Rrënjët e Evropës
Sipas Alessandro Barbero është historian i specializuar mbi periudhën Mesjetës, autor i librit “Karli i Madh, një baba për Evropën”
Për shumë vetë, ajo ishte periudha e të ashtuquajturve “shekuj të errët”, që përfshin përiudhën ndërmjet rënies së Perandorisë Romake dhe “bumit” të viteve një mijë, e etiketuar nga studiuesit si Mesjeta e hershme. E megjithatë ajo ishte epoka ku mori formë Mesjeta ashtu si ne e imagjinojmë sot: në politikë, ekonomi, në jetën e përditshme të manastireve dhe qyteteve, në zakonet e feudalëve dhe kalorësve. Sikurse shpjegohet nga historiani Alesandro Barbero, ai që e kreu atë revolucion dhe bashkoi gjysmën e Evropës 1200 vjet më parë, ishin Karli i Madh dhe dinastia e tij “barbare”
Përse midis mbretërive të ndryshme barbare spikatën pikërisht Frankët?
Frankët patën që në fillim disa avantazhe. Ata u vendosën në një provincë romake, Galinë, e cila kishte një ekonomi shumë të shëndoshë, dhe mbi të gjitha ishte mjaft e pavarur nga tregtia mesdhetare, si dhe investimet e mëdha perandorake. Për këtë arsye shkëputja e saj nga Perandoria Romake nuk pati të njëjtin efekt traumatik mbi ekonominë, sikurse ndodhi në fakt me vendet e tjera, si në Afrikë apo Itali. Ata u vendosën në mënyrë mjaft paqësore, pa shkatërrimet që shoqëruan për shembull dyndjet e vandalëve apo lombardëve. U konvertuan në fenë katolike, të njëjtën fe të Kishës dhe popullatës lokale, ndërsa të gjithë popujt e tjerë gjermanikë arritën në Perëndim, tashmë konvertuar në fenë e krishterë, por në variantin e saj arian. Prandaj Frankët, farkëtuan një marrëdhënie të ngushtë bashkëpunimi me Peshkopatën e Galisë, dhe në rrafshin ndërkombëtar, me Kishën e Romës. Në një kohë që mbretëritë e tjera romako-barbare, u desh të përballeshin me probleme të mëdha të bashkëjetesës mes katolikëve dhe arianëve.
Me Karlin e Madh, Evropa përjetoi një rilindje. Si ndryshuan jetët e njerëzve në territoret që iu bashkëngjitën perandorisë?
Ndryshime pati për të gjithë, edhe nëse jo në çdo rast përsa i përket kushteve të jetesës së përditshme. Njerëzit mësuan të përdorin një monedhë të vetme, e cila qarkullonte në të gjithë Evropën. Ajo sigurohej me bollëk dhe ishte e garantuar nga Perandori. Sistemi karolingian, i ndarë në prerjen e një lire me 20 nëndarje, u rrënjos në mendje me aq shumë vështirësi, sa edhe stërgjyshërit tanë monedhën 5 centëshe, që është 1/20 e lirës, e quanin “një qindarkë”. Në menaxhimin e pronave të mëdha, u aplikuan sistemet administrative të Galisë franke (sistemi i çifligut), që lejoi një minimum riorganizimi administrativ produktiv. Por kjo më shumë në dobi të pronarëve, sesa të punëtorëve. Punonjësit fermerë e panë veten shumë më të kontrolluar, e me më pak dallime mes njerëzve të lirë dhe robërve. Aristokracia u inkurajua që t’i përkushtohej armëve, të mbarështonte kuajt për luftëra, të lidhej në raporte besnikërie: një ideal frank, që u përhap në të gjithë Evropën, dhe që është në gjenezën e kalorësisë dhe shoqërisë feudale. Kush i përkushtohej jetës intelektuale dhe refleksioneve teologjike nëpër katedrale dhe manastire, e gjeti veten duke punuar në një ambjent më ndërkombëtar, me një qarkullim më të madh të dorëshkrimeve, falë përhapjes së shkrimit me gërma të vogla karolingiane.
Si ishte Perandoria e Shenjtë Romake?
Perandoria karolingiane ishte plotësisht romake nga pikëpamja ideologjike. Të gjitha pikat e referencës politike dhe ideologjike shikonin prapa, në Romë. Megjithatë jo në Romën e Augustit, por atë të Konstandinit. Një fuqi, që ribashkonte popuj të ndryshëm, nën një sovranitet të vetëm. Në rastin e Karlit një fuqi katolike, e cila e konsideronte veten një mbrojtëse e Kishës, dhe që bashkëpunonte ngushtësisht me peshkopin e Romë, nuk mund të ishte gjë tjetër veçse “romake”. Nga ana tjetër, edhe perandoria, që ne e quajmë bizantine ishte dhe e konsideronte veten romake në të gjitha aspektet (Konstandinopoja ishte “Roma e dytë”). Ndërkohë perandoria karolingiane nuk ishte minimalisht romake nga pikëpamja territoriale. Dominimi i Romës shtrihej mbi 3 kontine, duke patur Mesdheun në qendër. Ajo e Karlit ishte një perandori pastërsisht evropiane dhe perëndimore, me Mesdheun si kufi.
Karli i Madh ishte me të vërtetë babai i Evropës?
Evropa, ishte një koncept i pakuptimtë për romakët, të cilët dominuan një hapësirë gjeopolitike të shtrirë në 3 kontinente. Kur me pushtimet barbare perandoria u nda, ekleziastët e Perëndimit filluan të përdorin termin Evropë, për të treguar pjesën e tyre të botës. Pra, kur gjyshi i Karlit të Madh, Karl Çekiçi, mundi arabët në Poitier (viti 732), një kronist spanjoll i quajti fitimtarët “europenses”. Dhe nuk është e çuditshme që kur Karli bëhet sundimtari më i fuqishëm i asaj bote, ka autorë që flasin për “Regnum Europae” ose që e etiketojnë Karlin si “rex Pater Europae” (mbreti dhe babai i Evropës”). Ishte e njëjta Evropë që vijoi të kuptohet si e tillë, deri në fund të shekullit XX, para zgjerimit të parë në Lindje: një Evropë e identifikuar me Perëndimin, e cilat nuk përfshinte botën greko-bizantine dhe Ballkanin.
(www.historia.al)/