Organet e administratës publike dhe veprimtaria e tyre
Në kuptimin e ligjit, organe të administratës publike janë:
– organet e pushtetit qendror të cilat kryejnë funksione administrative;
– organet e enteve publike në masën që ato kryejnë funksione administrative;
– organet e pushtetit vendor që kryejnë funksione administrative;
– organet e Forcave të Armatosura, si dhe çdo strukturë tjetër, punonjësit e së cilës gëzojnë statusin e ushtarakut, për aq kohë sa këto kryejnë funksione administrative.
Veprimtaria e organeve administrative është tërësia e akteve dhe veprimeve nëpërmjet të cilave formohet dhe manifestohet vullneti i administratës publike, si dhe ekzekutimi i këtij vullneti.
Format e veprimtarisë administrative të rregulluara me Kodin e procedurave administrative janë:
– aktet administrative individuale dhe kolektive;
– kontratat administrative/publike;
– aktet reale.
Në kuptimin e ligjit, do të konsiderohen akte administrative të gjitha vendimet e organeve të administratës publike, të cilat krijojnë pasoja juridike në raste individuale.Kontrata administrative do të quhen ato marrëveshje, ku të paktën njëra nga palët, është organ i administratës publike dhe të cilat synojnë të krijojnë, të ndryshojnë ose të anulojnë marrëdhënie juridike në fushën e së drejtës publike.
Akt real do të quhet ajo formë e urdhërimit administrativ, ku vullneti i administratës publike shprehet me mjete të tilla si shenjat, paralajmërimet, tabelat, informacionet publike etj.
Me pushtet diskrecial të administratës publike do të kuptohet e drejta e kësaj të fundit që të ushtrojë autoritet publik për realizimin e një qëllimi të ligjshëm, qoftë edhe pa autorizim të shprehur të ligjit.
Palë e interesuar në një procedurë administrative do të quhet çdo person fizik, juridik ose autoritet shtetëror, të drejtat ose kompetencat e ligjshme të të cilit, qofshin këto individuale ose të përbashkëta, kanë të ngjarë të preken gjatë procedurës administrative.