Të ardhurat buxhetore 2014 – 2015
Këtu janë përditësuar të dhënat mbi të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe strukturën e tyre për vitet 2014-2015. Të ardhurat totale të buxhetit të shtetit përfshijnë të gjitha të ardhurat nga burimet e ndryshme tatimore, jo tatimore dhe ndihmat e dhëna nga qeveritë e shteteve të huaja apo donatorët.
Të Ardhurat Buxhetore kanë pasur një trend në rënie në vitet 2012-2013. Ky tregues është përmirësuar ndjeshëm në vitin 2014, ku të ardhurat buxhetore ishin 366,7 miliard lekë, me një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2013. Viti 2014 përfaqëson edhe vitin në të cilin janë mbledhur më shumë të ardhura në buxhetit. Parashikimi për të ardhurat buxhetore për vitin 2015 arrijnë në 414,5 miliard lekë, pra rreth 13% më shumë se në vitin 2014.
Struktura e të ardhurave buxhetore në vitin 2014 nuk paraqet luhatshmëri të mëdha krahasuar me vitet e mëparshme. Në vitin 2014, të ardhurat tatimore zënë një peshë prej 91.6% ndaj totalit të të ardhurave buxhetore, e njëjtë kjo me vitin 2013. Pesha e të ardhurave nga ndihmat është rritur me 1% krahasuar me vitin 2013. Të ardhurat jo tatimore në vitin 2014 zënë një peshë më të vogël sesa në vitin 2013, kjo për shkak edhe të uljes së fitimit të transferuar nga Banka e Shqipërisë në buxhetin e shtetit. Struktura e parashikuar për vitin 2015 paraqitet pa dallime të mëdha nga ajo e vitit 2014.
Në vitin 2014, të gjithë zërat përbërës të të ardhurave buxhetore kanë pësuar rritje në vlerë absolute krahasuar me vitin 2013, me përjashtim të të ardhurave nga: tatimi mbi të ardhurat personale; taksa mbi biznesin e vogël; të ardhurat për kompensim në vlerë të pronarëve dhe të ardhura buxhetore nga transferimi i fitimit nga Banka e Shqipërisë. Të ardhurat nga taksa mbi biznesin e vogël dhe të ardhurat nga tranferimi i fitimit të Bankës së Shqipërisë paraqiten në vlera rënëse edhe në vitin 2015. Po ashtu, për vitin 2015, vlera në rënie parashikohen edhe për të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe dividenti.
Të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar TVSH janë një zë i rëndësishëm i të ardhurave buxhetore. Në vitin 2014 u mblodhën rreth 11% më shumë të ardhura sesa në vitin 2013, duke arritur një vlerë prej 123,8 miliard lekë. Për vitin 2015 është parashikuar të mblidhen 135,2 miliard lekë nga tatimi mbi vlerën e shtuar.
Të ardhurat nga akcizat janë një tjetër zë i rëndësishëm në të ardhurat buxhetore, i cili paraqet vlera rritëse përgjatë viteve 2013-2014 dhe në parashikimet e vitit 2015. Në vitin 2014 u mblodhën 7.2% më shumë të ardhura nga akciza sesa në vitin 2013, ndërsa në vitin 2015 është parashikuar të mblidhen 51,7 miliard lekë, rreth 26.5% më shumë se në vitin 2014.
Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin pësuan një rritje me 6,4 miliard lekë në vitin 2014 krahasuar me vitin 2013. Për vitin 2015 është parashikuar një rritje prej rreth 10% e këtyre të ardhurave krahasuar me vitin 2014.
Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale në vitin 2013 shënuan vlerën e tyre më të lartë që prej vitit 2004. Në vitin 2014 pati një rënie të këtyre të ardhurave me 2.4% krahasuar me vitin 2013. Por për vitin 2015 është parashikuar një rritje me 22.4% e këtyre të ardhurave. Këto parashikime optimiste mbështeten në ndryshimet e paketës fiskale për vitin 2015, ku të ardhurat që vijnë nga interesat, dividentët, honoraret, qiraja etj, do të kenë një shkallë tatimi prej 15% dhe jo 10% siç është aplikuar deri në fund të vitit 2014.
Të ardhurat nga taksat nacionale dhe të tjera paraqiten në trend rritës, ku në vitin 2014 u mblodhën 4,2 miliard lekë më shumë se në vitin 2013. Për vitin 2015 parashikohet një rritje me 31% e këtyre të ardhurave, mbështetur kjo në ndryshimet e ligjit për taksat kombëtare.
Të ardhurat nga taksat doganore kanë pësuar rritje në vitet 2013-2014. Edhe për vitin 2015 është parashikuar një rritje e këtyre të ardhurave me 5.2% krahasuar me vitin 2014.
Të ardhurat nga taksa mbi pasurinë dhe të ardhurat nga taksat lokale paraqiten në vlera rritëse në vitet 2013-2014 dhe në parashikimet për vitin 2015. Të ardhurat nga taksa mbi biznesin e vogël ka pësuar rënie si në vitet 2013-2014 ashtu edhe në parashikimet për vitin 2015. Pesha që zënë të ardhurat nga biznesi i vogël në të ardhurat buxhetore është shumë e vogël, në shifra nën 1%.
Në vitin 2014, të ardhurat nga sigurimet shoqërore kanë pësuar një rritje me 20% krahasuar me vitin 2013. Parashikimet për vitin 2015 tregojnë një ulje të të ardhurave nga sigurimet shoqërore me 2,4 miliard lekë kundrejt 2014-ës. Të ardhurat nga sigurimi shëndetësor paraqiten në vlera rritëse si në buxhetin faktik të viteve 2013-2014, ashtu edhe në parashikimet për vitin 2015.
Në vitin 2014, të ardhurat nga ndihmat kanë pësuar një rritje me 76% krahasuar me vitin 2013, po sërish pesha e këtyre të ardhurave ndaj totalit mbetet shumë e vogël. Në vitin 2015 pritet të merren 12 miliard lekë të ardhura nga ky zë.
Në vitin 2014, 86% e të ardhurave buxhetore u atribuohen të ardhurave që vijnë nga tatimet dhe doganat dhe të ardhura nga sigurimet shoqërore. Përkatësisht të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar zënë një peshë 33.8%, të ardhurat nga akciza 11.2%, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale 7.9%, të ardhurat nga taksat kombëtare 8.9%, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin 5.9% dhe të ardhurat nga sigurimet shoqërore 16.8%. Të gjithë zërat e tjerë të mbetur zënë pesha që variojnë nga 0.1-3%. Edhe për vitin 2015 parashikohen pothuaj të njëjtat pesha, me ndryshime të vogla.