashkëpunim në nivel ndërkombëtar.
Ligji Bankës së Shqipërisë përcakton gjithashtu rolin e Bankës së Shqipërisë, si banka qendrore e vendit, për ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar. Në nenet 3, 12, 16, 21 dhe 69, të këtij ligji, sanksionohet përgjegjësia e Bankës së Shqipërisë për licencimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë bankare, për nxitjen e funksionimit të sistemeve të pagesave dhe mbikëqyrjen e tyre, për dhënien e likuiditetit në treg në rolin e huadhënësit të fundit, si edhe për t’u shprehur publikisht në lidhje me natyrën dhe llojin e kërcënimeve që mund të ekzistojnë për stabilitetin e sistemit financiar.
Raporti i Stabilitetit Financiar
Është një dokument që analizon zhvillimet me rëndësi të sistemit financiar gjatë një periudhe gjashtëmujore dhe evidenton faktorët që përfaqësojnë rrezik sistemik. Ai bën identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat ndeshet sistemi financiar dhe infrastruktura e tij, për t’i dhënë autoriteteve publike mundësinë që të identifikojnë masat përkatëse për korrigjimet e nevojshme. Për hartimin e raportit, shfrytëzohen të dhëna që disponohen në Bankën e Shqipërisë, si dhe shkëmbehet informacion me autoritete të tjera që mbikëqyrin veprimtarinë e tregut financiar. RSF u publikua për herë të parë në 2008 me një frekuencë njëvjeçare dhe duke filluar nga viti 2010 publikohet dy herë në vit.
Raporti i Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2012
Raporti i Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2011
Raporti i Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2011