Borxhi për frymë në vitet 2010-2016
Borxhi për frymë është një indikator që llogaritet si raport i borxhit total të marrë dhe ende të pashlyer nga shteti shqiptar me popullsinë në një kohë të caktuar. Open Data Albania ka marrë në shqyrtim ecurinë e këtij indikatori në vitet 2010-2016
Borxhi për frymë ka njohur një rritje të shpejtë që nga viti 2010, për të arritur kulmin në 2016-n. Nga 245 151 lekë borxh publik që i takonte çdo qytetari në vitin 2010, në vitin 2016 pritet që kjo vlerë të shkojë në 375 986 lekë apo 53.37% më shumë.
Që në vitin 2013 borxhi për frymë ka kaluar kufirin e 300 000 lekëve dhe në vitin 2016 vihet re një tendencë e tij për t’ju afruar gjithmonë e më shumë nivelit të 400 000 lekëve. Një familje mesatare prej katër personash në vitin 2016 do të mbartë një borxh prej 1 503 944 lekë, nga 980 604 lekë në 2010-n.
Ndikimin më të madh në rritjen e kostos së borxhit për frymë e ka pasur rritja e vazhdueshme e stokut të borxhit ndër vite. Megjithatë, duhet theksuar se ritmi i rritjes së stokut të borxhit pas vitit 2014 ka ardhur në rënie. Në vitin 2015 borxhi u rrit me 6.66% dhe në 2016-n është parashikuar 4.03% apo rreth 42 miliardë më shumë se në vitin 2015. Nga ana tjetër, ndonëse në nivel më modest, ndikim ka dhënë edhe tkurrja e popullsisë, e cila në vitin 2016 është vlerësuar të jetë 0.22% më e ulët se në vitin 2015
Të dhënat në formë tabelare mbi stokun e borxhit, popullsinë, borxhit për frymë dhe ecurisë së tyre për periudhën 2010-2016.