Administrata lokale e qeverisjes vendore

Administrata e qeverisjes vendore është pjesë e administratës publike; një pjesë e rëndësishme e punonjësve të saj nëpunës të shërbimit civil. Administrata lokale drejtohet nga organi ekzekutiv i komunës dhe bashkisë, që është kryetari i komunës dhe i bashkisë, ndërsa funksionet ekzekutive në qark kryhen nga kryetari dhe kryesia e këshillit të qarkut.

Kryetari i komunës ose bashkisë në cilësinë e organit ekzekturiv, i ndihmuar nga strukturat përkatëse të administratës, ushtron të gjitha kompetencat në kryerjen e funksioneve të komunës ose bashkisë, me përjashtim të atyre që janë kompetencë vetëm e këshillit përkatës. Ai merr masa për përgatitjen e materialeve të mbledhjeve për këshillin komunal ose bashkiak, në përputhje me rendin e ditës;  kryetari zbaton aktet e këshillit. Ai kryhen edhe një sërë detyrash administrative: emëron dhe shkarkon zëvendëskryetarin e komunës ose të bashkisë; emëron dhe shkarkon drejtuesit e ndërmarrjeve dhe institucioneve në varësi, emëron dhe shkarkon punonjësit e tjerë jodrejtues të strukturave dhe njësive në varësi të komunës ose bashkisë, përveç kur parashikohet ndryshe në ligjin për “Statusin i nëpunësit civil”. Kryetari ushtron të drejtat dhe siguron plotësimin e të gjitha detyrimeve që i janë ngarkuar komunës ose bashkisë si person juridik; ai merr masa për kualifikimin dhe trajnimin e personelit të administratës, të institucioneve arsimore, sociale, kulturore e sportive.

Çdo njësi e qeverisjes vendore i nënshtrohet kontrollit të jashtëm financiar të Kontrollit të Lartë të Shtetit për ligjshmërinë e përdorimit të burimeve financiare. Administrata lokale i nënshtrohet kontrollit të brëndshëm financiar. Komisioni i financave kontrollon të ardhurat dhe shpenzimet e kryera nga organi ekzekutiv, në përputhje me buxhetin e miratuar nga këshilli. Organi ekzekutiv i njësisë së qeverisjes vendore i raporton komisionit të financave rregullisht gjatë vitit dhe i dorëzon atij dokumentacionin e kërkuar prej tij. Organi ekzekutiv dhe administrata e tij nuk mund të bëjnë pjesë në këtë komision. Komisioni i financave kontrollon të gjithë dokumentacionin kontabël dhe financiar. Ai ka të drejtë të kërkojë auditim të jashtëm të llogarive të kryer nga ekspertë kontabël të autorizuar.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi