Ç’është e Drejta Administrative?
E drejta administrative është një degë e së drejtës publike. E drejta publike formohet nga tërësia e normave juridike me anë të të cilave realizohen detyrat dhe kompetencat e tre pushteteve: legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Në të drejtën publike bëjnë pjesë degët e së drejtës: kushtetuese, administrative, financiare, penale, si dhe të drejtat e njëriut. E Drejta Administrative është e lidhur ngushtë me këto degë të së drejtës publike.
E drejta administrative përfshin jo pak norma të natyrës proceduriale, në një kohë që e drejta proceduriale civile dhe e drejta proceduriale penale përfshijnë tërësinë e normave që rregullojnë organizimin, kompetencën dhe veprimtarinë e instancave gjyqësore, përfshirë edhe rastet në të cilat ato gjykojnë konflikte të natyrës administrative. Me miratimin e Kodit të Procedurave Administrative nuk duhet të ngatërrohen me ato të Kodit të Procedurës Civile ose Penale.
E drejta administrative përdoret në dy kuptime:
- Si degë e sistemit juridik ku përfaqëson një tërësi normash juridike, me të cilat rregullohen marrëdhëniet shoqërore të caktuara
- Si degë e shkencës juridike, ku merret me studimin e normave juridike me të cilat rregullohen marrëdhëniet e caktuara shoqërore.
E drejta administrative përgjithësisht mund të përkufizohej si tërësi normash juridike me të cilat rregullohen marrëdhëniet shoqërore që krijohen në fushën e veprimtarisë administrative. E drejta administrative është ajo pjesë e së drejtës në bazë të së cilës zhvillohet funksioni ekzekutiv, administrativ i shtetit.
Në sistemin e së drejtës administrative të një vendi përfshihen, së pari, normat juridike që përmban kushtetuta e atij vendi, të cilat sanksionojnë organizimin dhe veprimtarinë e organeve të administratës shtetërore. Në radhë të dytë, në sistemin e së drejtës administrative përfshihen edhe normat e akteve të tjera juridike, të cilat sanksionojnë marrëdhëniet shoqërore në fushën e administratës shtetërore. Këtu mendohet, si rregull, në normat juridike të ligjeve të veçanta, dekreteve dhe akteve të tjera.