Kur do të fillojë procesi i vetingut në Shqipëri?
Kur do të fillojë procesi i vetingut në Shqipëri?
Ligji i vetingut ishte ligji i parë që u miratua nga Kuvendi pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese të cilat hapën rrugën për zbatimin e reformës në drejtësi. Ligji hyri në fuqi me datë 7 tetor 2016, megjithatë zbatimi i ligjit u pezullua nga Gjykata Kushtetuese me 25 tetor 2016. Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje me kërkesë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Kushtetuta i jep të drejtën të paktën një të pestën e anëtarëve të Kuvendit që të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkoi deklarimin e ligjit të vetingut si në kundërshtim me kushtetutën dhe, gjatë periudhës që gjykata duhet të shqyrtonte kërkesën dhe të merrte një vendim përfundimtar, pezullimin e zbatimit të ligjit. Siç u përmend më sipër, me 25 tetor 2016 Gjykata Kushtetuese vendosi të pezullojë zbatimin e ligjit. Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese i kërkoi Komisionit të Venecias një opinion mbi përputhshmërinë e ligjit të vetingut me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetutën e Shqipërisë.
Komisioni i Venecias u shpreh që ligji i vetingut është në pajtueshmëri me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetutën e Shqipërisë. Megjithatë, vendimin përfundimtar mbi pajtueshmërinë ose jo të këtij ligji me Kushtetutën e dha Gjykata Kushtetuese më 22 dhjetor 2016 duke i hapur rrugë zbatimit të procesit të vetingut.