Demokracia pjesmarrëse
Demokracia pjesmarrëse është formë e ndarjes dhe ushtrimit të pushtetit, e bazuar në rritjen e pjesmarrjes së qytetarëve në marrjen e vendimit politik. Synimi i pjesmarrjes qytetare është: “të demokratizohet demokracia”
E shfaqur për herë të parë në vitet 1960, koncepti politik i demokracisë pjesmarrëse është zhvilluar në kontekstin e shumë pikpyetjeve të lindura mbi kufijtë e demokracisë përfaqësuese në kushtet e një sistemi maxhoritar zgjedhor, të profesionalizmit të politikës dhe të rritjes së rolit të ekspertëve. Demokracia pjesmarrëse afirmon domosdoshmërinë e vënies në dispozicion të qytetarëve të mjeteve të debatimit, të shprehjes së opinioneve të tyre dhe të vlerësimit të vendimeve që kanë lidhje me ta. Qytetarët, duke u përfshirë me përpunimin e vendimeve politike, favorizojnë transparencën e veprimit publik, përmirësojnë cilësinë e debateve politike dhe vlerësojnë, pa vetkënaqësi, cilësinë e shërbimeve publike: ata janë legjitim të marrin pjesë në mënyrë të drejtpërdrejt në ndërtimin e interesit të përgjithshëm.
Demokracia pjesmarrëse frymëzohet gjithashtu edhe prej zhvillimeve të reja teknologjike dhe shkencore. Në veprën “Të veprosh në një botë të pasigurtë” të Michel Callon, Pierre Lascoumes dhe Yannick Barthe, thuhet: “Përparimet e shkencave dhe të teknikës nuk janë më të kontrollueshme prej institucioneve politike që ne sot disponojmë.” Vendimmarrsit duhet të kenë, në rastin e gabimit, mundësinë e korrigjimit të vendimeve publike dhe të rikonsiderimit të opsioneve që ata nuk kishin konsideruar më parë. Për të evituar të papranueshmen, duhet hequr dorë nga kuadri i vendimeve tradicionale të prera dhe kategorike duke i zëvëndësuar ato me akte të matshme, të pasuruara edhe prej kontributeve të atyre që nuk kanë njohuritë e duhura. Kjo kërkon rivitalizimin e demokracisë. Domosdoshmëria e pjesmarrjes qytetare bazohet mbi një rol dhe një pushtet që i përket përsëri qytetarëve. Kjo mbështetet, siç, shprehej filozofi pragmatist John Dewey, mbi një “qytetari aktive dhe të informuar” dhe mbi “formimin e një publiku aktiv, të aftë të tregojë një kapacitet hetimi dhe kërkimi për një zgjidhje në përshtatje me problemet e tij”. Për të përshkruar këtë lëvizje të pushtetit dhe pozicionin aktiv të tij, në gjuhën angleze përdoret termi “empowerment” (dhënie fuqi, autorizim), e përkthyer në frëngjisht “empouvoirisation” ose “capacitation”. Meqë ai merr pjesë në realizimin e idealit demokratik të “pushtetit të popullit”, mund të thuhet thjesht “demokratizim”.
Demokracia pjesmarrëse nuk duhet thjesht të reduktohet në një “demokraci të opinioneve”, por duhet të krijojë kushtet e nevojshme për zhvillimin e një debati publik të hapur dhe deliberativ. Domosdoshmëria deliberative bazohet mbi një logjikë të thjeshtë: sa më e mirë është cilësia e debatit, aq më lëgjitime dhe efikase janë vendimet që dalin prej tij. E gjithë çështja kthehet tek kushtet e një debati të mirë dhe sidomos tek cilësia e proçedurës deliberative për të arritur në atë që J. Habermas e quan “një mirëkuptim racionalisht i motivuar”. Fjala është për lirinë e pjesmarrësve në debat (ata duhet të jenë “aktiv dhe të hapur”, “pa çdo lloj forme detyrimi” dhe të vet debatit (ai duhet të jetë publik dhe potencialisht i hapur për të gjithë). Natyrisht, nuk duhet kaluar në një përkufizim të tepruar normativ të “qytetarit ideal”, por në kushtet e “qytetarit real”.
Koncepti i demokracisë pjesmarrëse nuk ja rijep pushtetin qytetarit, qytetarët konsultohen, është i zgjedhuri ai që mban pushtetin. Kjo nuk është demokraci direkte ose një demokraci e vërtetë në kuptimin etimologjik dhe politik. Demokracia pjesmarrëse është një formulë e lakmuar, një etiketë komunikimi, që sjell përsëri një demokraci të deformuar, ku pushteti i vërtetë i përket një elite.
Demokracia pjesmarrëse, duke mos kundërshtuar, bazat e demokracisë përfaqësuese, paraqitet si një formë plotësuese në procesin e marrjes së vendimeve; ajo ruan rolin dhe rëndësinë e të zgjedhurve por duke bashkuar më gjërësisht dhe më drejpërdrejt qytetarët në përpunimin e interesit të përgjithshëm.