Kryeministri dhe qeveria
Në të gjitha sistemet politike qeveria është një organ kolegjial, pavarësisht nëse sistemi është presidencial, gjysëm presidencial apo parlamentar. Në vende të ndryshme ndryshojnë kompetencat e kryeministrit apo të ministrave, por ajo që nuk ndryshon në çdo rast është se gjithmonë kemi të bëjmë me një organ kolegjial. Pavarësisht mënyrës së formimit të qeverisë, nga një parti apo koalicion partish, pavarësisht nëse ajo është një qeveri politike apo teknike, me mandat të plotë apo të kufizuar, në çdo rast qeveria është organ kolegjial.
Në përgjithësi, kryeministri në të njëjtën kohë luan një rol të dyfishtë. Ai është anëtar dhe kryetar i organit kolegjial, të quajtur Këshilli i Ministrave, që vendos për programin politik të qeverisë, por ai është dhe një organ monokratik, që drejton e koordinon veprimtarinë e ministrave duke siguruar unitetin e drejtimit politik të qeverisë. Për këtë arsye, në rolin e kryeministrit janë të dallueshme të dy dimensionet: ai “kolegjial” dhe tjetri “lartë-poshtë”, apo “vertikal”. Në vende të ndryshme në përputhje me sistemin politik, prevalon njëri apo tjetri dimension i kryeministrit. Ka vende ku qeveritë funksionojnë me shkallë të lartë të kolegjialitetit, apo vende ku mes kryeministrit dhe ministrave ekziston një marrëdhënie e vërtetë hierarkike.
Gjithmonë dispozitat kushtetuese të një vendi nuk bëjnë një përcaktim rigoroz, por lejojnë një fleksibilitet në harmonizimin e këtij roli të dyfishtë të kryeministrit. Kur kreu i qeverisë është dhe kreu i maxhorancës parlamentare, që përbën sot në Europë rastin më të preferuar për shkak të stabilitetit të qeverisjes, autoriteti i kryeministrit rritet së tepërmi, shpesh edhe në dëm të dimensionit të kolegjialitetit të qeverisë.
Kur qeveria mbështetet nga një koalicion partish, kryeministri është i detyruar të negociojë me drejtuesit e partive të tjera, dhe në këtë rast, rritet dimensioni i kolegjialitetit duke dobësuar autoritetin e kryeministrit. Prandaj dhe koalicionet janë më të paqëndrueshme. Kjo është arësyeja që sot tentohet në krijimin e sistemeve partiake bipolare, që sjellin qëndrueshmëri më të madhe në qeverisjen e vendit.
Por funksionimi dhe dinamika e qeverisjes varet edhe nga faktorë të tjerë të rëndësishëm, si nga raportet që ekzistojnë midis kreut të qeverisë dhe ministrave të saj, midis kreut të qeverisë dhe maxhorancës parlamentare, midis kreut të qeverisë dhe parlamentit si institucion, midis kreut të qeverisë dhe kreut të shtetit dhe së fundi prej raportit të tij me gjithë sistemin politik të vëndit. Në tërësinë e këtyre raporteve fleksibiliteti i dispozitave kushtetuese lejon të shfaqet personaliteti individual i kryeministrit. Ai mund të jetë kolegjial e parimor apo imponues e arbitrar. Kjo përcakton shumë dhe mënyrën e qeverisjes.