Teoritë sociologjike mbi pushtetin politik

Në të gjitha periudhat historike jeta sociale e individëve bazohet kryesisht në raportet e pushtetit sipas binomit urdhër-bindje. Me formimin e shteteve moderne dhe si rrjedhim afirmimin e parimit të demokracisë, besohej që raportet urdhër-bindje dhe dhunat detyruese, tipike të shteteve autoritare, do të zhdukeshin. Në realitet, si vë në dukje Heinrich Popitz, dhuna mund të kufizohet por nuk mund të zhduket, sepse edhe shtetet demokratike duhet të përdorin forcën detyruese për të mbajtur rendin social dhe për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e fituara. Mbi këtë bazë mund të pranojmë që ushtrimi i pushtetit ka një rol themelor në raportet midis personave dhe midis tyre dhe shtetit.

Hobbes dhe origjina e shtetit modern

Thomas Hobbes në librin e tij Leviatano shpjegon origjinën e pushtetit politik si lëshim vullnetar i lirisë si dhe pushtetin e pakushtëzuar nga ana e individëve përmes një pakti reciprok të vet-ruajtjes. Në të vërtetë, në mungesë të shtetit, njëriu gëzon të drejtën mbi gjithçka dhe mbi të; duke mos pasur asnjë mundësi arbitrimi, ai ndodhet në gjëndjen e një lufte të përhershme. Në heqjen dorë plotësisht nga bashkëjetesa reciproke e njërzve në vetqeverisje bazohet legjitimimi i pushtetit të shtetit, ku transferohet sovraniteti absolut. Teoritë e tij shërbejnë për të spjeguar si shtetin totalitar, ashtu edhe shtetin-komb modern.

Teoria e Weber

maxweberSociologu gjerman Max Weber, në librin e tij Ekonomia dhe Shoqeria, përkufizon pushtetin si aftësia e një aktori social për të ushtruar (nganjëherë përmes përdorimit të forcës) kontroll mbi sjelljet e aktorëve të tjerë, edhe pa pëlqimin e këtyre të fundit, duke kushtëzuar vendimet e tyre. Weber e kupton pushtetin si pasuri, prestigj, status, forcë numerike dhe fizike, eficiencë organizative, gjithçka që ofron një avantazh. Sociologu ka zhvilluar një teori të artikuluar që ka patur një ndikim të madh. Weber dallon dy koncepte: konceptin Macht (fuqia) dhe Herrschaft (pushteti legjitim). Me termin fuqi ai nënkupton “çdo mundësi që të predominojë brënda një raporti social, edhe kundrejt një kundërshtimi, vullnetin e vet, cilado që të jetë baza e kësaj mundësie”; me termin pushtet legjitim nënkupton “mundësinë e gjetjes së bindjes tek disa persona, në një urdhër që ka një përmbajtje të caktuar”. Shprehja e parë i referohet një raporti social ku subjekti më i fortë mund të predominojë vullnetin e vet në çdo rast; shprehja e dytë i referohet raporteve ku subjekti i dobët pranon vendimet e tjetërkujt sepse i njeh të vlefshme dhe si rrjedhim legjitime. Weber, duke u bazuar mbi këtë koncept të dytë, realizoi tipologjine e tre formave të legjitimitetit të pushtetit: pushtetit tradicional, pushtetit karismatik dhe pushtetit racional-legal.

Përveç pushtetit politik, Max Weber indivdualizon edhe dy forma të tjera të pushtetit: pushtetin ekonomik dhe pushtetin ideologjik. I pari ushtrohet nga ai që zotëron burime materiale dhe financiare, që e lejojnë atë të nxis ata që nuk i kanë këto mundësi për të patur sjellje të caktuara. I dyti konsiston në aftësinë për të ndikuar mbi idetë e njërzve prej atij që është investuar prej një lloj autoriteti. Weber e konsideron pushtetin politik si një pushtet sovran, të gjitha pushtetet e tjera janë të ndërvarura prej tij. Kjo sepse shteti influencon dhe rregullon të gjithë aktivitetin njërzor, si atë social, ekonomik, kulturor, etj.

Origjina e pushtetit politik

Sipas Weber lindja e pushtetit politik ndodh gjatë kalimit nga grupet sociale të mbyllura në një komunitet politik, si dhe së fundi me lindjen e Shtetit modern. Weber nënvizon se grupet sociale karakterizohen nga raporte sociale të mbyllura sepse nuk lejojnë hyrjen e anëtarve të rinj. Ky ndalim bëhet i mundur nga disa persona të predispozuar për këtë. Gjatë zhvillimit të tyre, disa prej këtyre bashkimeve sociale bëhen grupe të vërtetë pushteti, të paisur me aparate të mirëorganizuara. Së fundi, duke i zgjeruar veprimet jashtë grupeve, veprime të cilat më parë zhvilloheshin vetëm në brëndësi, ata përpiqen për të kontrolluar territorin dhe banorët. Kështu ata organizojnë jetën në atë territor të caktuar përmes përdorimit të mjeteve shtrënguese. Lind kështu një komunitet i vërtetë politik, që në momentin e institucionalizimit, i jep jetë shtetit modern.

Shtetet moderne për të ushtruar pushtetin politik kanë nevojë për një aparat administrativ. Një aparat i tillë administrativ paiset me njërëz të specializuar në role të ndryshme. Detyra kryesore e anëtarëve që përbëjnë aparatin administrativ është të zbatojnë vendimet e marra nga autoriteti (Shteti). Weber përdor termin burokraci për të përcaktuar organizimin administrativ. Ai përshkruan një lloj burokracie ideale.

Karakteristikat kryesore të këtij modeli ideal janë si më poshtë :

  • Ndarja dhe specializimi i punës;
  • Struktura hierarkike e aparatit administrativ;
  • Punësimi me kontratë;
  • Shpërblimi në të holla i personelit;
  • Ndarja midis njërzve dhe mjetet e administratës;
  • Ndarja ndërmjet njërzve dhe zyrave;
  • Aparati administrativ i nënshtrohet kontrolleve dhe rregullave.

Në përfundim mund të themi se sipas Weber ushtrimi i pushtetit politik kërkon legjitimitet, një strukturë administrative dhe “monopolin legjitim të forcës”.

Teoritë elitiste

Teoritë elitiste konvergojnë të gjitha mbi faktin që në shoqëri është një minorancë në pushtet dhe një mazhorancë që i nënshtrohet asaj. Midis studjuesve më të rëndësishëm të kësaj rryme janë: Gaetano Mosca, Vilfredo Pareto, Robert Michels. Me interes të vecantë janë studimet e kryera nga Michels mbi partitë politike dhe organizimin e tyre. Duke analizuar strukturën e partive ai formuloi “ligjin e hekurt të oligarkisë”, nëpërmjet të cilit ai vuri në dukje se si partitë tentojnë të koncetrojnë pushtetin në një rreth të kufizuar njërzish, duke krijuar një shkëputhje gjithmonë e më të madhe midis drejtuesve të partisë dhe anëtarëve të saj. Një distancë e tillë, sipas Michels, provokon një organizim oligarkik të partisë. Forma oligarkike bën që drejtuesit të ndjekin në fakt interesat e tyre dhe vetëm formalisht interesat e masës së partisë. Michels tregoi se si organizimi oligarkik i partive lejon të koncetrohet pushteti në duart e pak drejtuesve, duke penguar që kandidaturat politike të bëhen nga poshtë. Kjo ndodh kur partitë janë një organizatë komplekse, që për t’u drejtuar ka nevojë për kompetenca specifike; ata që zotërojnë këto kompetenca formojnë atë oligarki që duke u strukturuar në mënyrë burokratike, vë në duart e drejtuesve pushtetin vendimmarrës, që duhet ta kishin bashkë me antarësinë e partisë.

Teoria strukturore funksionaliste

Në qëndër të kësaj rryme të mendimit është Talcott Parsons. Ai përpunoi një teori shumë komplekse mbi sistemin social. Sipas autorit, sistemi social përbëhet nga disa nënsisteme funksionale. Nënsistemet funksionale janë katër: ai ekonomik, ai kulturor, ai integrativ dhe ai politik. Teoria e Parsons kërkon të spjegojë funksionin që kryejnë nënsistemet e ndryshme të shoqërisë. Sistemi social i teorizuar nga sociologu është në një zhvillim dhe rinovim të vazhdueshëm, pra edhe funksionet e nënsistemeve tentojnë të ndryshojnë. Nënsistemi politik, i menduar nga Parsons, përdor pushtetin për të ndërvepruar me nënsistemet e tjera të shoqërisë. Në analizin e Parsons pushteti ka funksion transformimi, zhvillimi dhe integrimi të shoqërisë. Struktura politike (Shtetit) vë në punë vendimet përmes përdorimit të pushtetit. Si konkluzion, Parson pohon që pushteti politik duhet të përdoret për të mbajtur rendin social dhe për bërë të mundur që nënsistemet e tjerë të veprojnë sa më mirë.

 Teoritë “neoelitiste”

Teoritë “neoelitiste” pohojnë se si pushteti politik-administrativ, ashtu dhe pushteti social në përgjithësi janë të lidhur me pasurinë ekonomike të një rrethi të kufizuar personash. Floyd Hunter, nje eksponent i rëndësishëm i kësaj rryme mendimi, pasi kreu studimet mbi një qytet amerikan, arriti në konkluzionin se burimi kryesor i pushtetit është pasuria ekonomike. Ai vuri në dukje që jeta politike e një qyteti është e përcaktuar nga interesat e sipërmarsve. Sipas Hunter, vendimet e rëndësishme për një qytet merren nga ata që zotërojnë pasurinë ekonomike. Vendime të tilla nuk formalizohen në brëndësi të një pallati politik, por janë rezultat i mbledhjeve të “nivelit të lartë” që zhvillohen në klubet ose banesat private.

Një studjues tjetër i rëndësishëm i kësaj rryme është Charles Wright Mills. Sipas Mills kjo përputhje e interesave bën që pushteti politik të jetë vetëm formalisht dhe në dukje demokratik, ndërsa në realitet ai është thjesht oligarkik. Tezat e Mills mund të sintetizohen si më poshtë: është vetëm një klasë drejtuese e përbërë nga sipërmarrës, politikanë dhe ushtarakë; një klasë e tillë drejtuese merr lirisht vendimet pa iu nënshtruar një kontrolli efektiv popullor. Dominimi i kësaj elite mbi shoqërinë është pothuaj total.

 

 

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi