Të ardhurat e Buxhetit të Shtetit sipas strukturës 2000 – 2013
Të ardhurat totale të Buxhetit të Konsoliduar të Shtetit përfshijnë të gjitha të ardhurat nga burimet e ndryshme tatimore, jotatimore dhe ndihmat e dhëna nga qeveritë e shteteve të huaja apo donatorët.
Të ardhurat tatimore vijnë nga tatimet dhe doganat, pushteti lokal dhe fondet speciale. Të ardhurat jotatimore janë të ardhura që vijnë nga veprimtaria ekonomike e ndërmarrjeve publike dhe nga prona publike, nga shërbimet administrative dhe të ardhurat dytësore.
Të ardhurat buxhetore në total paraqiten rritëse vit pas viti, ku përjashtim bëjnë dy vitet e fundit, në të cilët kemi një rënie vjetore me 0.5% të këtyre të ardhurave. Kundrejt vitit 2011, viti 2013 shënoi një rënie në vlerë prej 1.824 mld. Në vitin 2011 janë mbledhur më shumë të ardhura buxhetore ndër vitet e marra në shqyrtim, shumë kjo që arrin në 330,46 mld lekë. Të ardhurat e marra nga ndihmat luhaten shumë përgjatë viteve, ku të ardhurat më të mëdha janë marrë në vitin 2001 dhe më të ulëtat shënohen në vitin 2007.
Në vitin 2011 u arrit vlera më e lartë e të Ardhurave Tatimore të mbledhura përgjatë këtyre viteve, vlerë e cila arrinte në 303,92 mld lekë. Të Ardhurat Jotatimore kanë pësuar ulje ngritje gjatë viteve, duke mos ndjekur një trend rritës apo rënës të caktuar. Në vitin 2010 janë realizuar të ardhurat më të mëdha prej 31,55 mld lekësh, ndërsa në vitin 2005 janë realizuar të ardhurat më të ulëta prej 14,178 mld lekësh.
Në vitin 2013 janë realizuar 328,62 mld lekë të ardhura buxhetore, nga të cilat 5,665 mld lekë vijnë nga ndihmat, 301,40 mld lekë vijnë nga të ardhurat tatimore dhe 21,554 mld lekë nga të ardhurat jotatimore. Të Ardhurat Tatimore zënë peshën kryesore të të ardhurave buxhetore me 91.7% të tyre, të Ardhurat Jotatimore zënë 6.6% dhe ndihmat zënë 1.7%.
Të Ardhurat Tatimore janë zëri me peshë më të madhe në të ardhurat buxhetore dhe si i tillë paraqet interes të veçantë. Pesha mesatare e të Ardhurave Tatimore përgjatë këtyre viteve arrin rreth 88% të totalit të të ardhurave. Vetë të Ardhurat Tatimore ndahen në tre grupe kryesore të ardhurash që janë: të ardhurat nga tatimet dhe doganat, të ardhurat nga pushteti lokal dhe të ardhurat nga fondet speciale.
Të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë të ardhura që mblidhen nga të gjitha llojet e taksave dhe tatimeve që zbatohen nga Qeveria Qendrore. Në to përfshihen 6 kategori kryesore: Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Tatimi mbi Fitimin, Akciza, Tatimi mbi të Ardhurat Personale, Taksat Doganore dhe Taksat Nacionale e të tjera. Secila prej kategorive të lartpërmendura rregullohet me ligj të veçantë. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat kanë ardhur rritëse deri në vitin 2011, ku janë realizuar dhe të ardhurat më të mëdha me 235,50 mld lekë, ndërsa dy vitet e fundit këto të ardhura paraqiten në rënie. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat kanë zënë mesatarisht përgjatë këtyre viteve rreth 76% të totalit të të ardhurave tatimore.
Specifikisht, të ardhurat nga TVSH-ja zënë pothuajse gjysmën e të ardhurave nga tatimet dhe doganat. Këto të ardhura kanë shënuar rritje deri në vitin 2011, i cili përkon dhe me vitin ku janë realizuar të ardhurat më të larta nga ky zë me rreth 119,18 mld lekë. Në dy vitet e fundit tendenca paraqitet në rënie. Tatimi mbi fitimin tregon një rritje të vazhdueshme deri në vitin 2006, vit në të cilin janë realizuar dhe të ardhurat më të larta me rreth 22,25 mld lekë. Pas këtij viti të ardhurat nga tatim fitimi kanë ardhur në rënie, përveç një përmirësimi në vitin 2011. Të ardhurat nga akciza janë rritur vit pas viti deri në vitin 2011, ku janë realizuar të ardhurat më të larta me rreth 40,403 mld lekë. Pas këtij viti këto të ardhura kanë ardhur në rënie.
Tatimi mbi të ardhurat personale duket se është zëri me një qëndrueshmëri të vazhdueshme në rritje. Të ardhurat më të larta janë realizuar në vitin që lamë pas me një vlerë rreth 29,570 mld lekë. Të njëjtin trend paraqesin dhe të ardhurat nga taksat kombëtare. Të ardhurat më të larta u realizuan vitin 2012 me një vlerë rreth 28,67 mld lekë, por rënia në vitin 2013 është shumë e ulët. Të ardhurat nga taksat doganore kanë pësuar rritje të lehta deri në vitin 2006, vit në të cilin janë realizuar dhe të ardhurat më të mëdha nga ky zë me rreth 13,99 mld lekë. Pas këtij viti këto të ardhura janë në rënie të vazhdueshme.
Përsa i përket vitit 2013, peshën më të madhe të të ardhurave nga tatimet dhe doganat e kishin të ardhurat nga TVSH-ja me rreth 49%, më pas të ardhurat nga akciza me 17%, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale me 13%, të ardhurat nga taksat nacionale me 12%, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin me 7% dhe të ardhurat nga taksat doganore me vetëm 2%.
Të ardhurat nga pushteti lokal janë të ardhura që mblidhen dhe administrohen nga organet e qeverisjes lokale. Këto të ardhura përfshijnë tatimin mbi pasurinë, tatimin mbi biznesin e vogël dhe taksa të tjera lokale, të rregulluara me ligjin Nr. 9632 datë 30.10.2006. Duke filluar nga data 1 Janar 2014 ky ligj ka pësuar disa ndryshime që lidhen me tatim fitimin mbi biznesin e vogël, ku ajo që vlen të theksohet është fakti që tatimi mbi biznesin e vogël tashmë i quajtur “Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël” do të vlerësohet, mblidhet, kontrollohet, arkëtohet dhe transferohet në llogaritë e buxhetit të qeverisjes vendore nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nëpërmjet drejtorive të saj rajonale. (Ligji Nr. 181/2013)
Të ardhurat nga pushteti lokal zënë rreth 4.5% të të ardhurave tatimore ose 4% të të ardhurave buxhetore. Këto të ardhura kanë pësuar rritje deri në vitin 2009, vit ku janë realizuar dhe të ardhurat më të mëdha prej 12,14 mld lekësh. Pas këtij viti të ardhurat nga pushteti lokal kanë ardhur në rënie. Për vitin 2013, 59% e të ardhurave nga pushteti lokal erdhën nga tatimi mbi fitimin e biznesit të vogël, 23% nga taksat lokale dhe pjesa tjetër prej 18% nga tatimi mbi pasurinë (ndërtesat).
Të ardhurat nga fondet speciale përfshijnë të ardhurat që vijnë nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, si dhe të ardhurat për kompensimin në vlerë të pronarëve. Të ardhurat nga këto fonde përbëjnë rreth 19% të të ardhurave tatimore. Këto të ardhura kanë ardhur në rritje të vazhdueshme dhe në vitin 2013 janë realizuar të ardhurat më të larta me vlerë 60.03 mld lekë.
Të ardhurat jotatimore janë të ardhura që vijnë nga veprimtaria ekonomike e ndërmarrjeve publike dhe nga prona publike, nga shërbimet administrative dhe të ardhurat dytësore. Këtu përfshihen zëra si fitimi i Bankës së Shqipërisë, të ardhura nga veprimtaria ekonomike e institucioneve buxhetore, të ardhura nga dividendi, të ardhura nga tarifat e shërbimeve administrative, kombëtare dhe vendore dhe të ardhura të tjera ku mund të përmendim gjobat, kamatëvonesat, sekuestrimet etj. Këto të ardhura zënë rreth 9.3% të totalit të të ardhurave buxhetore. Përgjatë viteve kemi ulje ngritje të vazhdueshme të tyre, ku në vitin 2010 janë realizuar dhe të ardhurat më të larta prej 31,55 mld lekë.