Çfarë është funksioni administrativ?
Tek Institucionet Publike u shtrua pyetja: “Cilat janë funksionet e shtetit?” Kurse tani vijmë tek pyetja tjetër: Çfarë është funksioni administrativ? Funksioni administrativ i përket një prej pushteteve të Shtetit, atij ekzekutiv, dhe brënda tij i përket administratës publike. Përjashtimisht, funksione administrative mund kryejnë edhe organe të pushteteve të tjera të shtetit. Në brëndësi të administratës publike funksioni administrativ mund t’i përkasi një organi të shtetit ose enteve të tjera publike. Funksioni administrativ është objekt i së drejtës administrative. Funksioni administrativ ushtrohet nëpërmjet pushtetit publik. Ai është aktiviteti konkret i Shtetit për të plotësuar nevojat kolektive në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershme.
Nëpërmjet funksionit të tij administrativ Shteti synon të realizojë objektivat e tij themelore, siç janë mbrojtja e territorit dhe e tërësisë territoriale të vendit, ruajtja e rendit publik, zhvillimi i marrëdhënieve ndërkombëtare, zhvillimi ekonomik i vendit, ngritja e nivelit arësimor dhe kulturor të popullsisë, përkujdesja për shëndetin e popullsisë, etj. Këtë funksion administrativ Shteti e kryen me anën e një aparati të posaçëm, që është aparati i tij administrativ, ku përfshihen forcat e armatosura, policia dhe struktura të tjera që garantojnë rendin publik, institucionet e ndryshme të qeverisjes qëndrore dhe të qeverisjes vendore, si dhe shkollat publike, bibliotekat, spitalet shtetërore, etj.
Punonjësit e këtij aparati administrativ quhen funksionarë shtetërorë (si, në Francë, Itali, etj), sepse shërbejnë për të kryer funksionet e Shtetit. Në Shqipëri këta quhen nënpunës shtetëror, sepse janë marrë në punë prej Shtetit. Marrëdhëniet e nëpunësve me Shtetin përcaktohen në dy mënyra: ose nëpërmjet një Statusi të përcaktuar me ligj të veçantë ose nëpërmjet një Kontrate sipas dispozitave të Kodit të Punës. Në Shqipëri deri tani gëzojnë status nëpunësit e Shërbimit Civil (nënpunësi civil), ata të Shërbimit të Jashtëm, ushtarakët, punonjësit e policisë, arësimtarët, infermierët.