Ismail Kadare: Plani serb, shqiptarët të turqizuar e kundër Evropës
Nga Ismail Kadare, intervistë për gazetën “Zëri”
Për fat të keq, bota i sheh shqiptarët më keq se ç’janë, më pak të emancipuar dhe më shumë të pagdhendur. Për një vizion të pasaktë, vështruesi mund të ketë gabimin apo fajin e vet”, kështu thotë në një intervistë për gazetën “Zëri”, shkrimtari Ismail Kadare.
Në përvjetorin e çlirimit të Kosovës, Kadare rikujton se 15 vjet më parë në historinë e Evropës dhe të SHBA-ve ndodhi diçka tepër e rrallë, për të mos thënë e panjohur, një luftë e një lartësie morale të paparë, që kryente pjesa më e përparuar e botës, për mbrojtjen e një populli gjysmë të humbur e të braktisur, Kosovës. Sa i përket rritjes së disa grupeve antiperëndimore mes shqiptarëve, të indoktrinuar nga ideologji ekstremiste fetare, Kadare thotë se ky akt është më shumë se mosmirënjohje, është një projekt i hershëm serb…
Kosova gjashtë vjet shtet i pavarur, në anën tjetër kemi Shqipërinë mbi 100 vjet shtet. Çfarë drejtimi janë duke marrë shqiptarët?
Kahu që janë duke marrë shqiptarët, përpara se të cilësohet i tillë, apo i atillë, mendoj se ka një cilësim: ai është kahu i vetëm. Çdo kah tjetër nuk do të ishte veçse një rrugë pa krye, një moskah, po të përdorim një fjalë të guximshme. Shkëputja nga Evropa dhe rikthimi në të është një histori sa e vjetër aq dhe e re.
Gjeografikisht jemi në Evropë, por cila është mendësia e shqiptarëve, sa afër Evropës realisht jemi?
Jo vetëm jemi, por kemi qenë gjithmonë gjeografikisht në Evropë. Për shqiptarët s’ka pasur një tjetër gjeografi nga e cila ata kanë dalë, për të zgjedhur një më të mirë, ose më përfituese… Pas bombave, ishte pikërisht Evropa ajo, (Evropa e artit, elegancës dhe e sqimës, siç na pëlqen ta përfytyrojmë), që gjeti ashpërsinë e duhur, për ta mbyllur pa mëshirë në një qeli të Hagës, ku dhe do të vdiste në vetmi, si një shkretan. Evropa megjithatë, nuk mund të jetë çudibërëse. Ajo s’e rrëzoi dot në gjallje Stalinin, Hoxhën apo Çausheskun. Ndërkaq ajo ushqeu, me aq sa mundte, ëndrrën për rrëzimin e tyre.
Si na sheh bota, të emancipuar apo të prapambetur?
Për fat të keq, bota na sheh më keq se ç’jemi. Pra, më pak të emancipuar dhe më shumë të pagdhendur. Për një vizion të pasaktë, vështruesi mund të ketë gabimin apo fajin e vet. Në rastin tonë nuk mendoj se ka ndonjë dashakeqësi të programuar. Ka qenë më tepër ndërlikim fatkeq rrethanash. Në radhë të parë, ka qenë modeli i komunizmit tonë, më i keqi në kontinent. Dihet se fajin për të e kemi vetë, ashtu siç vetë ne dhe askush tjetër do të paguajmë kujtimin e tij.
…Pak kohë përpara bombardimit të Serbisë, në Paris qarkulloi pëshpërima se gjenocidi armen i vitit 1915 ishte drejtuar nga gjeneralët shqiptarë. Pëshpërima synonte armiqësimin e lobit të fuqishëm armen me shqiptarët, rrjedhimisht me Kosovën. Ajo u përhap aty-këtu në Tiranë, e shoqëruar nga një tjetër pëshpërimë e rreme: mohimi i mbrojtjes së hebrenjve, e shpallur prej “çmitizuesve” vendas si “mit kombëtarist”. Ismail Qemali, i cili, ndonëse i dorëhequr, ende pranohej si kryeministër historik i Shqipërisë, ishte i pari shef shteti në botë, që në tetor 1917 (pra vetëm pak kohë pas gjenocidit), dënoi publikisht në shtypin e Londrës, në një studim madhështor, të vërtetën e tmerrshme të masakrës. Ende sot historia jonë nuk e përmend këtë akt, që e nderon aq fort Shqipërinë.
Ka shqetësime, si kurrë më parë, se mes shqiptarëve po rritet një frymë antiperëndimore, me propaganda kundër vlerave evropiane. Çfarë ka ndikuar që të zhvillohet kjo frymë dhe në interes të kujt çon ajo?
Në qoftë se kjo del të jetë e vërtetë, mendoj se është gjëja më e pakuptueshme dhe më e paarsyeshme që mund të ndodhë përpara syve tanë. Shpresoj ende se nuk është veç një lajthitje e çastit.
Është një verbëri e pafalshme, për të cilën duhet të ndihemi fajtorë të gjithë. Në fund të fundit është një projekt i hershëm serb, famëkeqi drafti i Çubriloviçit, i cili ka parashtruar rrugën për të tërhequr në kurth shqiptarët. Thelbi i kurthit ka qenë armiqësimi shqiptarë – Evropë. Në këtë draft, një vend i veçantë i kushtohej rolit që do të luanin imamët dhe hoxhallarët e Kosovës për shpërnguljen e një pjese të kombit shqiptar jashtë Evropës dhe sidomos për turqizimin e tij.
Ku e ka hallin Serbia me shqiptarët, do që të mos na shohë të evropianizuar?
Testamenti i Çubriloviçit, ende i padënuar nga Serbia, e shpall të qartë se Serbia s’mund të ketë jetë normale me kombin shqiptar përbri. Rrjedhimisht doktrina e tij jep si zgjidhje zhbërjen, shpërnguljen ose shfytyrimin e plotë të këtij kombi rival. Vetëm kështu, sipas mendjes së sëmurë nga shovinizmi, Serbia, përbri Shqipërisë së përçudnuar, do të dukej më e qytetëruar në sytë e Evropës! Rrjedhimisht do të përfitonte favoret evropiane dhe, kryesorja, një skajim sundues në gadishull.
E vetmja shpresë, edhe ajo gjysmë haluçinante, ka qenë shfytyrimi i botës shqiptare. E mbushur me xhami dhe tek-tuk ndonjë shkollë e vetmuar (shkollat janë për sllavët, për ju mjaftojnë xhamitë), hapësira shqiptare përherë e më tepër do t’i ngjante Anadollit. Në draftin e tij, Çubriloviçi ka gjithmonë parasysh bashkëpunimin turko-osman. Qoftë marrëveshje të fshehta për shpërnguljen shqiptare, qoftë ndalimin e gjuhës shqipe. Për këtë të fundit, pavarësisht nga përgjërimet mallëngjyese për miqësi, ende nuk ka një kërkim ndjese. Më pëlqen të besoj se herët a vonë Serbia ka gjasë të çlirohet nga xanxa të tilla. Këto ditë, një koleg yni tepër i njohur, Dobrica Qosiq, në prag të ikjes nga kjo botë, e çliroi ndërgjegjen e vet duke lënë më në fund një porosi të arsyeshme lidhur me keqkuptimin serb për Kosovën.
Lidhur me çështjet e mësipërme ka një debat në Kosovë, gjatë të cilit shtrohen pyetjet: a ishin osmanët ata që na shpëtuan nga sllavizmi?
Dhe, a mund të krahasohet Perandoria Osmane me NATO-n e sotme?
Është tepër e habitshme, për të mos thënë makabre, që disa vjet pas shpëtimit të Kosovës prej ndërhyrjes atlantike bëhen përpjekje që mirënjohja t’i kalojë Turqisë! Kjo histori është e vjetër. Gjatë viteve të robërisë osmane, me qindra herë duhet të jetë trajtuar çështja “e mirënjohjes” që shqiptarët duhej të kishin ndaj osmanëve, ngaqë këta të fundit i paskëshin shpëtuar nga Evropa! Debati i sotëm që përmendni ju nuk është veçse përsëritje e këtij jermi. Tani për tani kundërshtarët e Evropës nuk dalin haptas, e maskojnë fjalën “evropianizëm” pas “sllavizmit”, por nesër, kur të ndihen më të fortë, do ta hedhin maskën dhe haptas do të kthehen kundër Evropës dhe SHBA-ve. Kam lexuar në shtypin tuaj se këto grupime radikale drejtohen nga shërbimet e fshehta serbe dhe pse jo, ruse.
Vrasja e dy aviatorëve amerikanë prej një shqiptari të Kosovës në Frankfurt, ashtu siç u bë e njohur, shpaloste një simbolikë të keqe… Në vend që të nxirreshin mësime ndaj akteve të tilla kundërevropiane, që ishin në të vërtetë kundër shqiptarëve, vazhduan lëshimet. E bashkë me to provokimet meskine kundër Perëndimit, për të përfunduar te xhihadistët shqiptarë në Siri, që i vunë kapakun gjithçkaje
Të flasim pak për debatin mbi standardin e gjuhës shqipe. A duhet rishikuar njehsimi i 1972-shit?
Është vështirë që brenda kushtëzimit të një interviste të flitet për ndoshta çështjen më të ndërlikuar të kohës. Gjuha është prodhimi më befasues i njeriut. Cilësorët: “e hyjnueshme, misterioze”, mund të duken të tepruara në fillim për të, më pas do të jenë të pamjaftueshme. Gjuha është më tepër se kaq. Ajo është një pakt i vështirë. Më i vështiri pakt që njerëzit kanë lidhur mes tyre. Me anë të saj, njeriu shpalos atë që duket e pamundur: të fshehtën e pafundme të vet. Si e tillë, ajo vetë, gjuha, çështja e saj, meritojnë gjithë seriozitetin tonë.
Pikërisht ky seriozitet mungon në Shqipëri. Në asnjë vend të Europës nuk sulmohet aq mizorisht, aq shëmtueshëm gjuha, pakti themeltar i një kombi.
Në kohën kur Shqipëria e lodhur pas komunizmit ka nevojë për të marrë veten, qindra mijëra fëmijëve shqiptarë iu pështyhet mu në sy mjeti kryesor me anë të të cilit ata zbulojnë botën, dijet, të vërtetën. Pas spekulimit me fjalën “standard”, fjalë që nuk është shqiptuar asnjëherë prej “Kongresit të Drejtshkrimit”, për gjuhën e sotme shqipe përdoren cilësimet: bunker, burg, prangosëse trush, torturuese fëmijësh, shtypëse dialektesh etj, etj.
Ju mund të pyesni, a ka ndonjë shkas për këtë, ose së paku, a ka ndonjë vjegë (pretekst)? Mendoj se përgjigja në këtë rast duhet të jetë e prerë: përveç çështjeve të zakonshme që herë pas here iu dalin gjuhëve europiane, nga greqishtja e re te gjermanishtja, në gjuhën shqipe s’ka ndonjë gjë të veçantë që krijon alarm.
Zhurma e pandershme është bazuar në disa të pavërteta, ndër të cilat vendin e parë e mban mashtrimi se në komunizëm gegërishtja u ndalua. Komunizmi ka bërë aq mbrapshtira, saqë nuk ka nevojë t’i shtojmë një krim të paqenë. Përndryshe ka gjasë që kjo grykësi të shkojë në favor të tij, duke bërë të pabesueshme të tjerat. Gegërishtja pra nuk u ndalua. Do të mjaftonte vetëm një shembull, ai i Migjenit, shkrimtarit më të botuar, më të popullarizuar dhe më të studiuarit në të gjitha nivelet e shkollave shqiptare, për të hedhur poshtë mashtrimin mbi të cilin është bazuar zhurma kryesore “kundër standardit”. (Pa përmendur Ndre Mjedën ose përkthimet monumentale të Dantes, Virgjilit, Homerit, tekste bazë për leximet universitare, shumica në gegërisht).
Çfarë mund të jetë shkaku i zhurmës që bëhet?
Shkaku i një marrëzie s’është gjë fort e lehtë për t’u gjetur. Së pari, nuk ka marrëveshje për termat. Kjo vjen kryesisht ngaqë një pjesë e polemizuesve, ata më të zellshmit, janë shpesh amatorë. Një amator kur flet për gjuhën është një gjë e bezdisshme. Por kur një amator bën për tre muaj kurs jashtë shtetit, ta zëmë në Kalabri, shumë-shumë në Napoli, atëherë ai, nga i bezdisshëm kthehet në të padurueshëm. Marrëveshja për termat është e domosdoshme për të shmangur zjarrminë e tepërt, për të mos thënë histerinë. Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 ka qenë kongres i drejtshkrimit dhe jo i standardit. Për prirjen e njësimit të shqipes së sotme, rolin vendimtar e ka luajtur alfabeti i vitit 1908 dhe jo Kongresi i Drejtshkrimit. Dy ndër hartuesit kryesorë të alfabetit të 1908-ës ishin Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi, të dy veriorë. Alfabeti i shqipes dallohet si ndër më të qëndrueshmit në Europë.Përveç alfabetit, dihet se nga dy të folmet kryesore të Shqipërisë ka qenë toskërishtja ajo që ka mundur të krijojë më shpejt atë që quhet koiné (koinos, gjuhë e përbashkët ndërdialektale). Pavarësisht favorizimit emocional politik që, pa dyshim, ka patur, ajo s’mund të vendosej në bazën e gjuhës letrare të njëjësuar pa faktorët që u përmendën më lart. Madje mund të thuhet se edhe në rast ngadhënjimi të antikomunizmit, vështirë se mungesa e përkrahjes politike do të pengonte toskërishten letrare të zinte, qoftë edhe me njëfarë vonese, të njëjtin vend.
Gjuha letrare përkon në një pjesë të madhe me standardin, por ruan atë që quhet liri e krijimit të autorit. Nëpërmjet saj, krejt pasuria e dialekteve e ka rrugën e hapur drejt gjuhës letrare të njëjësuar. Asnjë gjuhë në Europë nuk ka një standard të përsosur. Ndërkaq, asnjë vend nuk lejon të ashtuquajturin “zhvillim të lirë të saj”, siç bëhet thirrje në Shqipëri, sepse nga një kinse liri e tillë, gjuha, nën trysninë e rrugës, mund të shkatërrohet për disa vjet.
Mendja e kursantëve tremujorë, përpara se t’i hyjë çështjeve të gjuhës, duhet të mësohet me idenë se ligjet e gjuhës janë më të ndërlikuarat në botë dhe se duhen së paku njëzetë vjet për t’i përvetësuar. Për të sjellë vetëm një shembull, sipas këtyre ligjeve, në gjuhë, ajo që në pamje të jashtme mund të duket si pasuri, qëllon të jetë e kundërta. (Për të vazhduar me shembuj, një gjuhë me fjalor njëzetë mijë fjalësh, ngjan dhe është vërtet e varfër, por kjo s’do të thotë se një gjuhë që mëton të ketë gjysmë milioni fjalë është e pasur. Madje kjo e dyta, me mizërinë e fjalëve të saj tregon se po bën prapa, po kthehet në një paragjuhë, pra pushon së qeni pakt, dhe si e tillë po ecën drejt shuarjes së saj). E solla rastin e mësipërm si shembull të paradoksit e të trilleve që janë të natyrshme për gjuhën, qoftë edhe kur bien në kundërshtim të plotë me ligjet e shoqërisë. Për një mendësi normale, vendosja e standardit gjuhësor prej shumicës së popullsisë, ngjan si e vetmja zgjidhje e logjikshme. Për habi, zakonisht ndodh e kundërta. Një zonë e ngushtë, një krahinë, qytet, madje një njeri i vetëm, si i famshmi rast i Dante Aligerit, mund të jenë vendimtarë.
Ju thatë se standardi nuk është pa probleme. A janë të riparueshme mungesat?
Natyrisht. Standardi duke patur në thelbin e tij mospërkryerjen, nënkupton dozën e detyrimit, të flijimit, pse jo, të trishtimit. Në këtë kah, ai mund të përcaktohet si një fitore jo e gëzueshme. E megjithatë, ai s’mund të ekzistojë veçse si i tillë. Ngadhënjimi i fshehur i tij do të shpalosej vetëm në rast humbjeje të tij. Në Europë nuk njihet asnjë rast që një standard, pas vendosjes, të jetë thyer. Është pikërisht rrënimi i standardit që po i propozohet sot Shqipërisë, pa kurrfarë përgjegjësie. Kjo është njësoj si të gërmosh një gropë të madhe, pa propozuar asgjë në vend të saj.
Për t’u kthyer tek mungesat, ato janë të gjitha të riparueshme. Varfëria e fjalorëve të gjuhës, mungesa e fjalorëve me një minimum doze etimologjie, si gjithkund në Europë, përparësia e parimit fonetik mbi atë morfologjik, që, për mendimin tim, duhej të ishte e kundërta. Për këto nuk ka ndonjë faj standardi, por mendja e ngushtë e padijasve tanë. Ashtu siç ka ndodhur në rastin e ftohtësisë me zanafillë politike ndaj autorëve katolikë të Veriut, e shtrirë pa kurrfarë logjike në sferën e gjuhës.
E vetmja çështje dramatike që do ta vinte në faj të pandreqshëm standardin do të ishte ajo e thesarit gjuhësor. Me fjalë të tjera, e lejon apo e pengon ky standard futjen e krejt thesarit në shqipen e sotme?
Më lejoni që për këtë pyetje themelore t’ju përgjigjem me të vetmin tagër që mund të ketë një shkrimtar: atë të përdoruesit (makinistit) të gjuhës. Dhe përgjigja do të ishte e prerë: me gjithë përgjegjësinë publike që vetvetiu mbart standardi i shqipes së sotme, ai s’përbën asnjë pengesë që thesari i dialekteve, në radhë të parë ai i së folmes veriore, të jetë pjesë e plotë, harmonike e krejt gjuhës. Sipas studimeve të gjuhëtarëve të njohur, duke përfshirë në radhë të parë veriorët, në shqipen e sotme letrare, që është motra e standardit, kanë hyrë e janë duke hyrë harmonikisht jo qindra, por mijëra fjalë dhe lokucione veriore. Ju mund të pyesni: po paskajorja ? Dhe unë pikërisht për një rast të tillë do t’ju kujtoja shprehjen “fitore jo e gëzueshme”, që u përmend më lart. E megjithatë, pa mohuar keqardhjen për flijimin e tij të detyrueshëm sipas ekspertëve, duke sjellë në kujtesë fillimin e më të famshmit monolog të letërsisë botërore “To be or not to be” të Hamletit, i cili në dy versionet e shqipes do të jepej ose me paskajoren gege “me qenë a mos me qenë” , ose me pjesoren e standardit “të jesh a të mos jesh”, nuk do të besoja se do të gjendeshim përpara një drame gjuhësore.
Sa për sofizmën e fundit të ndonjë filozofi se gjuha e njësuar e sotme mund të krijojë njëfarë torture për fëmijët shqiptarë, mendimi i njëzëshëm i specialistëve është se, ashtu si kalimi nga një gjuhë te tjetra, kalimi nga dialekti te gjuha letrare dhe nga kjo te standardi, jo vetëm nuk e dëmton inteligjencën e fëmijëve, por e ngre atë në një nivel më të lartë, çka do të ishte një dhuratë për gjithë jetën e tyre të mëvonshme.
Kam dëgjuar se fëmijët e Kosovës e përdorin me dëshirë dhe me shumë lehtësi shqipen e njësuar. Në qoftë se është kështu, ky do të ishte pa dyshim një lajm i mrekullueshëm dhe me një ngarkesë simbolike, madje profetike, jo vetëm për gjuhën, por për krejt kombin shqiptar. Për gjuhën shqipe ka mendime të ndryshme, nga lavdet më të mëdha tek e kundërta.
Nuk ndodh vetëm me shqipen. Shqipja ka nxitur lavde të mëdha, shpesh mallëngjyese edhe për arsye se ka qenë një kohë e ndaluar. E kanë quajtur me fjalët më përkëdhelëse të botës, natyrisht naive, krejt të pavërteta e fëminore , si p.sh. nëna e të gjitha gjuhëve. Ndërkaq kjo s’është ndonjë arsye që ne, për njëfarë drejtpeshimi, nga qumështi i nënës t’i kthehemi krahasimit me zinxhira apo gijotina, siç u tha më lart. Gjuha shqipe, në hartën e idiomave botërore ka një status shumë më të nderuar se ç’kujtojnë përgjithësisht shqiptarët. Në trungun gjenealogjik të gjuhëve, në çdo botim serioz ajo hyn ndër dhjetë ose dymbëdhjetë gjuhët themeltare të Europës (brenda kufijve të saj), sikurse greqishtja e re, të dyja pa familje.
Mos po fryn erë e përçarjes në mes dialekteve, tentimi për gjuhën kosovare, ndarja kombëtare?
Natyrisht prirja për përçarje bëhet e dukshme, por kjo s’duhet as të na habisë e as të na ligështojë shpirtërisht. Duke qenë në natyrën njerëzore, ajo kalon tek shoqëria, kombet, shtetet. Ka raste kur përçarja shfaqet me maskën e demokracisë, ashtu si tirania me maskën e unitetit. Përçarja bëhet veçanërisht shqetësuese kur kërkohet me ngulm, siç ndodh shpesh tek ne. Në fazë pasdiktatoriale etja për të është njëfarësoj e kuptueshme, siç u tha më lart. Në të vërtetë koha është për të kundërtën. Kombi shqiptar ndodhet sot në një kohë ndërtimi. Kjo s’është një metaforë. Është thelbi i kësaj kohe. Duke përdorur fjalën “ndërtim” e kuptoj se ajo është problematike. “Ndërtimi i socializmit” është leksema më e shpërdoruar e kohës me të cilën jemi ndarë përgjithmonë. Ndërkaq ne e dimë, dhe ju matanë kufirit e dini, se ajo që bënim ne ishte diçka që veç ndërtim s’mund të quhej. Mjaftonte zbërthimi i parullës kryesore të ditës: sa më shumë përparon socializmi aq më e fortë bëhet lufta e klasave, për të kuptuar se ajo që ndërtohej s’ishte gjë tjetër veçse përçarje, trysni dhe terror. S’po zgjatem me shpalljet e tjera të kohës, si armiqësinë për vdekje me Europën, me Shqipërinë fener ndriçues, dhe vallen në gojën e ujkut, gjer te ngrënia e barit si dëshmi besnikërie ndaj doktrinës. Ne i kemi lënë pas marrëzitë, por një pjesë e tyre kërkojnë të rikthehen. Dhe midis tyre është, pa dyshim, përçarja.
Meqenëse jemi në mbarim të bisedës sonë, a mund të na thoni diçka më tepër për këtë shqetësim, si edhe për kahjen nga po shkon kombi shqiptar sot?
Natyrisht. Shqipëria, ne dhe ju bashkë me ne, presim shenjën e mirë nga Europa. Kjo nuk është një çështje luksi, si mund ta marrin disa, një çështje nderi a basti, a mllefi ndaj fqinjëve. Dhe as thjesht përmirësim shifrash e standardesh. Ky është një kapërcim, në kuptimin e madh të fjalës, shoqëruar nga një bindje e brendshme se nuk mjafton lamtumira me marrëzitë e llojit të fenerit, të ujkut a të barit, por një lamtumirë e thellë, një largim nga rrënjët e së keqes, të cilat janë përherë më këmbëngulëse se ç’duken. Ne jemi përpara gjërave krejtësisht të reja, ndonëse mund të duken të njohura. Të gjërave madhështore, ndonëse madhështinë e kanë të përkorë, si gjithë madhështitë e vërteta. Vendosja e shtetit të së drejtës, e rendit të vërtetë republikan, e kanoneve europiane, e shkëputjes nga tribalizmi, këtij mallkimi të lemerishëm, për të cilin flitet aq rrallë, gjer te ndalimi i korrupsionit dhe prerja e pyjeve, kjo gjëmë e vërtetë që është e dyfishtë ngaqë ende nuk quhet krim. Këto janë disa nga punët e atij “ndërtimi” që u fol më lart. Për të ardhur tek diçka e rrokshme, e ngutshme, le të kthejmë sytë nga një ngjarje që kemi përpara, e që në vend që të na sjellë festë dhe gëzim, ka gjasë të na zhytë më keq në përçarje dhe kaos. Është fjala për 70-vjetorin e Çlirimit.
Ka një mendim të përgjithshëm që ngulmon se kombi shqiptar, gjithë prizmi i politikës, krahu që ka fituar zgjedhjet e fundit dhe krahu që i ka humbur ato, pra shteti dhe opozita bashkërisht, kanë një rast të rrallë për të themeluar, qoftë dhe simbolikisht, një frymë të re. Duket e pamundur, por s’është ashtu. Është përkujtimi i një lufte dhe i martirëve të saj. Lufta ka ndodhur vërtet. Të vrarët kanë ikur nga kjo botë vërtet. Ndonëse ndihmesa e Shqipërisë në përplasjen botërore ka qenë modeste, pjesëmarrja ka qenë në nderin e saj. Kjo është e vërteta që jep historia. Një tjetër kundërhistori, ajo që e lidh këtë lëvizje çliruese dhe këta dëshmorë me një rend sundues dyzetvjeçar, s’është veçse një përçudnim. Hapi i parë i një fryme mirëkuptuese do të duhej të niste pikërisht me të vrarët në luftë, e pas tyre me krejt luftën. Të vrarët pushuan së jetuari, ata s’panë asgjë nga ç’erdhi më pas. Është detyrimi ynë historik, e sidomos detyrimi ynë njerëzor për t’i lënë në paqen e tyre. Ata do ta humbisnin përgjithmonë atë paqe, po ta dinin se diktatura, sa herë kishte nevojë të përligjte krimet e saj, do të përdorte formulën e njohur “amaneti i dëshmorëve”, thua se ishin të vrarët për liri ata që kërkonin terrorin, fushat e internimit dhe gjithë atë trishtim pafund. Ashtu si të vrarët, do të duhej të shkëputej nga diktatura lëvizja për çlirim, në përgjithësi. Asnjë lidhje me tiraninë e ardhshme s’mund të kishin djemtë idealistë, e aq më pak vajzat partizane, një dukuri e paparë asnjëherë në historinë shqiptare, kur mijëra vajza me moshë fare të re, kryesisht nga qytetet, rendën nëpër male me shpresën se po i sillnin dritë vendit të tyre.
Me afrimin e përvjetorit të festës, për fat të keq, në vend të kësaj fryme mirëkuptuese, që njerëzimi e njeh qysh prej tre mijë vjetësh, në vend të ndarjes së krimit nga kronika e lirisë, po ndodh e kundërta: përpjekja për ta bashkuar lirinë me krimin. Ithtarët e dy skajimeve radikale, terrorit stalinist dhe atij fashistoid, që ndonëse hiqen të kundërt janë gjithmonë të ngjashëm, shpresojnë të përfitojnë nga përçarja, në kohën që e humbura do të ishte prapë Shqipëria. Ky vend nuk ka më kohë për të humbur. Kombi shqiptar, për herë të parë në historinë e tij, po e lë pas vetminë. Ai duhet të jetë i gatshëm për të nisur një fazë të re të ekzistencës së tij: jetën në një familje kombesh.