Shërbimi statistikor në Shqipëri
Mund të thuhet se Shërbimi statistikor në Shqipëri u krijua për herë të parë në vitin 1924 me hapjen e një zyre statistikore që mbante evidenca të ndryshme ekonomike pranë Ministrisë Botore dhe të Bujqësisë. Veprimtaria e kësaj zyre kufizohej në inventaret bujqësore që përfshinin numrin e bujqëve, llojin dhe sasinë e shfrytëzimit të tokës me bimë bujqësore e blegtorale, si dhe në disa statistika të cekta mbi industrinë, tregtinë, eksport-importet dhe çmimet. Një tjetër tentativë është institucionalizimi i këtij shërbimi me Dekretin nr. 121, dt. 8/04/1940, por realisht sistemi statistikor në shtetin shqiptar është themeluar me Vendimin nr. 35, dt. 13/01/1945 me krijimin e Drejtorisë së Statistikës të atashuar pranë Këshillit të Ministrave. Më vonë kjo drejtori kaloi nën varësinë e Komisionit të Planit të Shtetit.
Sot, në zbatim të ligjit nr.9180, datë 05.02.2004 “Për statistikat zyrtare”, ky sistem përbëhet nga një numër institucionesh të ngarkuar për prodhimin e statistikave zyrtare dhe institucione të tjera, publike ose jo, të cilët nxjerrin statistika të fushave të ndryshme për monitorimin apo zbatimin e politikave të veta zhvilluese. Shërbimi statistikor në Republikën e Shqipërisë realizohet nga Instituti i Statistikave (INSTAT), Drejtoritë rajonale të statistikave në varësi të INSTAT-it, Agjenci Statistikore të ngarkuara me ligj për prodhimin e statistikave zyrtare, Departamentet e statistikave në ministri dhe institucione të tjera qendrore si dhe Persona juridikë e fizikë. Sistemi Kombëtar Statistikor e ushtron aktivitetin në përputhje me ligjin e lartpërmendur dhe Programin shumëvjeçar të Statistikave i cili miratohet me vendim të veçantë të Kuvendit të Shqipërisë. Përgjegjës për zbatimin e Programit dhe monitorimin e Sistemit Statistikor është Instituti i Statistikave (INSTAT) si institucioni kryesor prodhues i statistikave zyrtare.
Misioni i INSTAT-it është të prodhojë statistika asnjëanëse, transparente dhe të përditësuara, të cilat ndihmojnë në gjykimin e përdoruesve mbi proceset e zhvillimit e transformimit në fushat ekonomiko-sociale brenda vendit. Si institucioni që disponon burimin më të madh të informacionit statistikor në Shqipëri, INSTAT përpiqet t’u përgjigjet kërkesave gjithnjë e në rritje të përdoruesve për vendimmarrje, kërkime dhe arsimim në Shqipëri. Gjithashtu, INSTAT ndihmon komunitetin e interesuar ndërkombëtar nëpërmjet sigurimit të informacionit statistikor relativ, të sigurt dhe të krahasueshëm.
Këshilli i Statistikave është organi më i lartë i ngarkuar për mbikqyrjen dhe mbështetjen e INSTAT-it në rolin e tij për zbatimin e aktiviteteve statistikore të parashikuara në Programin e Statistikave Zyrtare. Këshilli i Statistikave përbëhet nga 11 anëtarë, të cilët përfaqësojnë agjencitë statistikore, mjediset akademike dhe shoqërinë civile. Emërimi i anëtarëve miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa Këshilli i statistikave emëron drejtorin e INSTAT. Këshilli i Statistikave e ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me Ligjin nr. 9180, datë 05.02.2004 “Për statistikat zyrtare” dhe VKM nr. 704, datë 16.11.2005 “Për miratimin e kritereve të përfaqësimit, të përzgjedhjes, emërimit e shkarkimit të anëtarëve dhe rregullat e funksionimit të Këshillit të Statistikave”, i ndryshuar.
Për shkak të këtij organizimi, INSTAT konsiderohet si një Axhensi ekzekutive në mvartësi të Këshillit të Ministrave. Këtu e ka zanafillën debati që zhvillohet në politikën shqiptare për besueshmërinë e statistikave të prodhuara nga INSTAT. Duket se është i nevojshëm një reformim i thellë i këtij shërbimi për të qënë në përputhje me standartet e BE. Në mënyrë të veçantë nevojitet ngritja e një Autoriteti Mbkiqyrës të Pavarur dhe emërimi i organit drejtues (Këshilli i Statistikave) nuk duhet të jetë tërësisht në kompetencë të Këshillit të Ministrave.