Lapsus gjeografik dhe lapsus strategjik

Nga Shaban Murati, botuar në BallkanWeb, 27 korrik 2015

serbia-harteNë klimën e re të përpjekjeve të drejta për përmirësimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë, po konstatohet një lapsus….. në deklarimet e disa zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar lidhur me përkufizimin e pozicioneve gjeografike të të dyja shteteve, duke u cilësuar ato si “shtete fqinje”. Duke e analizuar me indulgjencë këtë lapsus kulturor dhe profesional, mund të thuhet se kjo ndoshta shkaktohet nga dëshira e këtyre zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar për të treguar rëndësinë, që ata u japin marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë. Mund të thuhet gjithashtu se mund të jetë nxitur nga dëshira e këtyre zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar për të veçuar prioritetin që duhet të marrin sipas tyre, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë në krahasim me marrëdhëniet e Shqipërisë me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Mund të thuhet se disa zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, të cilët po shfaqin një ngutje jonormale dhe jorealiste në platformën e tyre të përmirësimit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë, po i lejojnë vetes një gabim të rëndë gjeografik dhe një gabim të rëndë strategjik. Një gabim gjeografik të krijon kushtet për të merituar mbetjen në klasë në lëndën e gjeografisë, kurse një gabim strategjik mund t’i kushtojë shumë edhe interesit shtetëror, edhe interesit kombëtar.
Shqipëria që në vitin 1918 ka qenë fqinje me mbretërinë serbo-kroato-sllovene dhe jo me Serbinë, sepse Serbia nuk ishte shtet. Shqipëria nuk ka qenë fqinje me Serbinë, as në vitin 1929, kur u emërtua “mbretëria e Jugosllavisë”. Që nga viti 1945 Shqipëria ka qenë fqinje me Republikën Federative Socialiste të Jugosllavisë dhe jo me Serbinë, e cila nuk ishte shtet. Shqipëria nuk ishte më fqinj as i Jugosllavisë dhe jo e jo i Serbisë, që nga viti 1999, kur forcat ushtarake dhe policore serbe u detyruan nga ndërhyrja e NATO-s që të largohen tërësisht dhe përfundimisht nga territori i Kosovës dhe rrjedhimisht edhe nga kufijtë e Kosovës me shtetet e tjera, përfshirë edhe Shqipërinë. Kur Serbia në vitin 2006 u konstituua si shtet i pavarur, pas fitores së referendumit për pavarësi të Malit të Zi dhe largimit të tij nga Republika Federale Jugosllave, tashmë Serbia ishte larguar nga Kosova dhe natyrisht edhe forcat e saj nga kufijtë e Shqipërisë.
Krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës në 17 shkurt 2008 vulosi ligjërisht, ndërkombëtarisht dhe përfundimisht, ekzistencën e një shteti të ri në kufijtë me Shqipërinë. Gjeografikisht midis Shqipërisë dhe Serbisë ka një shtet tjetër, që është Kosova, i njohur nga 110 shtete të botës. Në planin gjeografik, Serbia nuk është shtet as kufitar dhe as fqinj i Shqipërisë, por është njësoj si Kroacia, me të cilin na ndan një shtet tjetër, është njësoj si Bullgaria, me të cilin na ndan një shtet tjetër, është njësoj si Turqia, me të cilën na ndan një shtet tjetër.
Gjeografia identifikohet me raportet politike e strategjike dhe sado që të përpiqesh t’u japësh rëndësi marrëdhënieve me një shtet të veçantë, ato nuk mund të klasifikohen si marrëdhënie me një shtet fqinj, kur nuk janë realisht të tilla në pozicionin gjeografik. Sepse për shembull, SHBA janë aleati ynë kryesor strategjik, por nuk mund të cilësohen dot marrëdhëniet me SHBA si marrëdhënie me një shtet fqinj. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Gjermanisë me të drejtë po marrin vendin që kanë merituar prej kohësh, por me gjithë rëndësinë e tyre, nuk mund të përkufizohet Gjermania si një shtet fqinj. Rëndësia politike e marrëdhënieve me një shtet nuk mund të konfondohet me pozicionin gjeografik. Për më tepër, në botën e sotme moderne fqinjësia e shteteve nuk ka më rëndësinë klasike, që ka pasur në marrëdhëniet ndërkombëtare të shekujve të kaluar dhe është një dukuri e zakonshme në marrëdhëniet e sotme ndërkombëtare, që aleatët politikë dhe strategjikë të kërkohen përtej fqinjësive.
Gabimi gjeografik që e përkufizon Serbinë si shtet fqinj të Shqipërisë, merr në marrëdhëniet ndërkombëtare dypalëshe dhe rajonale një përmbajtje negative politike, diplomatike dhe strategjike. Së pari, ai barazohet me mosnjohjen e një realiteti të ri ballkanik të krijuar: 1-nga prishja e Republikës Federale Jugosllave në vitin 2006 dhe krijimi i dy shteteve të reja të pavarura të Malit të Zi dhe të Serbisë dhe 2- nga krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës në vitin 2008. Ky realitet i ri gjeopolitik në Ballkan krijoi një hartë të re politike dhe përcaktime të reja strategjike.
Në këtë kuadër, në politikën e jashtme të Shqipërisë u shfaq situata e re strategjike dhe specifike e marrëdhënieve me një shtet të ri në kufijtë e saj, subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare, i cili në të njëjtën kohë është pjesë e çështjes kombëtare shqiptare. Kjo do të thotë që Kosova është shtet fqinj me Serbinë, por kurrsesi Shqipëria.
Konceptimi dhe përkufizimi i drejtë lidhet me rëndësinë strategjike dhe me perspektivën strategjike të vendit dhe rolit të Shqipërisë në rajon, të marrëdhënieve të saj me shtetet e rajonit dhe sidomos të marrëdhënieve specifike të saj me Kosovën. Përkufizimi i gabuar i Shqipërisë si shtet fqinj i Serbisë do të thotë të revokosh, me dashje ose pa dashje, realitetin e pavarësisë dhe të shtetit të pavarur të Kosovës. Do të thotë të sjellësh kufijtë e Serbisë në Morinë. Ky gabim gjeografik krijon një precedent të dëmshëm diplomatik ndërkombëtar, sepse mund të ndiqet edhe nga shtete të tjera, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën dhe të cilat mund të argumentojnë se nuk kanë arsye ta njohin një shtet, të cilin vetë Shqipëria e injoron, duke e shpallur të paqenë me përkufizimin se ajo është shtet fqinj me Serbinë.
Ky gabim gjeografik mund të ketë pasoja të dëmshme në procesin e bisedimeve dhe të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Udhëheqja e Serbisë mund të ndjehet e inkurajuar në intransigjencën e saj ndaj njohjes diplomatike të shtetit të Kosovës, kur shohin se vetë Tirana del me përkufizimin se Shqipëria është shtet fqinj me Serbinë. Është pikërisht për këtë inkurajim, që Serbia dhe diplomacia e saj ndjehen kaq të kënaqur kur dëgjojnë në bisedimet diplomatike dhe në takimet me zyrtarë të Tiranës përkufizimin se Shqipëria është shtet fqinj me Serbinë. Dhe nuk është rastësi që zyrtarët e lartë serbë dhe diplomacia serbe vazhdimisht përsërisin si refren se Serbia dhe Shqipëria janë vende fqinje.
Ky gabim gjeografik, që shqiptohet mendjelehtësisht nga disa zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, krijon habi dhe konfuzion në shtetet aleate dhe në diplomacinë perëndimore. Në kohën që aleatët e mëdhenj të Perëndimit me në krye SHBA vazhdojnë përpjekjet e tyre në arenën ndërkombëtare për të realizuar njohje të reja për shtetin e Kosovës, gabimi gjeografik shqiptar del si pengesë, sepse vetë Shqipëria insiston që të cilësojë fqinje Serbinë, në një kohë kur midis Shqipërisë dhe Serbisë është shteti i pavarur i Kosovës.
Ky gabim gjeografik krijon ndërlikime, të shprehura ose të pashprehura, në marrëdhëniet e Shqipërisë me shtetet e tjera të Ballkanit. Sepse asnjë shtet i rajonit, qoftë i Ballkanit Perëndimor, qoftë i Ballkanit të gjerë, nuk mund të dëgjojë me kënaqësi absurditetin gjeografik dhe politik të zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar, kur evidentojnë Serbinë si shtet fqinj. Pasoja më e paktë që mund të parashikohet është se shtetet e tjera të rajonit do të jenë dy herë më të përmbajtura në marrëdhëniet e tyre me Shqipërinë.
Pasojat e një gabimi gjeografik shndërrohen automatikisht në pasoja në planin diplomatik dhe strategjik. Përcaktimi i saktë gjeografik është i lidhur ngushtë me seriozitetin dhe dinjitetin e një shteti dhe të politikës së tij të jashtme. Politika e jashtme dinjitoze nuk mund të lejojë as profanizma, as diletantizma dhe as këshilltarë nga ish-Jugosllavia, siç shkruan një miku im i shquar. Sepse ka ndodhur edhe në vitin 2010, kur në marrëveshje të paraqitura në parlament nga qeveria përkufizohet e bardhë në të zezë Serbia si shtet fqinj me Shqipërinë. Ka ndodhur që edhe në bisedime diplomatike dhe politike të përkufizohet Serbia si shtet fqinj me Shqipërinë. Ka ndodhur me politikanë dhe zyrtarë të të dyja partive kryesore politike, që janë alternuar në qeverisje në Shqipëri. Përse ka ndodhur? Përgjigjet kërkojini në historinë e marrëdhënieve asimetrike të Shqipërisë me Serbinë. Unë sot për sot po kufizohem ta quaj këtë gabim gjeografik dhe strategjik një produkt i idiotëve të dobishëm të Serbisë në Tiranë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi