Enver Hoxha
Lindi më 16 Tetor 1908 në Gjirokastër. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes Liceun e nisi në vendlindje më 1924 por më pas e vijoi në Liceun e Korçës më 1927-1930. Vitet e qëndrimit në Korçë luajtën rol të rëndësishëm për formimin dhe edukimin komunist të Enver Hoxhës. Në tetor 1930 Enver Hoxha përfitoi një bursë për të studiuar biologji në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Montpeljesë, Francë. Në mars të vitit 1934 i ndërpritet bursa dhe ai shkon në Paris ku qëndron deri nga fundi i vitit 1935. Gjatë kohës që ndodhej në Paris Hoxha mori pjesë në takimet e Grupit Komunist të Shqiptarëve. Në korrik të vitit 1936 Enver Hoxha kthehet përfundimisht në Shqipëri duke punuar si mësues në Liceun e Korçës. Pas kësaj ai shkon në Tiranë mori pjesë në degën e grupit komunist të Korçës që vepronte në Tiranë. Mbledhja themeluese nga (8-14 nëntor 1941) e zgjodhi Enver Hoxhën anëtar të Komitetit Qendror të Përkohshëm dhe ai u ngarkua me drejtimin e punëve të KQ të Përkohshëm.
Në krye të KQ të Partisë, Enver Hoxha përpunoi dhe udhëhoqi zbatimin e vijës ushtarake të PKSH për organizimin dhe zgjerimin e kryengritjes së armatosur në të gjitha anët e vendit dhe për krijimin, në luftë e sipër, të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare.
Disa nga funksionet politike të Enver Hoxhës kanë qënë:
– Sekretar i Përgjithshëm i KQ të PKSH 1943-1948.
– Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së 1948-1985.
– Kryeministër i Shqipërisë me mandat nga 22 tetori i vitit 1944 gjer më 10 janar të vitit 1946 si pjesë e kabinetit të parë komunist.
– Kryetar i Këshillit të Ministrave me mandat nga 22 marsi i vitit 1946 gjer më 30 qershor të vitit 1950.
– Ministër i Jashtëm i Shqipërisë me mandat nga 22 marsi i vitit 1946 gjer më 30 qershor të vitit 1950.
– Kryetar i Këshillit të Ministrave me mandat nga 5 korriku i vitit 1950 gjer më 23 korrik të vitit 1953.
– Ministër i Jashtëm i Shqipërisë me mandat nga 5 shtatori i vitit 1950 gjer më 23 shtator të vitit 1953.
– Kryetar i Këshillit të Ministrave me mandat nga 23 korriku i vitit 1953 gjer më 19 korrik të vitit 1954.
Vitet e fundit të jetës së Hoxhës ishin rënduar për shkak të diabetit që i ishte diagnostikuar shumë vite më parë, ai pëson një infarkt në zemër në vitin 1972, më pas një tjetër në vitin 1973, këto dy infarkte e rënduan akoma shumë shëndetin e tij. Fillimi i prillit do të shënojë edhe fundin e jetës së tij, vdes më 11 prill 1985.