Manifest për një Europë ndryshe
Nga Tony Blejer, botuar në Mapo Online, 4 qershor 2014
Interpretimi i rezultateve zgjedhore, sidomos kur pjesëmarrja nuk është e lartë, është një punë me risk. Dhe në rastin e zgjedhjeve të fundit për Parlamentin Europian, rezultatet nuk ishin uniformë. Rezultati më spektakolar ishte në Itali, ku një parti pro reformave dhe pro Europës, e udhëhequr nga Kryeministri Matteo Renzi, fitoi më shumë se 40% të votave. Kristiandemokratët e Kancelares Angela Merkel fituan në Gjermani dhe atje pati gjithashtu një votë të fortë pro socialdemokratëve. Në disa raste, votimi thjesht ndoqi linjat e politikës së brendshme.
Por fitoret e UKIP në Britaninë e Madhe dhe Frontit Nacional në Francë, si dhe suksesi i partive të shprehura kundër status quo-së në të gjithë kontinentin nuk mund të injorohen. Ato flasin për një ankth të thellë, mosbesim dhe ftohje ndaj institucioneve dhe filozofisë së Europës.
Tani, Europa duhet ta mendojë me kujdes se ku dëshiron të shkojë prej këtu, si do të rilidhet me qytetarët e vet dhe shqetësimet e tyre, dhe si mund t’i realizojë më mirë idealet e saj në një botë që ndryshon. Vetëkënaqësia, e mbështetur mbi faktin që shumica proeuropiane është ruajtur, është e rrezikshme. Edhe mbështetësit më të flaktë të Europës mendojnë që duhet të ketë ndryshim.
Janë të shumtë faktorët që janë kombinuar për të rritur numrin dhe kompleksitetin e sfidave që ndesh Europa, bashkë me pasigurinë dhe paparashikueshmërinë në lidhje me aftësinë e Europës për t’i përballuar ato. Kemi patur ambicien e madhe të monedhës së përbashkët, me të metat e saj që në konceptim, apo agoninë e krizës financiare dhe pasojat e saj, si dhe lidhjen mes të dyjave në krizën e borxheve sovranë. Kemi patur si sfidë edhe zgjerimin e BE-së nga 15 në 28 shtete anëtare brenda një dekade – për më tepër, një dekadë që u shoqërua nga një ndryshim i shpejtë në teknologji, tregti e gjeopolitikë.
Brenda eurozonës, BE u shndërrua nga një faktor thjesht i rëndësishëm, në një faktor që përcakton haptazi buxhetet e ardhshëm të shteteve dhe politikat e tyre ekonomike. Në të vërtetë, duke parë dhimbjen e shkaktuar nga shkurtimet e mëdha në shpenzime, pa patur fleksibilitetin e ndryshimit në normën e këmbimit të valutës, surpriza e vërtetë është që thirrja e protestës nuk ka qenë më e madhe. Edhe ata që janë jashtë eurozonës janë prekur thellë, teksa institucionet europiane janë bërë edhe më të dukshme, edhe më të sulmuara.
Në një botë gjithnjë e më shumëpolare, ku GDP dhe popullsia do të jenë gjithnjë e më të ndërlidhura, arsyeja e ekzistencës së Europës është më e fortë se kurrë. Së bashku, popujt e Europës mund të ushtrojnë ndikim pozitiv. Të vetëm, me kalimin e kohës do të pësojnë rënie të rëndësisë relative. Rendi botëror i shekullit 21 do të jetë dramatikisht i ndryshëm nga ai i shekullit 20. Arsyeja e ekzistencës së Europës sot nuk është paqja: është fuqia!
Nëse duam të kuptojmë potencialin e Europës, dhe shmangim një tërheqje të Britanisë në skaje, ekuilibri mes BE dhe shteteve anëtare do të duhet të rishikohet që nga parimet e para, institucionet europiane duhet të ribëhen për t’i bërë realisht më llogaridhënëse dhe më pranë atyre që qeverisin. Pershtatur ne shqip nga bota.al
Është e kuptueshme që qeveritë e dobëta të shteteve që po luftojnë me problemet ekonomike – dhe të gjendura nën një trysni të fortë për të dalë me sukses – nuk kanë dëshirë për momentin për një debat të tillë “me rrënjë e me degë”. Kështu që, neve na duhet të bëjmë dallimin mes veprimit kohëgjatë dhe atij të menjëhershëm. Sfida e menjëhershme është të sigurojmë ndryshimin më të madh të mundshëm brenda kuadrit ekzistues të institucioneve dhe traktateve europiane. Realizimi i kësaj kërkon një qasje dhe një axhendë të re.
Qasja e re duhet të nisë me Këshillin Europian, i cili duhet të shpallë përgjegjësinë e tij për t’i dhënë drejtim Europës, duke parashtruar një platformë të qartë dhe bindëse ndryshimi, që lidhet me shqetësimet e qytetarëve europianë dhe transformon këndvështrimin e asaj që Europa mund të arrijë në mënyrë aktive. Këshilli duhet të shoqërojë ambiciet e politikave të BE-së me një seri propozimesh konkrete për t’i realizuar ato, dhe më pas t’i lërë detyra Komisionit të ardhshëm Europian, me terma specifikë për zbatimin e platformës.
Parlamenti Europian duhet të debatojë masat e nevojshme dhe do të duhet të miratojë ligjet që nevojiten. Këtu, Këshilli dhe Komisioni duhet të punojnë në unison, duke përshtatur një metodë angazhimi me Parlamentin, që nuk i lë komisionerët e veçantë në “mes të katër rrugëve” atëherë kur këta gjenden të sulmuar.
Axhenda për reforma duhet të merret me çështje që shtetet anëtare nuk janë në gjendje t’i zgjidhin vetë, sipas interesit të tyre. Brenda eurozonës, kjo nënkupton një marrëveshje eksplicite sipas së cilës, në këmbim të vijimit të reformave strukturore nga shtetet anëtare, do të ketë më shumë fleksibilitet fiskal dhe veprime të politikës monetare për të lejuar një rritje më të madhe ekonomike dhe shmangur deflacionin.
“Shitja” e reformës tek secili shtet anëtar do të jetë më e lehtë, nëse do të bëhet pjesë e një ujdie të madhe, ku fitimi dhe dhimbja janë të ekuilibruar. Për BE-në si një e tërë, është i domosdoshëm progresi në konsolidimin e tregut të përbashkët, sidomos në sektorin e shërbimeve. Dhe politikëbërësit duhet të bëjnë një shtytje të madhe për firmosjen e Partneritetit Transatlantik për Tregtinë dhe Investimet. Po kështu, në këtë axhendë për ndryshimin duhet të përfshihen idetë më të mira që lidhen me infrastrukturën dhe një program europian punësimi. Përpjekjet në këto fronte duhen bërë duke treguar sesi vendet e punës dhe industria e së ardhmes mund të krijohen përmes një aksioni europian të bashkërenduar.
Po kështu, tani politika energjetike ka një rëndësi jetike, jo vetëm për konkurrueshmërinë e Europës, por edhe si rezultat i ngjarjeve në Europën Lindore dhe Ukrainë. BE nuk ka ndjekur asnjëherë një politikë të përbashkët energjetike me forcën që nevojitet. Impakti i kësaj do të ishte transformues. Një politikë e përbashkët energjetike dhe tregjet e integruara energjetike do të sillnin dobi për biznese dhe konsumatorë, si dhe do të ulnin varësinë e Europës nga furnizuesit e huaj.
Së fundi, nëse Europa dëshiron të ushtrojë një fuqi që shkon në përpjesëtim me peshën e saj ekonomike, ajo duhet të ketë kapacitetin që të luajë rolin e saj në operacionet ushtarake dhe në rolin thelbësor të ndërtimit të sektorit të sigurisë për partnerë potencialë që dalin nga trazira apo konflikte. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me shpenzimet. Ka të bëjë me sinergjitë. Përvojat e fundit në Afrikën Veriore dhe Afrikën Nënsahariane tregojnë se si mund të përdoret ky kapacitet.
Dua të jem i qartë për këtë axhendë reformash për Europën. Nuk e kam fjalën për konkluzionet normale të Këshillit që bashkohen në minutën e fundit të një mbledhjeje rutinë. E kam fjalën për një program preciz – quajeni një manifest për ndryshimin – që i tregon Komisionit ekzaktësisht se çfarë duhet të bëjë dhe i jep Komisionit mbështetjen që i nevojitet për ta zbatuar.