Dimensioni rajonal i politikës së jashtme të Shqipërisë

Nga Odeta Barbullushi, botuar në Mapo Online, 28 mars 2015

eEEdsu7CNë vitin 2003, gjatë kohës kur studioja pranë Universitetit të Europës Qendrore (CEU), vendet e Vishegradit i ndante vetëm një vit nga pranimi në BE, Rumania dhe Bullgaria kishin ende rrugë për të bërë, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kishin nisur ende fazën e bisedimeve. Fjala më e përdorur në atë kohë, në fushën e shkencave politike dhe studimeve europiane ishte Europianizimi. Sot, pas më shumë se një dekade, situata paraqitet krejt ndryshe: Vendet e Vishegradit, Sllovenia, Rumania dhe Bullgaria, plus Kroacia, janë anëtare të plota, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia janë vende kandidate, ndërsa Bosnje-Hercegovina dhe Kosova janë ende në fazën e implementimit dhe negocimit të Marrëveshjeve të Stabilizim-Asociimit. Por ndërkohë që ritmi i anëtarësimeve të mëparshme ka qenë i shpejtë, tashmë duket se ka një ndryshim humori në BE përsa i përket politikës së zgjerimit. Ashtu si kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, theksoi disa muaj më parë: nuk pritet që të ketë anëtarësime të reja në Bashkimin Europian, të paktën gjatë 5 viteve në vijim. Konflikti në Ukrainë, dalja nga kriza ekonomike dhe rreziqe të reja si terrorizmi, por dhe situata politike në disa vende të rajonit, janë çështjet që shqetësojnë më shumë BE-në sot sesa zgjerimi i mëtejshëm me vendet e Ballkanit Perëndimor. Rrjedhimisht, duke qenë se vetë termi i ‘Ballkanit Perëndimor’ është një term i prodhuar nga perspektiva e zgjerimit dhe stabilizimit që ofroi Bashkimi Europian për vendet e këtij rajoni, kryesisht pas konflikteve në ish-Jugosllavi në fundvitet ‘90, duket se dhe vetë ‘bashkëpunimi rajonal’ e ka humbur tërheqjen e tij.

Këtu do të argumentoj se në fakt, ky është një moment i volitshëm për ta rivitalizuar bashkëpunimin rajonal dhe se ajo çka e bashkon këtë objektiv me projektin e integrimit europian, është nevoja për zhvillim ekonomik, ndërlidhje më të mirë të vendeve tona, forcim të kapitalit njerëzor dhe integrim të tregjeve.

I.

Për një kohë shumë të gjatë, ‘Ballkani Perëndimor’ ka shërbyer si një metaforë për gjithçka që nuk shkonte mirë në lidhje me ndërtimin e shtetit dhe të demokracisë. Në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria nuk ka trashëguar problematikën e konflikteve etnike të viteve ‘90. Problemet e saj kryesore kanë qenë kryesisht të lidhura me politikën e brendshme. Antagonizmi i theksuar midis partive kryesore ka shërbyer si pengesa kryesore për arritjen e konsensusit dhe implementimin e reformave për një kohë të gjatë. Gjithashtu, institucionet e dobëta dhe mosimplementimi i ligjeve në fuqi, papajtueshmëria e ligjeve në letër dhe praktikave në terren, sollën si rrjedhojë rritjen e mosbesimit ndaj shtetit në tërësi. Janë këto dy fronte, rritja e besimit në idenë dhe realitetin e ‘shtetit’ dhe forcimi i konsensusit të brendshëm në lidhje me reformat për anëtarësimin në BE, dhe më gjerësisht, për modernizim dhe demokratizim, ku Shqipëria aktualisht po përqendron forcat dhe energjinë e saj.

Përse na nevojitet bashkëpunimi rajonal? Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se jemi vende të vogla dhe kjo do të thotë tregje të vogla. Por, nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë se nuk mund të ofrojmë mundësi për një rritje ekonomike të mëtejshme; përkundrazi potenciali ynë do të rritet ndjeshëm nëse do unifikojmë tregjet, gjë që do të incentivojë sipërmarrësit e huaj të investojnë në rajon, të unifikojmë standardet e shërbimeve dhe të forcojmë konkurrencën. Për më tepër, na duhet të bashkëpunojmë që ta kemi më të lehtë të udhëtojmë nga njëri vend në tjetrin, pa shpenzime dhe pengesa të tepërta.

Për një kohë të gjatë, vendet e rajonit nuk mundën të shpëtonin nga nofka “Ballkan”. Sot këto vende gjenden më të bashkuara përkundrejt sfidave ekonomike që Europa po has. Përveç nevojës për institucione të forta dhe modernizim përbrenda, ajo çfarë i bën këto vende të krijojnë një bashkëpunim rajonal është niveli i ulët i liberalizimit të tregjeve të brendshme, i inovacionit dhe kapitalit njerëzor, infrastruktura e dobët, shkalla e madhe e informalitetit e ekonomive tona, dhe për me tepër, hendeku i madh ekonomik mes vendeve tona dhe atyre të Bashkimit Europian. Për këto arsye, bashkëpunimi rajonal duhet të përqendrohet në të gjitha nivelet: bilateral, shumëpalësh dhe europian. Në këtë kontekst, përvoja e vendeve të Vishegradit si një formacion rajonal, është një shembull nga mund të mësojmë shumë.

Në nivelin bilateral, që nga viti 2013, ne kemi krijuar një partneritet strategjik me Kosovën, në bazë të të cilit janë nënshkruar marrëveshje të tregtisë së lirë mes dy vendeve tona, marrëveshje për njohjen e diplomave të studentëve të të dyja anëve; kemi rënë dakord për lehtësimin e tarifave doganore dhe po punojmë drejt bashkërendimit në fushën e sigurisë së brendshme, si dhe për lehtësimin e tregtisë dhe standardizimit të disa produkteve bujqësore. Në fushën e energjetikës, po vazhdojmë ndërtimin e linjës tranzitore të energjisë elektrike (400 KW), si dhe ndërtimin e linjës së Interkonjeksionit (po 400 KW) mes Elbasanit dhe Manastirit, në Maqedoni.

Mbledhjet e përbashkëta qeveritare mes Shqipërisë dhe Kosovës janë tashmë një praktikë e re pune. Në mbledhjen e dytë të përbashkët mes dy qeverive në Tiranë, dy palët angazhohen të punojnë drejt krijimit të zonave të lira ekonomike ndërkufitare, kryesisht në zonën e pazhvilluar Has-Gjakovë-Tropojë, krahinë kjo që historikisht ka qenë një zonë e përbashkët ekonomike. Megjithatë, ne e gjykojmë të rëndësishme që ekonomia duhet të zhvillohet paralelisht me përfshirjen e Kosovës në të gjitha nismat dhe iniciativat rajonale.

Po ashtu, në nivelin politik, pas më shumë se pesë dekadash marrëdhënie të ngrirë me Serbinë, dy vendet janë tashmë në një stad të ri. Marrëdhënia mes këtyre dy vendeve është ‘unike’ në disa aspekte, kryesisht për shkak të çështjes së Kosovës dhe perceptimeve historike të ngulitura thellë. Kjo duhet të ndryshojë, pasi nuk mund të vazhdojmë të mohojmë faktin që jetojmë në të njëjtin rajon. Për më tepër, ne jemi të vetëdijshëm se marrëveshjet tregtare rajonale sjellin përfitime, por për të shkuar aty, duhet të krijojmë besim dhe vazhdimësi. Vizita e kryeministrit shqiptar në Beograd në nëntor të 2014-s e theu këtë ngricë në sipërfaqe të marrëdhënieve tona, dhe i hapi rrugë dialogut institucional mes vendeve tona. Në maj të këtij viti ne presim kryeministrin serb, Vuçiç të vizitojë Tiranën. Për sa i përket Malit të Zi, krenohemi me marrëdhëniet tregtare me këtë vend dhe bashkë me Kosovën, jemi më të integruarit në rajon përsa i përket marrëveshjeve tregtare dhe lehtësirave doganore. Përsa i përket Maqedonisë, është e rëndësishme që zhvillimi ekonomik të shkojë dora-dorës me ndërtimin e institucioneve gjithëpërfshirëse, në zbatim të Marrëveshjes së Ohrit. Megjithëse tanimë vend anëtar i BE-së, Kroacia është po ashtu një vend i rëndësishëm për ne, me të cilin punojmë ngushtësisht. Kjo jo vetëm se jemi të dyja vende anëtare në NATO dhe se ndajmë bregdetin Adriatik, por edhe se ndajmë pikëvështrime të ngjashme në lidhje me stabilitetin në rajon. Një projekt prioritar me interes të përbashkët me Kroacinë është ndërtimi i gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP). Për ne, ky është një projekt, i cili jo vetëm do të diversifikojë burimet e energjisë, por do të krijojë hapësira pune dhe një hapësirë në tregun e energjisë në Europën Juglindore dhe në Europë.

Përveç energjisë, është e rëndësishme që ne të kemi rrugë tokësore dhe ajrore që të na bëjnë të mundur udhëtimin brenda përbrenda rajonit më lirë dhe më shpejt. Prandaj një prioritet i yni është ndërtimi i Autostradës së Kaltër që fillon nga Italia, kalon nëpërmjet Sllovenisë dhe Kroacisë, zbret përgjatë detit Jon dhe përfundon në Greqi.

II.

Por a ka ngjashmëri mes Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Vishegradit? Dallimet mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të Vishegradit para anëtarësimit të tyre në BE në 2004, janë të mëdha. Vendet e Vishegradit ishin shumë më të përgatitura të fillonin europianizimin në shumë drejtime, për shkak të faktit se në këto vende ekzistonte një kulturë politike më pluraliste para vendosjes së komunizmit, gjë që e bëri tranzicionin demokratik dhe progresin e reformave më të lehtë. Së dyti, kushtet dhe kriteret e anëtarësimit ishin më pak dhe më të lehta për këto vende sesa janë për vendet e Ballkanit Perëndimor, për arsye evidente. Po ashtu, këto vende ishin më të integruara me njëra-tjetrën, njihnin njëri-tjetrin më mirë dhe kishin bashkëpunim më të fortë dhe përpara anëtarësimit. Por e fundit, dhe më e rëndësishmja në kontekstin e këtij diskutimi, vendet e Ballkanit Perëndimor janë shumë më të varfra seç ishin vendet e Vishegradit në stadin e vendeve kandidate për anëtarësim. Prandaj ne kemi nevojë, dhe më shumë se ç’kishin nevojë vendet anëtare tashmë të Europës Qendrore dhe Juglindore, për mbështetjen financiare të BE-së përpara anëtarësimit të plotë. Zhvillimi ekonomik dhe reformat drejt anëtarësimit duhet të ecin krah përkrah, me synim që në momentin e anëtarësimit të plotë në BE të vendeve tona, mos të kemi një rajon të varfër dhe me një hendek të dukshëm ekonomik nga pjesa tjetër e Bashkimit Europian. Për këtë qëllim, ne e shohim procesin e Berlinit, i lançuar në gusht të vitit të kaluar si një projekt zhvillimi dhe rritjeje ekonomike, dhe jo vetëm projekt paqeje.

Për Shqipërinë dhe për të gjithë rajonin, ndërtimi i rrugëve dhe përmirësimi i ndërlidhjes mes vendeve të rajonit mbetet një projekt thelbësisht modernizimi nga brenda dhe nga jashtë i shteteve tona. Kjo do të thotë që europianizmi nga brenda i vendeve të rajonit duhet të shihet i pandarë nga ‘qeverisja ekonomike rajonale’, që do të thotë bashkërendim i planeve ekonomike, unifikim i standardeve, nxitje e konkurrencës dhe e investimeve dhe zhvillim i qëndrueshëm, më një vëmendje jo të vogël drejt mjedisit. Për këtë, ne kemi nevojë jo vetëm për vullnet politik, por gjithashtu për investime në njohuri; ne kemi nevojë për të futur praktika të reja të cilat mbështesin këtë bashkëpunim rajonal. Prandaj, takime të përbashkëta qeveritare, forume periodike rajonale mes nesh, si dhe mes nesh dhe shteteve anëtare të BE-së na ndihmojnë të bisedojmë më mirë në kuptimin primar të fjalës dhe të kuptojmë më mirë nevojat e secilit.

Për një kohë të gjatë, ‘Ballkani’ është krijuar vetëm nga këndvështrime të jashtme. Vërtet, dimensioni rajonal i politikës së jashtme u krijua fillimisht në përgjigje të prioriteteve dhe shqetësimeve të sigurisë të vendosura nga BE-ja në fund të viteve ‘90. Por ne jemi të vetëdijshëm se “rajonet e qëndrueshme” dhe të suksesshme janë ndërtuar nga brenda, dhe jo nga jashtë. Ky është një moment i mirë për ta ndërtuar rajonin nga brenda, duke u nisur nga vetë nevojat dhe potencialet specifike të vendeve tona, dhe duke i komunikuar këto me një zë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi