Kuadri financiar i IPA
Zakonisht alokimi i fondeve IPA të një viti buxhetor nuk përkon me kohën kur bëhet prokurimi, kontraktimi apo pagesa e fondeve përkatëse. Psh buxheti për Shqipërinë i vitit 2012 (84,290,995 EUR) ka nisur të prokurohet vetëm në dhjetor të 2012 dhe do të vazhdojë deri në maksimum fund i 2015.
Tab. 1. Shpërndarja e fondeve IPA për Shqipërinë 2007 – 2013
Komponenti IPA | 2007 | 2008 | 2009 | 2010 | 2011 | 2012 | 2013 |
I. Asistenca e Tranzicionit dhe Ngritja e Institucioneve | 54,318,790 | 65,237,756 | 71,360,000 | 84,200,000 | 84,301,650 | 84,290,995 | 87,446,037 |
II- Bashkëpunimi nderkufitar | 6,681,210 | 8,582,244 | 9,822,921 | 9,973,173 | 10,126,636 | 10,283,169 | 10,666,232 |
TOTAL | 61,000,000 | 73,820,000 | 81,182,921 | 94,173,173 | 94,428,286 | 94,574,164 | 98,112,269 |
Burimi: EC DG Enlargement
Buxheti i IPA dhe konteksti rregullator përkatës aprovohen për periudha 7-vjecare. Më 31 dhjetor 2013 mbaron cikli aktual i programimit, ndërkohë që është duke u përgatitur cikli pasardhës shtatë-vjeçar i IPA për periudhën 2014 – 2020 (në 2014 do të aprovohen rregulla të reja). Buxheti total për periudhen 2007 – 2013 për Shqipërinë, Bosnjë – Hercegovinën, Kroacinë, Kosovën, Maqedoninë, Islandën, Serbinë dhe Turqinë është 11.5 miliard euro.
Rregullat në fuqi për zbatimin e IPA 2012, kanalizojnë fondet e BE-së në vendet e IPA-s, në pesë përbërës kryesorë:
- Asistencë në tranzicion drejt një shoqërie demokratike & ekonomie tregu, dhe ndërtimi (dhe funksionimi) i institucioneve përkatëse;
- Bashkepunimi ndër-kufitar ndërmjet vendeve IPA dhe / ose vendeve IPA dhe atyre të BE-së, me qëllim zhvillimin e rajoneve ndër-kufitare dhe përgatitjen e aktorëve të vendeve IPA për të marrë pjesë në politikat e fondeve strukturore pas anëtarësimit në BE;
- Zhvillimi rajonal i drejtuar në përmirësimin e infrastruturës në transport, mjedis dhe zhvillim ekonomik drejt standarteve të BE-së;
- Zhvillimi i burimeve njerëzore me theks në përmirësimin e kapitalit njerëzor dhe mënjanimin e përjashtimit social;
- Zhvillimi rural që përcaktohet qartësisht në zhvillimin rural të qëndrueshëm.
Shqipëria si vënd që nuk e ka marrë akoma statutin e kandidatit, mund të përfitojë fonde IPA vetëm nga përbërësit I dhe II, totali i të cilëve në 2012 është 94.5 milionë euro. Në komponentin e parë, këto fonde janë kanalizuar në sektorët e transportit, në drejtësi dhe rend, mjedis dhe zhvillim social (ku kryesisht përfshihen edukimi profesional dhe grupet vulnerabël). Mënyrat kryesore të kontraktimit janë me kontrata shërbimesh dhe punësh.
Programet e bashkëpunimit ndërkufitar (CBC) zhvillohen dhe financohen nëpërmjet komponentit II, vetëm nëpërmjet granteve. Ky bashkëpunim mund të jetë bi-lateral dhe multi-lateral. Për CBC bi-laterale, seleksionimi i granteve fituese bëhet nga një komision përzgjedhjeje dy-palësh i formuar me përfaqësues të qeverive të mbuluara nga programi. Në këtë rast Delegacioni i Komisionit Evropian në vendet respektive fillon ndërhyrjen kontraktuale vetëm pasi komisioni i përzgjedhjes bi-qeveritar (nganjëherë i ndihmuar dhe me ekspertë të jashtëm) i paraqet Delegacionit listën e projekteve të seleksionuara.
Për CBC multi-lateral (bashkëpunim i më tepër se dy vendeve kufitare) menaxhimi i fondeve u është ngarkuar organizmave të veçantë, të ndryshëm nga BE por që monitorohen dhe kontrollohen nga BE.