Roli dhe pozita juridike e Presidentit të Shqipërisë
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (neni 86/1) përcakton se “Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit”. Roli i tij konceptohet si faktor ekuilibri në jetën e vendit. Ai mund të cilësohet si një “mediator institucionesh dhe si një “pushtet asnjëanës”, domethënë si një pushtet që nuk përfshihet në lojën politike, por qëndron mbi palët dhe nuk kryhen asnjë funksion aktiv në përcaktimin dhe realizimin e drejtimit politik.
Gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, Presidenti i Republikës mbikqyr funksionimin e mekanizmit kushtetues dhe mund të ndërhyj, brënda caqeve që ia lejon Kushtetuta, ku konstaton se po cënohen rregullat që e disiplinojnë këtë mekanizëm, për të siguruar respektimin, në formë e në përmbajtje, të Kushtetutës dhe ruajtjen e një ekuilibri të drejtë ndërmjet organeve të ndryshme shtetërore. Shkalla e kësaj ndërhyrjeje varet edhe nga personaliteti i Presidentit, nga mënyra se si ai e interpreton dhe e koncepton rolin e tij. Duhet theksuar këtu se në tekstin e Kushtetutës së Shqipërisë mungon përcaktimi i rolit të Presidentit si “garant i parimeve kushtetuese”, përcaktim që e gjejmë në kushtetutat e disa vendeve që cilësohen republika parlamentare, si në rastin e Italisë.