Organizimi i ministrive
Ministria është person juridik, publik, që përfaqësohet dhe drejtohet nga ministri. Ministria mbështet, në aspektin teknik, veprimtarinë e ministrit. Fusha e veprimtarisë shtetërore, që përfshihet brenda një ministrie, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit. Struktura dhe organika e ministrisë përcaktohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit përkatës. Rregullat e organizimit dhe funksionimit të ministrisë përcaktohen në rregulloren e brendshme, që miratohet nga ministri.
Çdo ministri ka njëherësh një kabinet, një administratë qëndrore me seli në Tiranë dhe shërbimet e dekoncentruara sipas ndarrjes administrative territoriale të vendit. Kabineti përbëhet nga bashkëpunëtorët personal të ministrit, që zakonisht quhen funksionarë politik. Detyrat brënda kabinetit përcaktohen nga ministri, i cili bën edhe emërimin ose shkarkimin i funksionarëve politikë. Kabineti nuk është një strukturë e përhershme, ajo ndryshon me ndryshimin e ministrit.
Zëvendësministri zëvendëson ministrin, ai emërohet dhe lirohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave, me propozim të Kryeministrit. Me urdhër të ministrit, zëvendësministrit i caktohen edhe detyra të tjera. Sekretari i Përgjithshëm është nëpunësi më i lartë civil i i ministrisë. Ai emërohet në detyrë sipas procedurave të shërbimit civil. Sekretari i Përgjithshëm drejton dhe koordinon punën në aparatin e ministrisë për të përmbushur funksionin mbështetës të veprimtarisë ministrisë dhe të Këshillit të Ministrave. Ai sheh përputhshmërinë e ligjore të akteve dhe administron buxhetin e ministrisë.
Administrata qëndrore është e grupuar sipas Drejtorive të përgjithshme dhe Drejtorive në përbërje të tyre. Këto janë struktura të përhershme dhe personeli i tyre ka statusin e nënpunësit të shërbimit civil. Ato duhet të marrin pjesë në formulimin, zbatimin dhe vlerësimin e politikave publike sipas sektorëve përkatës në përputhje me ligjet në fuqi dhe programin politik të qeverisë. Në një kontekst të përgjithshëm, funksionet kryesore të tyre janë:
– rregullimi dhe kontrolli,
– programimi dhe koordinimi,
– asistenca teknike ndaj institucioneve publike,
– menaxhimi i brëndshëm.
Megjithatë, funksionet dhe detyrat ministeriale nuk janë të ngurta, ato janë në mvartësi të strukturës së ministrisë. Ato përbëjnë atë që quhet burokracia ministeriale, që luan një rol qëndror në procesin e vendimmarrjes publike.
Ministritë disponojnë gjithashtu shërbimet e dekoncetruara në territorin e vendit në përputhje me ndarjen administrative. Funksionet e tyre kanë një karakter administrativ në zbatim të ligjeve dhe vendimeve të caktuara të qeverisë. Ato nuk duhet të ngatërrohen me organet e qeverisjes vendore. Të tilla janë për shëmbull, drejtoritë arësimore, drejtoritë shëndetësisë, drejtoritë e privatizimit, etj.